Limaj: S`ka marrëveshje me Serbi pa qartësimin e fatit të të pagjeturve

Limaj: S`ka marrëveshje me Serbi pa qartësimin e fatit të të pagjeturve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se në takim me Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, Shoqatat e të Pagjeturve dhe familjarë të të pagjeturve, i ka siguruar ata se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa e qartësuar zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

“Çështja e të pagjeturve nuk përfundon vetëm me identifikimin e personave të pagjetur, por duhet hetim dhe ndëshkim ligjor për atë që ka ndodhur në kohën e luftës”, ka theksuar Limaj.

Njoftimi i plotë i Limajt:

Kosova përfundimisht me shumë seriozitet i është qasur çështjes së të pagjeturve. Në takim me Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, Shoqatat e të Pagjeturve dhe familjarë të të pagjeturve i informova se në Platformën për Bisedime me Serbinë një nga temat kryesore është çështja e të pagjeturve.

I sigurova ata se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa e qartësuar zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

Pozicioni ynë tanimë është i qartë – Kosova nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Serbinë nëse brenda saj nuk është e saktësuar çështja e të pagjturve.

Serbia duhet t’i hapë të gjithë arkivat shtetërorë të ushtrisë e policisë e shërbimeve sekrete. Ne besojmë fort që shteti serbe e di mirë, i ka dosjet dhe informacionet e sakta për fatin e njerëzve tanë dhe ato duhet t’ia japë në dispozicion Kosovës dhe ata duhet të marrin përgjegjësi.

Çështja e të pagjeturve nuk përfundon vetëm me identifikimin e personave të pagjetur, por duhet hetim dhe ndëshkim ligjor për atë që ka ndodhur në kohën e luftës. FL

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 21:00
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.