Lok Llakavica i Maqedonisë shqiptare, portreti i luftëtarit besnik për Shqipërinë etnike!

Lok Llakavica i Maqedonisë shqiptare, portreti i luftëtarit besnik për Shqipërinë etnike!

Maqedonia shqiptare, kjo trevë martire e Shqipërisë lindore, ka mbijetuar përmes luftërash dhe dramash të mëdha. Kjo mbijetesë është bërë e mundur, në mënyrë të veçantë prej burrave dhe maleve të saj.

Vështirë edhe sot të përcaktosh se ku mbaron madhështia e malit dhe ku fillon ajo e burrit, ku qëndresa e burrit dallon nga ajo e malit. Vështirë edhe sot të përcaktosh me saktësi se ku ranë më tepër fatet e Maqedonisë shqiptare, mbi supe burrash apo supe malesh. Një kontinuitet i përjetshëm i qëndresës, ka mbajtur kurdoherë të ndezur shqiptarizmin e këtyre burrave ku padyshim Lok Llakavica ka vendin e vet të merituar.

Nga cila trevë e Maqedonisë shqiptare, vjen komandat Lok Llakavica, trimi i etur për dije

Lindi në fshatin Llakavicë të Gostivarit në vitin 1898. Fëmijëria e Lokës rodhi përmes vuajtjesh e gëzimesh, ashtu sikundër krejt fëmijëria e shqiptarëve të atyre trevave, të okupuara nga hordhit osmane. Në moshën e shkollës, në vitet 1906-1907 në krejt Maqedoninë shqiptare patën filluar përpjekjet për organizimin e komiteteve të fshehta sipas porosive të Komitetit të Manastirit. Por, për shkollë shqipe ishte ene herët të flitej, sidomos në Llakavicë. Atëherë i jati i Lokës duke dashur që i biri të mos mbetej maleve me bagëti, e çonte tek disa miq të tij në qytet, Gostivar, ku fshehtas këtu merr mësime fetare dhe mëson të shkruaj gjuhën e bukur shqipe. Më tej, në vitet 1909-1912 ai do të vazhdonte studimet në shkollën qytetit duke mësuar tanimë jo vetëm shkrimin e gjuhës shqipe, por sidomos edhe historinë e viseve arbërore të okupuar për shekuj me radhë prej hordhive të gjysëmhënës turke. Por dëshira e etshme e djaloshit nga Llakavica, për t’u shkolluar më tej në Shkup, do të pritej në mes. Ngjarjet tragjike të vitit 1913, ajo dramë ngjethëse që vazhdon deri në ditët e këtij milleniumi të ri, do të ndante në mënyrë më barbare vëllaun prej vëllaut, nënën prej birit, gjakun prej gjakut. Mbretëria e serbëve-kroatëve dhe sllovenëve, nën udhëheqjen dhe diktatin e egër të mbretit Aleksandër Karagjorgjeviqit, jo vetëm që do të ushtronte një dhunë sistematike mbi shqiptarët etnikë të mbetur jashtë kufijve politike, por edhe do të bënte çmos për të zhdukur fizikisht racën tonë. Në këto kushte as që bëhej fjalë për shkolla në gjuhën shqipe ndaj dhe 15 vjeçari Lok Llakavica tanimë i menduar dhe me vështrim të mprehtë u kthye në vatrën familjare. Punët e krahut, por edhe mbajtja e bagëtive do ta shoqëronin vite me radhë Lokën, i cili ndonëse i ri në moshë, dallohej kurdoherë për veprime të pjekura e fjalë të matura në kuvendet e odave të burrave të Llakavicës.

