Kur fytyra bëhet armiku juaj: Teknologjia moderne s’të lë vend të fshihesh

Kur fytyra bëhet armiku juaj: Teknologjia moderne s’të lë vend të fshihesh

Krijimi i fytyrës së njeriut mund të krahasohet me një kryevepër arti. Është një punë e mrekullueshme. Llojshmëria e habitshme e tipareve të ndryshme të fytyrës i ndihmon njerëzit të dallojnë njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë, është e rëndësishme për formimin e shoqërive komplekse. Po kaq mbresëlënëse është edhe aftësia e njerëzve që, nëpërmjet fytyrës, të dërgojnë informacione të ndryshme emocionale, qoftë nëpërmjet skuqjes së pavullnetshme të fytyrës apo nëpërmjet një buzëqeshjeje artificiale, shkruan The Economist.

Njerëzit shpenzojnë një pjesë të madhe të jetës, si kur janë në punë ashtu edhe kur kanë dalë për t’u argëtuar, duke u munduar që të lexojnë fytyrat e të tjerëve, për të parë nëse arrijnë të shuajnë aty ndonjë shenjë armiqësie, besimi apo mashtrimi. Ata shpenzojnë edhe shumë kohë duke u përpjekur që të fshehin pjesën më të madhe të këtyre shenjave.

Teknologjia ka përparuar me ritme të shpejta kohët e fundit, aq sa ajo po ecën pothuajse me të njëjtin hap me aftësinë e njerëzve për t’i lexuar fytyrat dhe për të dalluar mimikat e ndryshme që ata mund të bëjnë.

Në Amerikë, njohja faciale përdoret për të vëzhguar qëndrimin e adhuruesve brenda në kishë. Në Britani ajo përdoret për të shquar hajdutët në dyqane. Në Uells, policia e përdori njohjen faciale për të arrestuar një të dyshuar që qëndronte jashtë një fushe futbolli. Në Kinë, ajo verifikon identitetin e shoferëve të taksive, i lejon turistët të luajnë në lojëra të ndryshme dhe të paguajnë vetëm me anë të një buzëqeshjeje. iPhone i ri nga Apple do ta përdorë atë (njohjen nëpërmjet fytyrës) për të zhbllokuar ekranin e celularit.

Edhe pse fytyrat janë karakteristikë për cilindo prej nesh, ato nuk mbahen të fshehura, prandaj në pamje të parë teknologjia nuk është se ndërhyn në diçka që është private. Aftësia për të regjistruar, për të ruajtur dhe për të analizuar imazhet e fytyrave me çmim të ulët, në një kohë shumë të shpejtë dhe në një shkallë të gjerë, premton që një ditë të bëhen ndryshime thelbësore në nocionet e privatësisë, drejtësisë dhe besimit.

Le të përqendrohemi fillimisht tek privatësia. Një ndryshim i rëndësishëm midis fytyrave dhe të dhënave të tjera biometrike, të tilla si shenjat e gishtërinjve, është se ata funksionojnë në distancë. Çdokush që ka një telefon mund të bëjë një foto dhe pastaj t’i hap njohjes së fytyrës të gjitha programet që përdor.

FindFace, një aplikacion në Rusi, krahason fotografitë e të huajve me fotografitë e hedhura në rrjetin social VKontakte dhe mund të identifikojë njerëzit me një shkallë saktësie prej 70 për qind.

Llogaria e Facebook-ut në të cilën ndodhen imazhet e fytyrës, nuk është e aksesueshme për këdo, por gjiganti nga Silicon Valley mund të fotografojë vizitorët në një panair makinash dhe më vonë ta përdorë njohjen faciale për t’u dërguar atyre reklama dhe oferta të ndryshme për makina.

Edhe nëse firmat private nuk janë në gjendje të bëjnë lidhjen midis imazheve dhe identitetit, shteti në anën tjetër mundet. Qeveria e Kinës zotëron një arkiv me shifra rekorde mbi imazhet e fytyrave të qytetarëve të saj. Fotot e pothuajse gjysmës së popullsisë së rritur amerikane janë të ruajtura në databaza që mund të përdoren edhe nga FBI-ja. Pra, ky është një avantazh i madh për agjencitë e zbatimit të ligjit, të cilat kanë një armë të fuqishme në duart e tyre për të ndjekur dhe për të kapur më lehtë kriminelët, por me një kosto shumë më të madhe për sa i përket cenimit të jetës private të qytetarëve.

Fytyra nuk është vetëm një formë identifikimi, sepse ajo tregon edhe informacione të tjera, të cilat makineritë e ndryshme teknologjike mund t’i lexojnë lehtësisht, gjë kjo që duket mjaft premtuese.

Disa firma po analizojnë fytyra të ndryshme për të gjetur diagnoza të sëmundjeve të rralla gjenetike, të tilla si sindroma Hajdu-Cheney, të cilat nëpërmjet njohjes faciale gjurmohen shumë më herët se sa në kushte të tjera të zakonshme.

Sistemet të cilat arrijnë të matin nivelet e ndryshme të emocioneve, mund të arrijnë që t’u japin kuptim sinjaleve sociale të personave që vuajnë nga autizmi, të cilat nga njerëzit janë të pakapshme. Por, teknologjia, sa e mirë duket nga njëra anë, aq edhe kërcënuese mund të jetë në anën tjetër. Sipas një kërkimi të fundit të kryer në Universitetin e Stanfordit, kur krahasohej imazhi i një burri homoseksual dhe i një tjetri johomoseksual, në bazë të algoritmeve të njohjes së fytyrës mund të arrihej që të gjendej me një shkallë saktësie prej 81 për qind se cili prej dy meshkujve ishte homoseksual. ndërsa në bazë të aftësive njerëzore, pa përdorur sistemet teknologjike, u arrit që të gjendej me një shkallë vërtetësie prej 61 për qind se cili ishte personi homoseksual. Por, në vende ku homoseksualiteti konsiderohet një krim, evidentimi i homoseksualitetit vetëm me anë të një softueri përbën një perspektivë alarmante.

