Lumezi: Tribunali vështirë se do të formohet

Lumezi: Tribunali vështirë se do të formohet

Formimi i Tribunalit Ndërkombëtar për hetimin dhe gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, 20 vjet pas përfundim të luftës, po konsiderohet si i vështirë pë Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi në një intervistë për Ekonomia Online  nuk beson në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtarë, ide kjo e kreut të Kuvendit Kadri Veseli, që do të dënojë gjenocidin serb.

Krejt kjo sipas tij, ngase ka ekzistuar një gjykatë, ajo e Hagës, që është marrë me këtë krime. Ai thotë se do të ishte më mirë që të forcohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, por edhe institucionet e tjera.

“Mendoj që ka me qenë shumë vështirë të formohet një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e luftës të cilat kanë ndodhur në Kosovë sepse veç e kemi pas një Gjykatë Ndërkombëtare e cila ka funksioni dhe mendoj që ndoshta kishte me qenë më mirë që të forcohet institucioni i prokurorit të shtetit, por gjithashtu edhe institucionet tjera si Policia, Departamenti që merret me krimet e luftës, njësiti për krimet e luftës dhe që të kemi bashkëpunim ndërkombëtarë ndoshta edhe me shtetet e rajonit mund të na japin edhe prova edhe deklaratat e dëshmitarëve të cilët janë në ato shtete, por edhe të na ndihmojnë në arrestimin e personave të dyshuar dhe mendoj që me forcimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, mund të kemi efikasitet në zgjedhjen e këtyre rasteve të krimeve të luftës”.

Lumezi thotë se Prokuroria e Shtetit po punon në ndjekjen dhe hetimin e atyre të cilët kanë kryer krime. Sipas Lumezit, për të rënë në gjurmët e këtyre personave, Prokurorisë së Kosovës i duhet edhe ndihma e shteteve të tjera.

“Ne e kemi departamentin për krimet e luftës i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe aty i kemi 3 prokurorë, ata çdo ditë punojnë me lëndë, nxjerrin aktvendime për fillimin e hetimeve, bëjnë kërkesa të ndryshme të Policisë së Kosovës për grumbullimin e informacioneve të cilat janë të nevojshme për fillimin e procedurës penale dhe ngrisin akte akuzuese”.

“Ne kemi bashkëpunim edhe me institucione tjera sa i përket rasteve të krimeve të luftës sepse gjithnjë e më shumë jemi duke marrë informacione të duhura, të cilat na mundësojnë që të kemi edhe aktakuza por edhe gjykime të suksesshme, kështu që kohën e fundit jemi duke punuar për të gjetur përgjegjësinë e atyre personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, kështu që jemi duke i trajtuar këto lëndë, kemi formuar dhe nxjerrë edhe strategjinë në Këshillin Prokurorial të Kosovës ku jemi duke identifikuar ato lëndë ku mund të sigurojmë prova të mjaftueshme edhe atyre lëndëve i kemi dhënë prioritet dhe prokurorët janë duke punuar”.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë, ai shprehet i bindur se do të ketë rezultate në këtë drejtim.

“…jemi duke bashkëpunuar edhe me shtete të tjera për gjetjen e informacioneve dhe grumbullimin e informatave të nevojshme për këto raste, mirëpo ju e dini që një numër i madh i kryerësve të veprave penale ose kryerësve të krimeve të luftës nuk gjenden në territorin e Kosovës, ata janë jashtë territorit të Kosovës, ne kemi lëshuar edhe urdhërarreste ndërkombëtare për disa persona, kemi dëgjuar edhe për disa persona që gjenden jashtë territorit të Kosovës e që janë të dënuar nga Tribunali i Hagës, kështu që jemi duke punuar t’i identifikojmë kryerësit e veprave penale edhe urdhërdhënësit dhe kryerjen e këtyre veprave penale dhe shpresojmë që edhe me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku fitohet e drejta që të akuzohen personat edhe në mungesë, do të kemi rezultate konkrete në këtë drejtim”.

Pos me krimet e luftës, Lumezi thotë se po merren edhe hetimin e rasteve të nivelit të larët të  korrupsionit.

Sipas kryeprokurorit Lumezi, këto raste nuk janë duke u zgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve, por për shkak të gjykatave, pasi që sipas tij, ato lëvizin nga një instancë në instancën tjetër.

Ai thotë se kanë shënjestruar 52 raste, por që pranon se janë komplekse dhe duhet kohë për të siguruar provat e mjaftueshme.

“Ka pasur raste të mëdha që i kemi shënjestruar, ne u kemi shku edhe rasteve më të rënda të cilat kanë ndodhë në Kosovë, i kemi gjithsej 52 raste të shënjestruara, mirëpo ato lëndë janë lëndë komplekse dhe për të cilat duhet kohë e mjaftueshme nga ana e prokurorëve për të siguruar prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë dyshimin e bazuar se personat konkret kanë kryer vepra penale me qëllim që të u ngritet aktakuza apo të pushohen hetimet, është e vërtetë që këto lëndë janë duke u stërzgjatur, por nuk janë duke u stërzgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve”.