Oficeri pro-perendimorë i asaj kohe, Lok Llakavica

Në fillim të viteve njëzetë të shekullit që lamë pas, veçanërisht me vendosjen e Ahmet Zogut si kryeministër i Shqipërisë, pati nisur një reformë shumpalëshe sidomos në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Burri i Matit nuk vonoi të marrë dhe të vendosë në krye të xhandarmërisë shqiptare, oficerë anglez, me përvojë në këtë drejtim, duke dashur ta orientoj këtë armatë, ashtu sikundër gjithë Shqipërinë, drejt Evropës perëndimore. Pikërisht me nismën e këtyre misionarëve ushtark anglez u çel në Tiranë dhe shkolla e plotsimit të oficerëve, e cila në vetvete synonte pikërisht përgaditjen e kuadrove shqiptare sa më të aftë për të drejtuar më tej repartet e xhandarmërisë. Në vitet 1923-1924, Lok Llakavica thirret në këtë shkollë, falë edhe predispozicionin të kryeministrit shqiptar Ahmet Zogut, për të shkolluar sa më shumë bij të Shqipërisë Etnike që nga Mali i Zi e deri në Çamëri. Pas mbarimit të kësaj shkolle, Loka merr emërim dhe nis punën në efektivat e xhandarmërisë shqiptar. Truplartë me sytë e menduar dhe vështrimin kurdoherë krenar, biri i Llakavicës do të shërbente në radhët e xhandarmërisë shqiptare kurdoherë me devocion e ndershmëri, sidomos në trevat e veriut të shtetit amë. Gjatë gjithë kësaj kohe ai do të ndihej kurdoherë si bir i Maqedonisë shqiptare, ndaj në çdo rast, interesohej tejet i sinqertë për ato treva, tashmë falë burrërisë të tregaur të tij, jo rallë në kufijtë brenda shtetit amë, do të shkonin e do të gjenin strehë mjaft prej kaçakëve të njohur të Maqedonisë shqiptare dhe sidomos Demir Llakavica, vëllai i tij i gjakut dhe i vendlindjes. Kaçakët e trevave etnike shqiptare, shihnin në personalitetin e Lok Llakavicës, jo vetëm strehuesin e sigurtë e vëllaun besnik por edhe burrin e pjekur, i cili nuk kursente asgjë për lirinë e Maqedonisë shqiptare.

Loka i Maqedonisë shqiptare vazhdon studimet në Itali

Edhe kur në mesin e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, Loka shkoi në Itali për studime ushtarake, ai nuk do të hiqte vështrimin prej Llakavice. Ai do t’i ruante kurdoherë të gjalla kujtimet e atyre viseve dhe fytyrat e dashura që i donte. Është kjo arsyeja që në prillin e vitit 1939, pas asaj rezistence ushtarake ndaj okupatorit italian, Loka kthehet në vendlindjen e vet, në Llakavicë, duke flakur tej gradat dhe ofiqet e ofruara nga pushtuesi.

Kryeplak i fshatit të vetë edhe pse shumë më i ri se burrat tjerë të fshatit

Falë reputacionit që gëzonte, në vitin 1940, Loka zgjidhet si kryeplak në katundin e vet, në Llakavicë. E vërteta është se atëherë në këtë katund, ka pasur burra edhe më të shtyer në moshë dhe që i dinin hallet e popullit, por ata zgjodhën Lokën edhe për trimërinë dhe guximin e treguar në prill të vitit 1941 pas shkatërimit të plotë të ushtrisë jugosllave me ndërhyrjen e drejtëpërsëdrejti të qeverisë shqiptare të asaj kohe, u krijua Komisariati i lartë për Kosovë, Dibër dhe Strugë me seli në Prizren. Vetë prefektura e Dibrës, të Rodostushës, të Gostivarit, të Tetovës dhe të Strugës. Lok Llakavica falë shkollimit dhe disiplinës ushtarke në rolin e kryeplakut u përpoq të siguronte së pari qetësinë në katundin e vet.

Që para para 77 vitesh hap shkollën shqipe në fshat dhe mbanë flamurin kombëtarë në zyrën e tij