Të dhënat që mund të gjenerohen nga njohja faciale mund ta shndërrojnë një situatë të tillë në diçka më se të zakonshme, në rutinë, gjë që do t’u mundësonte kompanive të ndryshme të filtrojnë çdo informacion që ata duan, si p.sh mbi etninë, inteligjencën dhe seksualitetin.

Klubet e natës dhe sportet mund të përballen me presion e lartë që për të mbrojtur njerëzit, t’i kushtojnë rëndësi të madhe analizimit të të dhënave që nxirren nga njohja e fytyrës, duke shmangur në këtë mënyrë personat që identifikohen si të dhunshëm, por ama nuk duhet të harrojmë edhe faktin se duke qenë se kemi të bëjmë me njohje të fytyrës nëpërmjet sistemeve të ndryshme teknologjike, probabiliteti që ato të gabojnë mund të jetë gjithmonë i pranishëm.

Për më tepër, sisteme të tilla nuk mund të funksionojnë plotësisht, si p.sh. në rastin e evidentimit të personave me ngjyrë të bardhë të lëkurës, duke qenë se algoritmet e këtyre sistemeve mund të bëjnë gabime në evidentimin e personave nga kombësi të ndryshme, pasi janë të programuara për të dalluar vetëm ngjyrën e bardhë dhe atë të zezë.

Por, edhe pse jo aq të sakta, vlerësimet e automatizuara të përdorura për të informuar vendimet e gjykatave për dorëzaninë dhe dënimin kanë shënuar rritje.

Rrjedhimisht, regjistrimi i vazhdueshëm i të dhënave që merren nëpërmjet njohjes me anë të fytyrës, mund të ndikojë në ndryshimin e ndërveprimeve shoqërore. P.sh. nëse ju do të arrinit të dallonit çdo pakënaqësi që mund të kishte partneri juaj nëpërmjet njohjes faciale, atëherë martesa nuk do të ishte më aq harmonike. Edhe në punë, nëse kolegët apo eprorët do të shprehnin çdo pakënaqësi që mund të kishin, harmonia në ambientet e punës nuk do të ekzistonte më.

Pra, baza e ndërveprimeve shoqërore mund të ndryshonte dhe marrëdhëniet mund të bëheshin më racionale, por edhe më transaksionale.

Të paktën në vendet demokratike, legjislacioni mund të ndihmojë në ndryshimin e bilancit ndërmjet rezultateve të mira dhe atyre të këqija. Rregullatorët evropianë kanë vendosur një sërë parimesh në rregulloren e ardhshme të mbrojtjes së të dhënave, duke theksuar mbi të tjera se informacioni biometrik, i cili do të përfshinte “fytyrën”, i përket pronarit të tij dhe se përdorimi i tij kërkon me patjetër aprovimin e tij. Prandaj, në Evropë, ndryshe nga Amerika, vizitorëve të një panairi makinash nuk mund t’i dërgohen kurrsesi reklama pa marrë paraprakisht aprovimin e tyre.

Ligjet kundër diskriminimit mund të zbatohen edhe ndaj një punëdhënësi që zgjedh imazhet e kandidatëve në bazë të paragjykimeve që ai ka, prandaj firmat që përdorin teknologji të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi të madhe dhe të tregohen të kujdesshme. Herë pas here, këto firma që përdorin sisteme të tilla të njohjes nëpërmjet fytyrës mund të jenë subjekt i kontrolleve të ndryshme për të vërtetuar se ata nuk janë duke i përdorur vend e pavend të dhënat që mund të disponojnë.

Megjithatë, këto rregulla nuk mund të ndryshojnë drejtimin e këtij udhëtimi. Me kalimin e kohës, kamerat do të bëhen një prej pajisjeve më të zakonshme, aq më shumë atëherë kur ato do të jenë pjesë e pajisjeve të ndryshme si ora, syze me kamera etj.

Përpjekjet për të prishur saktësinë e sistemeve të njohjes së fytyrës, duke mbajtur syze dielli apo duke vendosur kremra të tillë si grimi, tashmë nuk ekzistojnë më sepse sipas studimit nga Universiteti i Kembrixhit, Inteligjenca Artificiale ka arritur deri aty sa mund të rindërtojë strukturat e fytyrës së njerëzve edhe kur ata janë të maskuar.

Kompania gjigante Google e ka shprehur në mënyrë të qartë mos aprovimin e saj për sa u përket sistemeve të njohjes nëpërmjet fytyrës, nga frika e keqpërdorimit të këtyre të dhënave nga regjimet e vendeve demokratike. Firma të tjera teknologjike janë më pak të ndjeshme ndaj këtij fenomeni. Amazon dhe Microsoft janë duke përdorur shërbimet e tyre “Cloud” për të mundësuar sistemin e njohjes faciale, shërbim ky që ka një rëndësi të veçantë edhe në planet e Facebook-it.

Qeveritë nuk do të duan që të heqin dorë nga përfitimet e saj. Ndryshimi po vjen dhe nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të përballeni me të.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 24, 2017 08:32

REKLAMA