Lotë për t’u bërë ai… që je

Lotë për t’u bërë ai… që je

Shënime për romanin “Kur qau Niçja”, Irvin D. Yalom, përkthyer nga Lira Sejdini Vaid

Çfarë humbasim kur nuk duam të pranojmë hendekun mes asaj që jemi dhe asaj që kemi dashur të jemi? A mund të bëhemi ai/ajo që jemi nëse nuk arrijmë t’ia pohojmë vetes sonë atë që na ka tronditur më shumë se gjithçka, që na ka lënë pa gjumë apo që na ka shtyrë të meditojmë gjatë? Irvin D. Yalom, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, tanimë në rolin e shkrimtarit, ka shfrytëzuar emra sugjestionues për të ngritur pikëpyetje të rëndësishme për çfarë mund ta në tërheqë në udhën për të fituar veten, e për t’i dhënë asaj kuptim. Niçe, Frojdi, dhe profesori i këtij të fundit, Brojeri, e shumë bashkëkohës të tyre, janë emra të cilët të ngjallin kërshërinë të ndjekësh rrëfimin edhe atëherë kur je paralajmëruar se kemi të bëjmë me një trill.

Yalom ngre me kujdes pyetje, të cilat, nga përgjigjet që kërkojnë, mund të kenë vendime të pakthyeshme për jetët tona. Padyshim, mosleximi nga ana jonë e përditshmërisë sonë, e hapave që kemi hedhur, e mundësive që kemi përpara, rrezikon të na vërë përballë dilemës: Mos duhet ta braktisim përditshmërinë që na ka zënë si në çark?  E pastaj, duket se vjen edhe një tjetër pyetje: A është braktisja e realitetit zgjidhje për atë që nuk e kemi arritur?

Përballë asaj që kemi dhe asaj që ëndërrojmë, vjen “dueli psikologjik” mes Brojerit, mjekut të famshëm të Vjenës të fundshekullit XIX dhe Niçes, filozofit që e di që shkruan për të ardhmen. Yalom ka arritur të ndërtojë dialogë mjaft intensivë mes psikoanalistit dhe filozofit, duke tentuar të zbulojë atë çfarë sot përdor psikoterapia moderne. Gjithçka shkon në rrugën e pranimit të asaj që Niçja përsërit: “Bëhu ai që je!”. Është fjali që vlen në përpjekje edhe për vetë atë që e ka thënë, sepse edhe ai, filozofi i së ardhmes, Niçja, ka nevojën që të pohojë dobësinë e tij për një femër që i ka tronditur gjithçka që ai beson se e zotëronte: Lu Salomeja!

Rrëfimi nis si një duel që vihet në lëvizje nga një sfidë e zonjushës 21 vjeçare, Lu Salomeja, e cila i kërkon doktor Brojerit të marrë përsipër shërimin e filozofit nga dëshpërimi – një dëshpërim për të cilën ajo beson se është shkaku. Një sfidë ku psikanalisti përfshin vetveten, marrëdhëniet me të shoqen dhe miket e tij, duke na dhënë përmes dialogëve me Niçen dhe diskutimeve me Zigmund Frojdin, pikërisht pushtetin e pallogaritshëm të së pandërgjegjshmes sonë dhe fillimet e një debati ku psikoterapia do të kërkojë vendin e vet në mjekësi.

….Sensualiteti, trupi i një gruaje, më duket kulmi i shpërqendrimit, një barrierë ndërmjet meje dhe misionit tim në jetë. Por Lu Salomeja ishte ndryshe, ose unë të paktën mendoja kështu. Megjithëse ishte shumë e bukur, ajo dukej edhe një shpirt binjak, truri im binjak. Ajo më kuptonte, më tregonte drejtime të reja, maja marramendëse, të cilat nuk kisha guxuar t’i eksploroja më parë. Unë mendova që ajo do të ishte studentja ime, e mbrojtura ime, dishepullja ime. -Por më pas, katastrofa. Epshi im ngriti krye. Ajo e përdori atë, që të më kundërvinte me Pol Renë, mikun tim të ngushtë, i cili na kishte prezantuar fillimisht. Ajo më bëri të besoj, që unë isha burri i përcaktuar nga fati i saj, por kur unë i ofrova veten, ajo nuk më pranoi. Unë u tradhtova nga të gjithë: nga ajo, nga Reja, nga motra ime e cila u përpoq që ta shkatërronte marrëdhënien tonë. Tani çdo gjë është kthyer në hi, dhe unë tani jetoj larg çdo gjëje, që një herë e një kohë ishte e dashur për mua..”. (Irvin D. Yalom, “Kur qau Niçja, f.360).

Rrëfimi është një diskutim shumë tërheqës dhe intrigues, ku lexuesi mund të përfshihet përmes nevojës së tij për t’u shprehur për atë që s’ka mundur dot të thotë kurrë me zë të lartë, e sidomos për të gjetur bashkëbiseduesin të cilit mund t’i besojmë nga vetja jonë. Është një rrugë drejt lotit, si kufiri delikat i njeriut. Jo, loti nuk është dobësi, por është forca e pranimit të dobësive. Lotët mund të na çojnë drejt pranimit të mendimeve tona. E siç rrëfen Yalom, “Mendimet janë hijet e ndjenjave tona”.

Rrëfimi i Yalom, i kalon kufijtë e trillerit, teksa shihet edhe si një guidë debati për psikanalizën dhe filozofinë. Thuajse vjen si një rrugëtim për një lexim të Niçes, apo edhe Frojdit. Madje, duket edhe si fillimi i një beteje filozofike që nuk i dihet ende fundi. Dhe Yalom, me mjeshtërinë e rrëfimtarit, ka dhënë një prozë që bart nevojën e debateve të duhura, sidomos për ata që janë të apasionuar pas filozofimit.

“Ndonëse asnjë gur nuk mund të dëgjojë, as të shikojë, secili rënkon butësisht, që dikush t’i kujtojë” (Yalom , “Kur qau Niçja”)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 27, 2016 08:56

REKLAMA

PARTNER

Maqedoni
8°
19°
Thu
19°
Fri
19°
Sat

ARKIVI I LAJMEVE