Kush po e rikthen në skenë VMRO-DPMNE-në, Zijadin Sela apo Blerim Reka?!

Kush po e rikthen në skenë VMRO-DPMNE-në, Zijadin Sela apo Blerim Reka?!

Hamdi Nuhiju

Zgjedhjet presidenciale, rrethi i parë i mbajtur me 21 prill të vitit 2019, në Maqedoninë e Veriut ka qenë njëra prej ngjarjeve më interesante politike qysh prej pavarësisë. Në garën për zgjedhjet presidenciale janë futur partitë në pushtet me një kandidat të përbashkët, opozita maqedonase me një kandidat të vetin si dhe opozita shqiptare me Blerim Rekën. Për të parën herë vijat ndarëse ideologjike kanë qenë të qarta dhe të prera me një vijë të saktë dhe të drejtë. E vetmja gjë e paqartë ka qenë opozita shqiptare ku Lindja dhe Perëndimi u bashkuan rreth Blerim Rekës i cili qysh në fillim kishte simpatinë e shumë maqedonasve për shkak të qëndrimeve ose mos qëndrimeve të tij politike gjatë dy dekadave të fundit. Reka befasoi me paraqitjen e tij progresive ku shpesh herë edhe u përshëndet haptas nga kandidatja maqedonase nga VMRO-DPMNE-ja, Gordana Siljanovska. Si duket gjërat që nuk mund t`i thonte Gordana Siljanovska në debatet publike, i përcillte përmes Blerim Rekës të opozitës shqiptare.

Kampanja ishte e qartë, por themeli dhe fryma e thirrjes së opozitës shqiptare ishte tepër e paqartë. Shqiptari për shqiptarin, patriotët dhe tradhtarët ishin kakofonia politike e shtabit të Blerim Rekës. Shqiptari për shqiptarin dhe patriotët e tradhtarët i shkon për shtati vetëm VMRO-DPMNE-së në kohën e vdekjes klinike dhe humbjes së të gjitha shpresave për rikthim të fuqishëm në skenën politike. Nëse kampanja e Blerim Rekës ishte bazuar në filozofinë e shqiptarit për shqiptarin, kampanja e VMRO-DPMNE-së në rrethin e parë ishte drejtuar në atë se shqiptarët po e marrin shtetin, presidentin, të mos i bojkotojmë zgjedhjet, sepse nëse i bojkotojmë, ja mundësojmë shqiptarëve të marrin edhe presidencën.

Shqiptari për shqiptarin ishte filozofi politike e Zijadin Selës e cila në fund përfundoi me mbi 7000 vota maqedonase për Blerim Rekën e Republikës. Shqiptari për shqiptarin ishte shpresa e parë për rikthimin e VMRO-DPMNE-së dhe orientimit pro rus të Maqedonisë në kohën kur të gjitha segmentet e shoqërisë janë të përgatitura për anëtarësim në NATO dhe në BE. Edhe Zijadini e dinte se Blerim Reka nuk shkon në rrethin e dytë, por kjo gjë do t`i ndihmonte shumë VMRO-DPMNE-së në mos bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale. Ekzistenca e konceptit shqiptari për shqiptarin në këtë kampanjë zgjedhore ishte shpresë e gjallë për VMRO-në dhe vendimtare për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale po lexojmë nga selia e Aleancës mendime të tilla për një rikthim të merituar të VMRO-DPMNE-së në kreun e shtetit. Numërohen të gjitha proceset politike që sipas këtyre zërave kanë shkuar dëm dhe keq dhe konstatimi i fundit i këtyre mendimeve është se pas gjithë kësaj zallamahie VMRO-DPMNE e meriton të rikthehet.

Në rrethin e parë presidencial kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka deklaruar publikisht se nëse kandidati i tyre nuk shkon në rrethin e dytë, atëherë Mickovski do të dal në votime dhe do ta përkrah Blerim Rekën. Po ashtu edhe Gordana Siljanovska, kandidate për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së në disa intervista të saja publikisht ka thënë se në rrethin e dytë do të përkrah Blerim Rekën nëse ai kalon. Madje Siljanovska me mall e përkujton Blerim Rekën, pasi që më nuk ka kush ta mbroj në debatet publike dhe nuk ka kush të flas në emrin e saj dhe partisë VMRO-DPMNE.

Është interesante të përmendet edhe fakti se Blerim Reka i humb zgjedhjet në Strugën e Zijadin Selës, ndërsa merr vota në Strumicë. Para disa ditësh në opinion, Sead Zimeri nxori idenë se Blerim Reka duhet që të jetë lider i ri i opozitës shqiptare, gjë e cila analizuar sipas votave në terren është ide dhe konstatim i drejtë. Zijadin Sela në zgjedhjet lokale humbi në Strugë, ndërsa Blerim Reka në zgjedhjet presidenciale mblodhi edhe vota maqedonase edhe me një koncept përjashtues për të gjitha etnitë tjera. A nënkupton kjo gjë se Sela tashmë e ka humbur legjitimitetin e tij dhe është koha për të bartur përgjegjësi? Apo ndoshta logjika e pandëshkimit është rregulli numër një për ekzistencën e opozitës shqiptare?

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 26, 2019 21:23
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.