Ligji për PSP-në, ASh: Kërkohet të zbehet roli i PSP-së

Ligji për PSP-në, ASh: Kërkohet të zbehet roli i PSP-së

Aleanca për Shqiptarët konsideron se Prokuroria Speciale Publike duhet të vazhdojë me mandatin dhe rolin për të cilin është themeluar. Nga kjo parti kërkojnë të kyçen në bisedime, pasi që është i nevojshëm konsensus politik dhe etnik.

“Sipas këtij ligji, tentohet të zbehet në shuarje roli i PSP-së. Pra, PSP ka mandat të kufizuar në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme t’i çojë lëndët deri në fund, të cilat ka arritur t’i procesuojë deri në afatin ligjor. Vetë fakti që prokuroria për ata 18 muaj nuk ka arritur që as 5% të lëndëve të veta me interes për opinionin publik t’i zbardh dhe t’i çojë në gjykatë, ne vlerësojmë se PSP duhet të vazhdojë mandatin ashtu dhe për ato qëllime që ishte themeluar, për këtë nevojitet një konsensus më i gjerë edhe politik, edhe etnik, dhe si opozitë kërkojmë të kyçemi në këto bisedime”,- deklaroi Syrija Rashiti nga ASh.

BESA: NEVOJITET ANALIZË PËR PUNËN E PSP-SË

Nga Lëvizja Besa kërkojnë një analizë për punën e PSP-së dhe më pas t’i jepet rrugëzgjidhje këtij institucioni. Nga kjo parti thonë se ky institucion nuk ka përmbushur misionin që e kishte teksa nuk përjashton mundësinë e intervenimit me amendamente për ta përmirësuar propozim-tekstin e ligjit.

“Versioni që është dërguar te ne, e kemi, do e shohim kur të hyjë në procedurë parlamentare, të shohim cila është arsyeshmëria me çka e arsyeton qeveria propozimin e vet. Nëse vlerësojmë se mund ta përmirësojmë propozim ligjin, do të intervenojmë përmes amendamenteve, por ajo që është një vlerësim i përgjithshëm, PSP a e realizoi misionin e vet dhe përmes inkorporimit të saj në Prokurorinë Publike apo vetëm fshihet një e vërtetë e hidhur të cilën ky institucion e ka përçuar gjatë punës së saj ose mund të ketë shpresë se do të realizohet misioni i saj”,- theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Propozim ligji që është miratuar në qeveri, tashmë është dorëzuar në Kuvend.(TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 19, 2019 19:20
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.