Marrja e mandatit të Gruevskit – kushtet u mbushën, diskutohet javën e ardhshme

Marrja e mandatit të Gruevskit – kushtet u mbushën, diskutohet javën e ardhshme

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka njoftuar Komisionin për Çështja të Rregullores, mandateve dhe imuniteteve se deputeti, Nikolla Gruevski, ka munguar më tepër se gjashtë muaj pa arsye.

Më këtë janë plotësuar kushtet që Kuvendi të procedojë drejtë heqjes së mandatit. I pari i ligjvënësit kërkon nga Komisioni amë që të veprojë në përputhje me Rregulloren. Kryetari i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, Pavle Bogoevski, deklaroi se mbledhjen do ta thërrasë javën e ardhshme.

“Në këtë rast kur bëhet fjalë për heqje të mandatit dhe jo për paraburgim, kemi të bëjmë me situatë jourgjente. Për arsye se duhet mbledhur të gjitha të dhënat dhe shqyrtuar mungesat e deputetit, mbledhjen e komisionit planifikoj ta thërras ditëve në vijim, respektivisht në fillim të javës së ardhshme”, – tha kryetari i Komisionit, Pavlle Bogoevski.

Për heqjen e mandatit të deputetit, pas konstatimit të Komisionit, Kuvendi diskuton në mbledhjen e parë.

Që mandati i një deputeti të merret, nevojiten 80 vota, të cilat momentalisht shumica parlamentare nuk i posedon, ndërsa 8 deputetët të cilët mbështetën ndryshimet kushtetuese, nuk pranojnë të prononcohen për këtë çështje.

Heqja e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevski, vjen pas arratisjes së tij si pasojë e dënimit me burg prej dy vitesh për lëndën e Prokurorisë Speciale “Tanku” për blerjen e Mercedesit luksoz.

Gruevski aktualisht ndodhet në Hungari, ku edhe ka fituar të drejtën e azilit nga autoritetet hungareze, të cilat kërkesës së Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij nuk i janë përgjigjur.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:13
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.