Me shkas, sulm i sinkronizuar mediatik kundër një kompanie me kapital shqiptar

Me shkas, sulm i sinkronizuar mediatik kundër një kompanie me kapital shqiptar

Koment: Redaksia FLAKA 

Aksidenti tragjik i 13 Shkurtit në fshatin Laskarcë, respektivisht autostradën Shkup – Tetovë, nxorri në pah tendencën për të njollosur  Agjencinë Turistike “Durmo Tours”, një kompani prestigjioze e organizimit të transportit ndërkombëtar me seli në Gostivar dhe që menaxhohet nga pronar shqiptar.

Për fat të keq, në këtë fushatë denigruese ndaj kompanisë u përfshinë edhe disa media elektronike shqipfolëse.

Ende pa dalur rezultatet nga ekspertiza që po ndiqet nga institucionet kompetente shtetërore, u dhanë versione nga më të ndryshmet, duke tentuar që të njolloset kompania me kapital shqiptar.

Madje, ca media shkuan aq largë për të dhënë konstatimin e pa mbështetur në asnjë rezultat zyrtar se autobusi që u aksidentua ka pasur defekt teknik.

Disa media, madje gjurmuan për të zbuluar “ujin e nxehtë”, vetëm e vetëm që kompania të njolloset si mos më keq.

Skandaloze ishte “informacioni” i paraqitur se pas aksidentit, në linjën Shkup – Gostivar me kompaninë “Durmo Tours” paskan udhëtuar vetëm gjashtë udhëtarë. Parashtrohet pyetja se çka mediat në fjalë dëshironin të tregonin me këtë “informacion senzacional”.

Jo rrallëherë, media shqipfolëse ka rënë pre e informacioneve të tilla, duke bërë “copy paste” lajme nga gjuha maqedonase.

Parashtrohet pyetja se kujt i pengon puna e një kompanie shqiptare ? Përse ky sulm propagandistik ndaj një kompanie shqiptare, ende pa dalur analiza finale nga hetuesia.

Përse jepen konkluzione të pakonfirmuara në dëm të kësaj kompanie ?

Agjencia Turistike “Durmo Tours” është një nga investimet kapitale të mërgatës shqiptare në Maqedoni. Është një kompani e cila gati 3 dekada ka zhvilluar biznesin e transportit ndërkombëtar duke arritur të krijon vende pune për mbi 150 persona dhe duke krijuar të ardhura për po aq familje.

Në historinë e vete, kjo kompani nuk ka pasur ndonjë histori të keqe sa i përket fatkeqësive të kësaj natyre. Për gati 30 vite veprimtari, ky është rasti i vetëm serioz që karaktrizon kompaninë, edhe pse, raportet zyrtare që po dalin nga institucionet kompetente tregojnë që autobusi në momentet e fatkeqësisë nuk ka qenë me shpejtësi më të madhe se 85 km në orë në një aks rrugorë ku shpejtësia e lejuar është 120 km në orë.

Deri tani, u konfirmua nga analizat e kryera të gjakut dhe urinës që shoferi që drejtonte autobusin nuk ka poseduar në trup ndonjë sasi të alkoolit apo substancave narkotike.

Po ashtu, u konfirmua që autobusi ishte regjistruar dhe kaluar kontrollin teknik në muaj janar, sikuse informata nga Inspektorati i Transportit dhe Lidhjeve që kompania në fjalë ishte inspektuar jo më larg se para tre muajve.

Të dhënat treguan se kompania kishte siguruar udhëtarët në rast fatkeqësie, dhe tashmë kompania e sigurimit ka nisur procedurën e dëmshpërblimit.

Për fund, nuk duam të bëjmë avokatin e askujt. Do të pritet raporti final dhe zyrtar nga organet e shtetit për shkaqet që çuan deri tek aksidenti. Ky koment erdhi duke marrë për shkas tendencën për njollosjen dhe dëmtimin e reputacionit të një kompanie të mirënjohur me kapital shqiptar.

Agjencia e Lajmeve Flaka do të ndjek nga afër procesin dhe ashtu sikurse bëri nga momentet e para të ngjarjes tragjike, do të njofton opinionin me çdo zhvillim rreth rastit, por, duke sjellur informacione të konfirmuara nga institucionet kompetente, pa mos u vënë në shërbim të qarqeve të caktuara eventuale.

Pa dyshim se rasti tragjik me epilog 15 të vdekur ishte i rëndë dhe patjetër të ketë përgjegjësi, por spekulimet tendencioze nuk duhet të prinë ndaj të vërtetës e cila do të zbardh realitetin rreth rastit. Redaksia Flaka 

 

 

 

 

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 16, 2019 17:55
Loading...

ARKIVI I LAJMEVE