Në zyrën e tij në Llakavicë, valëvitej tanimë flamuri ynë kombëtar dhe me përkrahjen e Komisariatit të Lartë Civil u ngrit edhe shkolla në gjuhën shqipe. Mësuesi i fshatit erdhi posaçërisht nga Korça e shtetit amë, dhe ai gjeti jo vetëm përkrahjen morale të Lok Llakavicës por për muaj të tërë u strehua dhe u prit bujarisht në shtëpinë e kryeplakut. Lidhur me këtë gjendje jo vetëm në Llakavicë por në shumë vise të Maqedonisë shqiptare në fillim vitin 1943, përfaqsuesi i Shtabit Suprem të Jugosllavisë për Kosovë e Maqedoni, Tempo, do të deklaronte pos të tjerave në Tetovë: „Gjëndja e popullsisë shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht me bashkimin e tyre me Shqipërinë. Pushteti në fshatrat dhe qytetet gjëndet në duart e shqiptarëve. Gjuha shqipe flitet lirisht nëpër shkolla, nëpër organe kompetente, në rrugë… ç’është e vërteta, pushteti gjendet në duart e okupatorit italian, por kjo nuk vlen shumë për popullin i cili sheh se bëhen çdo ditë ndryshime të mëdha lidhur me Jugosllavinë e Vjetër – atëherë ishin pa të drejta kurse tani kanë pushtetin. Kjo do të thotë se është vështirë të ngrihet populli, të luftojë për ndryshim të gjendjes, ai në të vërtetë tremet se mos rikthehet gjendja e cila egzistonte në Jugosllavinë e Vjetër, që do të lërë përsëri pa të drejta… Tash për tash ne duhet t’i largohemi konfliktit me shqiptarët, t’i sulmojmë okupatorët italian dhe sigurisht të mbrohemi nëse na sulmojnë forcat shqiptare“. (S.V.Tempo „Revolucija koja teçe „ vëll II, Beograd 1982 , faqe 453 ).

Trimi që parashihte edhe rreziqet për tokat shqiptare

Lok Llakavica ndërkaq parasheh rreziqet e afërme që mund t’u vinin kufijve etnike shqiptare. Ai ka kuptuar gjithashtu me intuitën e tij prej ushtaraku të sprovuar se parullat e nacionalçlirimtarëve për vëllezërim midis popujve ballkanikë, s’ishin gjë tjetër veç përalla për të mbuluar politikat shovene sllavomaqedonase, në dëm të kufijve etnike shqiptare. Është kjo arsyeja që në takimin e kërkuar prej Tom Gjelës (Shumski) dhe Amdi Demën, udhëheqës të aradhave partizane, Loka nuk mund t’i fshehë shqetsimet e veta. Ai pranon si edhe dhjtera nacionalistë të tjerë të Maqedonisë shqiptare që të luftojë okupatorin italian, por askurrë nën urdhërat e Beogradit dhe për më tej i udhëhequr nga komunistët sllavomaqedonas. Burrat që ndodheshin në këtë takim, në malin Smilojcë, fole e trimave të kahershëm të Llakavicës, mbajnë mend ato fjalë të pakta dhe të urta të Lokës; “Na duhet me luftue për kullta e fmijt tanë. Beogradi deri më tash na ka djeg e pre,tash kërkoka edhe me na tërhjek prej hunde. Po mvjen ligsht për ju Tom e Amdi”.