“Përkundrazi prokurorët janë shumë efikase në hetimin e këtyre rasteve dhe brenda parametrave të arsyeshme kohor edhe i ngrisim aktakuzat, po edhe ligji nuk na lejon që ta kalojmë afatin prej dy viteve sa lejohet për hetimin e rasteve të mëdha, kështu që brenda këtyre parametrave dhe brenda dispozitave ligjore edhe i ngrisim aktet akuzuese, mirëpo ato akte të cilat ne i dërgojmë në gjykatë, atje po stërzgjaten dhe po lëvizin nga një instancë në instancën tjetër, shpesh ndodhë që gjykata e shkallës së parë ti dënojë këta persona dhe mandej nëpërmjet të drejtës për ankesë, gjykata e shkallës së dytë të prishë vendimin ta kthejë prapë në shkallën e parë, kështu që lëvizja nga një shkallë në shkallën tjetër, e humbë edhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë por edhe len mundësi tjera që mbas një kohe edhe të shqiptohen edhe dënimet më të lehta ndaj kryerësve të këtyre kryerësve të veprave penal”.

Të gjitha akuzat i pari që udhëheqë me prokurorinë e shtetit, Aleksandër Lumezi, i quan tendenca për dobësimin e sistemit prokurorial të Kosovës, Lumezi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se këto akuza janë të paargumentuara dhe bëhen nga grupe dhe individë të caktuar të cilët dëshirojnë që ta shohin Prokurorinë e Shtetit ashtu siç e kanë paramenduar vetë.

Sipas Lumezit, institucioni i Prokurorit të Shtetit është tërësisht i pavarur dhe asnjëherë nuk iu është nënshtruar ndikimeve politike, ai shprehet se akuzat ndaj këtij institucioni kanë ardhur si rezultat i hakmarrjeve ndaj akuzave që vetë prokuroria e shtetit i ka bërë për përfaqësues të ndryshëm të partive politike, e në drejtim të prokurorisë që është e ndikuar politikisht, mirëpo ne jemi tërësisht të pavarur në punën tonë që institucioni që ai e udhëheqë nuk i ka marrë parasysh këto aktakuza.

“Gjithmonë ka akuza dhe ju largohemi çfarëdo ndikimeve politike, ju e keni për që ne kemi persona të akuzuar të gjitha partive politike, shpesh herë kur i akuzojnë përfaqësuesit e një partie politike, partitë tjera na duartrokasin dhe na thonë që jemi duke bërë një punë të mirë, ndërsa kur i hetojë prapë ata që na kanë duartrokitur dhe na kanë thënë që jemi duke bërë një punë të mirë, prapë kritikohemi nga pala tjetër, kështu që ne jemi krejtësisht të pavarur në punën tonë dhe nuk ka kurrfarë ndikimi politik në sistemin prokurorial, ata të cilët e shkelin ligjin, duhet të ballafaqohen edhe me drejtësinë pavarësisht se çfarë roli dhe çfarë pozite kanë në shoqëri. Unë mendoj që këto nuk ndikojnë, ju e keni pa që ato kritika të cilat janë bërë në drejtim të prokurorit të shtetit, ne nuk i kemi marrë shumë parasysh, ne kemi vazhduar punën tonë ashtu siç na referohet nga ligji dhe nuk jemi marrë shumë me ato kritika por kemi vazhduar me punën tonë”.

Lumezi i tha Ekonomia Online se ai nuk është përballur me kërcënime direket, por nuk i mohon tendencat për ta penguar punën e tij si kryeprokuror.

“Unë kërcënime direket nuk kam pas, por ka pas prononcime të cilat kanë qenë jo korrekte dhe të cilat kanë qenë tendencioze me qëllim që të dobësojnë punën time, mirëpo unë ato nuk ia kam marrë parasysh dhe kam vazhduar punën time qysh e kam bë më herët edhe pas kritikave të cilat janë drejtuar në adresën time”.

Lumezi thotë se nëse ekzistojnë prova edhe për krerët e shtetit ata detyrohen të fillojnë hetimet ndaj atyre personave që kanë përgjegjësi penale.

“Nëse ka keqpërdorime nga krerët e shtetit, neve na obligon ligji dhe patjetër kishim filluar procedurën penale kundër atyre personave edhe nëse gjejmë prova të mjaftueshme atëherë patjetër që do kishim ngritur akte akuzuese, mirëpo nuk do të thotë që prokurorët e shtetit kanë kompetencë që të ngrisin akte akuzuese pa prova, nëse provat dhe hetimet tregojnë që ata persona kanë përgjegjësi penale, atëherë ne do të detyrohemi dhe patjetër që duhet ti fillojmë hetimet dhe t’i ngrisim aktet akuzuese, nëse kemi argumente dhe prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë fajësinë dhe përgjegjësinë e tyre penale”.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 20, 2019 20:41

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.