Listat e hapura, mundësi për Parlament më kualitativ

Listat e hapura, mundësi për Parlament më kualitativ

Kryeministri i vendit Zoran Zaev së bashku me ambasadoren e Zvicrës në vendin tonë, gjatë një konferencë për shtyp pranë qeverisë ilustroi reformën zgjedhore që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme.

Ai tha se reforma zgjedhore është një prioritet i qeverisë për të siguruar zgjedhjet të drejta dhe të ndershme, ndërsa do të ketë edhe një informim më të mirë të qytetarëve në këto zgjedhje.

“Do të reformojmë kodin zgjedhor me principet demokratike ndërsa qeveria e Zvicrës do të japë mbështetjen e kësaj reforme. E gjithë reforma do të jetë demokratike dhe kredibile. Reforma do të bëhet me të gjitha institucionet për të arritur një reformë gjithëpërfshirëse dhe konkrete. Do të bëjmë maksimumin për të arritur një reformë zgjedhore- tha Zaev.

Vetëm 6 muaj para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, mbetet e pa qartë nëse partitë politike do të arrijnë ujdi që këto zgjedhje, nëse do të zhvillohen sipas modelit të deritashëm me 6 njësi zgjedhore apo do të ndryshohet Kodi Zgjedhor, për një njësi zgjedhore me lista të hapura.

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar dallimet mes partive politike, vlerësojnë se shumë vështirë të arrihet marrëveshje që të pësojë ndryshime Kodi Zgjedhor. Megjithëkëtë, ata shtojnë se listat e hapura mundësojnë ngritjen e cilësisë së debateve në institucionin ligjvënës dhe ngritin në masë të theksuar përgjegjësinë e deputetëve ndaj elektoratit, ndonëse me këtë humbet pesha e liderit të partive politike.

Subhi Jakupi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për Radion Evropa e Lirë, thotë se garimi me lista të hapura në një mënyrë vendos në peshore rolin që ka çdo zyrtar i partisë, sepse votuesi me votën e tij saktë do të tregojë sa peshon çdo politikan me idetë dhe angazhimin e tij për realizimin e kërkesave të elektoratit.

Jakupi vlerëson se listat e hapura do të mundësojnë dhe demokratizimin e vetë partive politike.

“Në bazë të analizave që unë kam bërë rreth çështjes së listave të hapura, mund të jap një të dhënë se nga 28 vende anëtarë të BE-së vetëm në tre apo katër shtete në zgjedhje garohet me lista të mbyllura, ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera garohet me lista të hapura”.

“Kështu që, çështja e listave të hapura është një proces zgjedhor që kontribuon edhe në demokratizimin e partive politike, por njëkohësisht ngre dhe kualitetin e mandatarëve që përfaqësohen në institucionin më të lartë ligjvënës”, thekson Jakupi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Marko Troshanovski thotë se listat e hapura u mundësojnë qytetarëve që në formë të drejtpërdrejtë të zgjedhin se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë në institucionin ligjvënës.

Kjo është një nga vlerat më të mira demokratike që mund ta ketë një sistem zgjedhor në një shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Do të thotë se, listat e hapura krijojnë mundësi që qytetarët do të mund të votojnë për ata kandidatë që kanë pasur performancë më të mirë ose do të kenë performancë më të mirë për të shprehur interesat e tyre dhe jo siç është deri më tani që qytetarëve u ofrohen lista të mbyllura. Ndërkaq, në Parlament qytetarët i përfaqësojnë ata që të parët janë ranguar, përkatësisht ata, për të cilët ka vendosur Kryesia e partisë apo vetë kryetari i partisë. Prej këtu këta deputetë më shumë janë lojalë ndaj qëndrimeve të partisë, sesa ndaj kërkesave të qytetarëve”, vlerëson Troshanovski.

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, e cila drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është shprehur për aplikimin e listave të hapura, por me një njësi zgjedhore, gjë për çka ishin zotuar edhe në zgjedhjet e kaluara duke e vendosur këtë si premtim zgjedhor.

Ndërkaq, VMRO DPMNE-ja kërkon model shumice me 120 njësi zgjedhore, sepse, sipas saj, një njësi zgjedhore me lista të hapura do t’i lërë pa përfaqësues zonat e thella të vendit që nuk kanë aq shumë qasje në media.

Për modelin e një njësie zgjedhore, më të zëshme janë partitë e vogla, sepse modeli me një njësi zgjedhore, rrit shanset që të bëhen pjesë e institucionit ligjvënës pa qenë të detyruara të bëjnë koalicione me partitë më të mëdha.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, mbështet modeli aktual me gjashtë njësi zgjedhore, ndërkohë që është shprehur se mbetet e hapur për të diskutuar rreth listave të hapura.

Ndërkaq, dy partitë e tjera në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, janë shprehur se janë për lista të hapura sipas modelit me 8 njësi zgjedhore preferon Aleanca, përkatësisht 3 Lëvizja Besa.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 25, 2019 12:03

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.