Lok Llakavica, strehues i Xhemës në Koshare

Në pranverën e vitit 1942, Lok Llakavica dhe Merë Sërmnova, me këmbënguljen e këtij të fundit, bujtin një natë në Simnicë, në shtëpinë e Xhem Simnicës (Gostivarit). Aty pas kuvendesh të ndryshëm, Xhema i bën me dije miqtë se në burgun e qytetit të Gostivarit janë me dhjetra trima, të cilët janë burgosur vetëm e vetëm pse patën pritur me pushkë okupatorin italian. Xhem Gostivari asaj kohe ishte caktuar nga komanda italiane dhe pushteti vendor si përgjegjës i rojeve të burgut. Me këtë rast ai kërkonte dhe ndihmën e Lokës e Merës duke njohur burrërinë e tyre. Pasi kuvenduan gjatë burrat u ndanë. Dy ditë më pas, Xhem Gostivari e çeli burgun nga ku dualën qindra trima të Maqedonisë shqiptare. Ai vetë, së bashku me Bajram Dobërdollin, Shefqet Preshevën dhe Hajvaz Kalishtin, ngase ndiqeshin nga komanda e lartë italiane, u strehua në stanet e Kosharës, vend i cili ruhej prej trimave të Lok Llakavicës. Deri në gushtin e vitit 1942, këta nacionalistë jo vetëm u strehuan por edhe organizuan, nën kujdesin e drejtëpërsëdrejtë të burrit të Llakavicës. Fillimi i vitit 1943, përkon gjithashtu me organizimin më të plotë të ushtrisë së Ballit Kombëtar në Maqedoninë shqiptare. Duke marrë porosi dhe udhëzime nga Qarkori i Ballit Kombëtar në Tiranë, shtabi luftarak me qendër në Gostivar, arriti të organizonte një ushtri me tipare sa më nacionaliste dhe demokratike dhe aspak „bashibozuke“ siç është rrekur ta paraqesë historiografia mjerane komuniste shqiptarosllavomaqedonase. Mjafton të sjellim në këto radhë vetëm një fakt. Pasi në dy-tri raste pati shqiptarë që maltretuan maqedonas, me porosi të Lok Llakavicës dhe Xhem Gostivarit, në disa fshatra maqedonase u vendosën roje shqiptare prej formacioneve të Ballit Kombëtar. Këta ishin përgjegjës me jetën e tyre, nëse ndonjë maqedonasi do t’i ndodhte diçka. Dy muaj pasi Lok Llakavica, pati vendosur dy ushtarë të tillë, në fshatin Kunovë, banorët maqedonas të këtij fshati, në shenjë respekti, porositën djemtë e tyre të largohen prej aradhave partizane sllavomaqedonase, të cilat tanimë po dilnin hapur kundër nacionalizmit të ndershëm shqiptar. Për më tej pas luftimeve të ashpra që çeta e Lokës, kreu kundër okupatorit italian në verën e vitit 1943, emri i burrit të Llakavicës përcillej me respekt në krejt viset e Maqedonisë shqiptare. “Në vitin 1943 aradhat e ushtrisë së Ballit Kombëtar u përforcuan me ushtarë të rinj. Në radhët e ushtarëve të komanduar nga Loka u gjendën edhe forca të tejra, të ardhura nga fshatrat e Malit të Thatë, Sermnovës, Tërnovës, Padalishtit, Qafës, Turçanit të Madh dhe Tuçanit të Vogël. Të gjitha këto njësi në mënyrë operative i kontrollonte Lok Llakavica, i cili merrte detyra operative ushtarake nga komanda qëndrore“. ( N. Selimi „dëshmitë e gjalla „ – Shkup 1998 , faqe 47 – 48 ).

Mbrojtësi i Gostivarit me rrethinë

