Kuvendi miratoi ligjet e refuzuara nga Ivanovi. Ligji për Këshill Gjyqësor i rikthehet Pendarovskit

Kuvendi miratoi ligjet e refuzuara nga Ivanovi. Ligji për Këshill Gjyqësor i rikthehet Pendarovskit

Kuvendi për herë të tretë ka miratuar disa ligje të cilat ish presidenti, Gjorge Ivanov, refuzoi t’i nënshkruajë.

Me 77 vota për dhe asnjë kundër, kaloi Ligji për këshillin gjyqësor. Dy ligjet tjera reformatore që u votuan ishin Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik si dhe Ligji për mbikëqyrje inspektuese.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, duke u thirrur në kushtetutë, tha se ligjet i rivotojnë duke siguruar shumicën prej 61 votash, me qëllim që presidenti të jetë i detyruar t’i votojë ato pa vendosur kurrfarë veto.

“Deri më tani i jemi përmbajtur praktikës që ligjet që rivotohen të votohen me 61 vota për faktin që sipas kushtetutës në atë rast kryetari i shtetit është i obliguar të nënshkruajë dekretin edhe pse ish kryetari ka refuzuar të nënshkruajë dekretin konform obligimit kushtetues. Kjo nuk do të thotë se në rivotim ligji patjetër duhet t’i ketë 61 vota. Në rivotim mund të miratohet ligji edhe me shumicë më pak se 61 vota, por kjo nënkupton që kryetari i shtetit mund të vendosë të ketë veto”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Kuvendi gjithashtu miratoi ligjet për ndërprerjen e shtatzënisë, Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, Ligjin për marrëdhënie pune, si dhe ligjet nga sfera e financave, armatës, kulturës dhe energjetikës.

Me miratimin e këtyre ligjeve, presidenti është i obliguar t’i nënshkruajë ligjet që më pas të njëjtat të publikohen në Gazetën Zyrtare.

Presidenti i porsaemëruar, Stevo Pendarovski, me marrjen e detyrës është zotuar se gjënë e parë që do të bëjë është të nënshkruajë ligjet që paraardhësi i tij me muaj të tërë kishte refuzuar t’i dekretojë, pasi kanë mbajtur emrin e ri të shtetit.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 16, 2019 19:10
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.