Kthejnë kafkën që fsheh sekretin e njerëzimit

Kthejnë kafkën që fsheh sekretin e njerëzimit

Qyteti i Kabvës në Zambia është qyteti i katërt më i madh në vend. Ai shtrihet 140 km në veri të kryeqytetit të Lusakës, në një distancë prej 1200 metra mbi nivelin detar. U themelua në vitin 1902 si një qytet minierash pasi gjetjes së depozitave të plumbit dhe zinkut.

Nga miniera, më pak se një kilometër larg nga qendra e qytetit të sotëm, nxorën argjend, mangan dhe metale të rënda në sasi të vogla. Pikërisht për shkak të kësaj, e quajtën Broken Hill, një qytet të ngjashëm minerar në Australi.

Zhvillimit të qytetit i kontribuoi edhe hekurudha, përkatësisht linja Kitwe-Lusaka, si dhe ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Mulungushi, 50 km në juglindje të minierës, hidrocentralit të parë në Afrikën Qendrore.

Miniera u mbyll në vitin 1994, 30 vjet pas shpalljes së pavarësisë, dhe la një trashëgimi toksike të kontaminimit me plumb, si pasojë e të cilit banorët vazhdojnë të vuajnë dhe vdesin.

Sot, Kabva, sipas një studimi të Institutit Blacksmith nga Nju Jorku, është ndër qytetet më të ndotura të botës. Studimet kanë treguar se pothuajse të gjithë fëmijët në qytet kanë nivele të larta të plumbit në gjak, për shkak të të cilave shëndeti i tyre rrezikohet seriozisht.

Ekspertët janë veçanërisht të shqetësuar për njoftimin se autoritetet në Londër i kanë dhënë leje kompanisë Jubilee Metals Group për të mbledhur plumbin dhe zinkun këtë vit.

Për këto miniera ka një histori të bukur, që punëtorët në vitin 1921 gjetën një kafkë që tregon për paraardhësit e mundshëm njerëzorë dhe disa eshtra që konfirmojnë këtë histori.

Minatori zviceran Tom Zwiglaar gjeti kafkën në vitin 1921 në një minierë plumbi dhe zinku në Rodezinë e veriut (tani Kabva). Përveç kafkës, u gjet edhe nofulla e sipërme, një kryqëzor dhe dy fragmente tjera të eshtrave. Në kohën e gjetjes, kafka quhej “njeri Rhodesian”, por sot ajo zakonisht quhet si kafkë Broken Hill ose kafkë Kabva.

Homo rhodesiensis, njeriu rodezian, është një lloj humanidi i zhdukur, i cili i takon llojit Homo, përshkruar sipas gjetjeve të fosileve, të ashtuquajturës kafka nga Kabva.

 

Mbetje të ngjashme morfologjike të të njëjtë periudhë ose edhe të mëhershme, janë gjetur edhe në Afrikën Jugore, Afrikën Lindore dhe Afrikën Veriore, vjetërsia e të cilave varion nga 125 mijë deri 300 mijë vjet, transmeton KosovaPress.

Kafka e gjetur u dërgua në Muzeun Historik të Londrës ku mbetet edhe sot, pavarësisht nga përpjekjet që Zambia investon në kthimin e saj.

Britania e Madhe është e njohur për ngurrimin e ashpër për kthimin e objekteve të gjetura gjatë periudhës koloniale, siç janë disa artefakte që tërheqin një numër të madh turistësh.

Por, vitin e kaluar në takimin e UNESCO-s, përfaqësuesit e Zambias më në fund e thyen rezistencën e tyre.

Zyrtarët nuk duan të zbulojnë informacionin për aranzhimet e mundshme, por duket se Londra zyrtare ka nisur të ndjekë shembujt e fuqive të tjera koloniale që kanë filluar të kthejnë gjetjet e ndryshme te banorët autoktonë.

Kështu është shembulli i mirënjohur i Gjermanisë që ktheu në Namibi kafkën dhe mbetjet e 25 viktimave të vrara në gjenocid, dhe 19 kafka të marra nga Afrika për qëllime të “hulumtimit antropologjik”. Franca gjithashtu ka kthyer një pjesë të ‘blerjeve’ të saj.

Nëse Britania e Madhe pranon të kthejë eshtrat e njeriut rodezian, kjo do të jetë një nxitje e madhe për vendet e tjera që po përpiqen të ndërmarrin masa të tilla.

Është veçanërisht e rëndësishme që ish-kolonitë të kenë të drejtën të kontrollojnë trashëgiminë e tyre, por edhe përgjegjësinë e fuqive të mëparshme koloniale për të marrë barrën e mëkateve të tyre nga e kaluara.

Antropologu Ales Hrdlick nga Instituti Smithsonian thotë se kafka është gjetur nga minatori Zwigelaar dhe një minator i ri afrikan më 17 qershor 1921. Ai ka biseduar me të dy ata dhe në ditarin e tij kishte shkruar se “Zwigelaar ishte njeri i moshës së mesme, por me logjikë të shëndoshë”.

Tom tregoi se duke punuar me një minator afrikan (emri i të cilit nuk u zbulua) gjeti një kafkë atë ditë në mëngjes. Në dokumentet e tij, ai gjeti një fotografi të marrë nga udhëheqësi i minierës pasi punëtorët e paralajmëruan për atë që gjetën.

Por, kafka nuk mbeti gjatë në minierë. Atë e vëzhgoi një mjek dhe shpejt konkludoi se bëhej fjalë për një zbulim të rëndësishëm shkencor dhe pesë muaj më vonë u dërgua në Britaninë e Madhe, ku iu dhurua muzeut në Londër.  Atje paleontologu Arthur Smith Woodward e quajti Homo rhodesiensis. Ekspertët thanë se bëhej fjalë për një paraardhës të rëndësishëm të njeriut.

Në vitin 2016, shkencëtarët morën mostra të kafkës në kërkim për ADN-në e lashtë, por deri më tash përpjekjet për nxjerrjen e pjesëve të gjenomit ishin të pasuksesshme. Gjatë disa viteve të kaluara kanë publikuar me dhjetëra punime, të cilat kryesisht janë bazuar në incizimet CT të kafkës.

Ato konfirmojnë gjetjet e mëhershme, por çështja e lidhjes me H. Sapiens dhe neandertalët, edhe më tej është objekt i debatit dhe priten të kryhen testime të reja.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 4, 2019 22:43
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.