Ndonëse në vitin 1943, Lok Llakavica ishte caktuar nga administrata e qytetit të Gostivarit, si përgjegjës për mbrojtje civile të Gostivarit e rrethinave, ai do të shërbente si udhëheqës i vendosur i formacioneve të Ballit Kombëtar. Në krye të këtyre çetave, Loka nuk do të nxiste askurrë luftë vëllavrasëse, përkundrazi do e shuante atë, duke mbajtur kurdoherë qëndrim të prerë si ndaj bashkëkombasve të vet, ashtu edhe ndaj popullsisë sllavomaqedonase. Në bashkëpunim të ngushtë me Aqif Reçanin, Xhem Gostivarin, Mefail Zajazin, Bajram Dobërdollin etj, trimi i Lakavicës do të kryente pos të tejrave një varg betejash kundër forcate bullgare në vjeshtën e vitit 1943, në rastin e kapitullimit të ushtrisë italiane. Janë padyshim me dhjetra fshtra etnike shqiptare, të cilët nuk ranë në duart e fashistëve bullgaromëdhenj, vetëm e vetëm falë trimërisë së çetave nacionaliste të Maqedonisë shqiptare. Për më tej, kur e deshi nevoja, me dhjetra prej ushtarëve të Ballit Kombëtar, nën udhëheqjen e Lok Llakavicës, dhanë deri jetën e tyre kundër shovenëve bullgar, në vise të Strugës dhe Mavrovës. Ndërkaq Beogradi dhe Shkupi ndiheshin si mos më keq kur shihnin organizimin e çetave nacionaliste shqiptare. Këta, me ndihmën e misionarëve ushtarak në Tiranë, patën filluar në shtetin amë luftën vëllavrasëse, ndërsa në treavt e Maqedonisë shqiptare, ende ishin të pafuqishëm për të vepruar. Sidoqoftë, ata do të nisnin edhe këtu veprimtarinë propagandistike për ta shndrruar më pas këtë veprimtari, në dhunë sitematike terroriste sipas modeleve bolshevike. Kështu, në proklamatën e korrikut të vitit 1943, Komiteti i parë Rajonal i Partisë Komuniste të Maqedonisë, u drejtohej shqiptarëve nga Pollogu, Dibra Kërçova dhe Struga, pos të tjerave me thirrjen abusive se: “Fashistët mundohen ta qetsojnë popullin që t’i dorzojë armët, por, kur këtë nuk mund ta arrijë, tentojnë ta fusin popullin në luftë vëllavrsëse. Ata insistojnë që të krijojnë luftë mes shqiptarëve në Shqipëri, duke zhvilluar urrejtjen midis toskëve dhe gegëve, ndërsa tek ne, midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Dhe në fund, fshistët mendojnë të formojnë xhandarmërinë dhe ushtri shqiptare. Për këtë qëllim u ndihmojnë shumë tradhëtarët e popullit shqiptar me në krye Mustafa Krujën dhe Kolë Bibën, të cilët thonë se xhandarmëria dhe ushtria do të jenë shumë të nevojshme gjatë luftës, për mbrojtjen nga rreziku i serbëve dhe grekërve… Maqedonas dhe Shqiptarë ! Mos i lëshoni djemtë tuaj në të quajturën xhandarmëri dhe ushtri shqiptare, meqë ajo formohet për luftë kundër popullit vëlla shqiptar… dhe jo për mbrojtjen nga rreziku i serbëve dhe grekërve. Nga një rrezik i këtillë dhe në përgjithsi nga çdo imperializëm na sigurojnë partizanët tanë, të cilët, së bashku me aleatët tanë të mëdhenj… do ta zhdukin fashizmin, ndërsa ne do të na sjellin lirinë dhe barazinë”. (Arkivi i Maqedonisë f.Nov. libri 10, ark. nr. 608).

Lok Llakavica, mbrojtësi i kufijve tenik të shtetit amë

Është lehtësisht e kuptueshme për gjithkënd se koha që rodhi më pas provoi përallat e proklamatave të tilla abuzive, ashtu sikundër vërtetoi thëniet e “tradhëtarvë” shqiptarë për formimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, me ç’rast mund të mbroheshin kufijtë tanë etnikë. Lok Llakavica, pa më të voglën mëdyshje, u radhit në krahun e burrave nacionalistë pse parashihte ditë të tjera zie për Maqedoninë shqiptare, anipse përrallat e sheqerosura të internacionalizmit proletar mund të vinin në gjumë ndokënd. Në janarin e vitit 1944 në bashkëpunim të ngushtë sidomos me prefektin e Gostivarit Kadri Saliun, me atë të Tetovës, Xhevat Kallajxhiun, si edhe me një varg burrash të shquar e udhëheqës të çetave nazionaliste, trimi i Llakavicës ka mundur të organizoj rreth 10-12 mijë vetë, të cilët me një komandë janë në gjendje të luftojnë për ditë e netë të tëra. Ndërkaq janë vendosur forca ushtarake të përhershme në kufijtë etnike shqiptare të vendosur deri në fund për mbrojtjen e tyre. Por në verën e vitit 1944 ngjarjet po ridhnin ndryshe. Tërheqja e ushtrive të RAIHUT TË TRETË drejt lindjes po u jepte mundësi bollshevikëve të Ballkanit, të fitonin territori të tëra, pa zbrazur asnjë pushkë kundër forcate ushtarake germane. Për më tej, bollshevikët në shtetin amë, Shqipëri, kishin futur popullin në vëllavrasje, të udhëhequr nga motoja “Kush nuk radhitet me nacionalçlirimtarët është armiku i tyre”. Në trevat e Maqedonisë shqiptare komunistët sllavomaqedonas dhe ata të ardhur nga shteti amë, u përpoqën me çdo mjet që të ulnin flamurin tonë kombëtar nga këto beteja për të ngritur atë jugosllav. Qëllimi i tyre në çdo rast ishte që pas largimit të trupave gjermane këto vise arbërore t’i bashkangjiteshin prapë jugosllavisë pasi “ajo i pati çliruar”. Por, në këtë grackë nuk ranë askurrë krerët e nacionalizmit të Maqedonisë shqiptare, përkundrazi ata i bënë me dije nacionalçlirimtarët shqiptarë e sllavomaqedonas se diçka e tillë nëse përsëritej do të ndahej vetëm përmes grykës së pushkës. Në kujtimet e veta lidhur me këtë fakt, njëri prej luftëtarëve të atyre viteve, në kujtimet e veta shprehet saktësisht: “Tër brengosur nga situata e krijuar, Xhema me shtabin e vet, ku merrte pjesë edhe komandanti ynë Lok Llakavica, mbajti një mbledhje në prefekturën e Gostivarit, në të cilën u shqyrtua situata e krijuar. Në këtë mbledhje ku mori pjesë edhe Sali Kadriu, krytar i bashkisë së Gostivarit u mor vendim për veprimtarinë e mëtejshme të ushtrisë së Ballit Kombëtar. Me vendimet e kësaj mbledhjeje neve na informoi komandanti ynë Lok Llakavica, i cili na tha se prej këtij momenti do të luftojmë kundër çdokujt që i rrezikon interesat tona kombëtare. Kjo ishte një herë e përgjothmonë ndarja në mes të atyre që luftonin për çështjen kombëtare dhe atyre që i thyenin kryqat. Më kujtohet kur foli Loka. ”Unë kam 45 vjet. Luftoj për bashkimin e trojeve tona etnike me shtetin amë, Shqipërinë”. (N. Selimi “Dëshmitë e gjalla “ – Shkup 1998 , faqe 49 – 50). Në dhjetorin e egër të vitit 1944 ,kundër çetës së Lok Llakavicës, ashtu si kundër dhe çetave të drejtuara prej dhjetra nacionalistëve të tjerë të Maqedonisë shqiptare, u derdhën si lukuni ujqish me mijëra forca të suhtrisë së rregullt serbo-sllavomaqedonase e bollshevikëve shqiptarë. Pas betejave të lavdishme në Vërtok, Raven, Bukoviq e Kalisht, kjo çetë pati fituar një emër mjaft të mirë. Miqtë e Lokës, burra të tillë trima nga Llakavica, si: Tosun Miniri, Abaz Abazi, Hakik Hasani, Durmish Miniri, Nishar Ejupi etj, e ndoqën kapedanin e tyre cep më cep të Maqedonisë shqiptare, duke u endur përmes pritave dhe duke dalë kurdoherë fitimtarë.

Kapiteni i Ballit Kombëtar lufton për Shqipërinë etnike deri në rënien në mejdanin e nderit

Kështu, për të ardhur në fundshkurtin e vitit 1945, një natë të mbuluar nga bora dhe tufanet, Loka me dy-tre besnikë të vetë, mbrrinë në shtëpinë e Sadik Kalishit. OZNMA famkeqe ka pikasur veprimin e guerilasve shqiptar dhe ka pritur mëngjesin duke rrethuar krejt fshatin Kalisht gjatë natës. Pa ague mirë, Lok Llakavica është çuar dhe ka parandjerë rrethimin, Ai u ka dhenë udhëzime të prerë shokëve dhe vetë i pari ka çarrë rrethimin me bomba dore e automatik duke vrarë katër ushtarë të OZNË-s dhe plagosur shumë prej tyre. Pas dy ditë luftimesh të ashpra ai ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar, por në shtetin amë, mjerisht, OZNA jugosllave pat gejtur mbështetje tek ministri i brendshëm i asaj kohe Haxhi Lleshi, familja e të cilit tradicionalisht kishte qenë e lidhur me Beogradin. Në këto kushte, kur po kthehej përsëri në vendlindjen e vet, në mesin e majit 1945, në vendin e quajtur Katër Majat, i rrethuar mes qindra sllavomaqedonasve komunist, kapiteni i Ballit Kombëtar, Lok Llakavica, lufton duke rënë në mejdanin e nderit. Ende sot të shtënat e luftëtarëve për çlirimin e Maqedonisë shqiptare, përzihen me gjëmimin e largët të pushkës së Lok Llakavicës.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 29, 2018 23:01

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
1°
0°
Mon
-4°
Tue
-1°
Wed

ARKIVI I LAJMEVE