Ministria e Financave të reflektojë për Ligjin e lojërave të fatit

Ministria e Financave të reflektojë për Ligjin e lojërave të fatit

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se përmes Bordit të Njësive të Bashkësisë së Vetëqeverisjes Lokale, ka dërguar në Ministrinë e Financave propozimin e Këshillit të Komunës së Tetovës që të mos lejohet hapja e kazinove në afërsi të shkollave dhe institucioneve tjera publike, shkruan gazeta KOHA. Ajo tha se kjo kërkesë është shqyrtuar dhe dërguar në Ministrinë e Financave. “Mendoj se edhe komunat tjera do të motivohen të na mbështesin neve, Ligji është në përgatitje e sipër, arsyetimi dhe vendimi i Këshillit komunal të Tetovës ka një arsyeshmëri të madhe, kështu që jemi aktiv deri në ndryshimin përfundimtar të Ligjit dhe në të njëjtën kohë, të mbështesim aktivitetet qytetare, të cilët kanë për qëllim mos lejimin e kësaj veprimtarie e cila do të organizohej në vende ilegale”, tha Arifi.

Ajo është pyetur edhe për kërkesën e parashtruar nga ana e Lëvizjes anti-bixhoz. “Ju e dini se vendimi i Këshillit flet për 300 metërshin larg objekteve shkollore dhe të tjera të interesit publik. Por duhet që të merret parasysh fakti që në propozimet tona, ne kemi shkuar edhe më shumë pasi kemi marrë parasysh propozimet e qytetarëve dhe ajo që është e rëndësishme për ne është që definitivisht ky Ligj të pësojë ndryshime sa i përket distancës”, sqaroi kryetarja e Komunës së Tetovës. Sipas saj, deri më tash nuk ka patur asnjë iniciativë në Ministrinë e Financave që Ligji të pësojë ndryshime, prandaj edhe është kërkuar një gjë e tillë.

“Deri kur ne si komunë e kemi marrë këtë iniciativë, kjo as që ka qenë e paraparë në propozim-ligjin dhe të ketë ndikim edhe të autoriteteve lokale, sepse sipas Ligjit aktual, komunat nuk kanë patur ndonjë ndikim në këtë proces, ndërsa ne si komuna i vuajmë pasojat e këtyre veprimtarive. Prandaj edhe mendoj se iniciativa që kemi filluar është e vetmja nga ana e Komuna e Tetovës dhe mendoj se duhet të përkrahet edhe nga komunat, institucionet e kështu me radhë”, theksoi Arifi. Ajo është shprehur optimiste se Ministria e Financave do të reflektojë dhe do të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve të Tetovës.

“Presim që në periudhën ligjore, sa është periudha e diskutimit publik dhe në bazë të saj, Ministria e Financave të reflektojë në këtë drejtim”, tha shkurt kryetarja e Komunës së Tetovës. Përndryshe, kohëve të fundit në Tetovë u organizuan protesta kundër hapjes së kazinove, respektivisht asaj në Reçicë të Vogël, me çka edhe u arrit një sukses që të mos lejohet hapja e kazinosë. Por organizatorët kërkuan që kazinotë të mos hapen as afër shtëpive dhe të jenë 3 kilometra larg nga shtëpia e fundit. “Të hartohet Ligj që do të kërkojë të gjitha kazinotë, bastoret sportive dhe lojërat tjera të fatit të largohen 3 kilometra nga shtëpia e fundit e çdo vendbanimi. Konsiderojmë se Ligji i përgatitur nga Ministria e Financave është skandaloz dhe i papranueshëm, prandaj do ti dërgojmë letër të gjithë grupeve parlamentare me amendamente të përgatitura nga juristët tanë për të parandaluar sjelljen e Ligjit të hartuar nga Ministria e Financave”, theksuan ditë më parë nga Lëvizja Anti-bixhoz, e cila ka zhvilluar betejën kryesore për mos hapjen e kazinosë. Edhe Këshilli i Komunës së Tetovës ditë më parë kishte sjellë vendim ku kërkohej që komuna të përfshihet gjatë sjelljes së Ligjit për lojërat e fatit.

“Përveç pikave, të cilat tanimë veçse janë të parapara nga institucionet, ne vendosëm që atyre pikave të ju shtojmë edhe disa pika të tjera, për të cilat mendojmë se ia vlen të jenë si pjesë e Ligjit përkatës, i cili në të ardhmen pritet të sillet, domethënë planifikohet që distanca të rritet nga 100 metra sa është tani në 300 metra dhe aty të përfshihen domethënë më shumë institucione shtetërore si çerdhe, komuna, spitale, objekte fetare e kështu me radhë”, deklaroi kohë më parë kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Qershor 12, 2018 19:49

Publicitet


Moti sot
30°
24°
Wed
22°
Thu
23°
Fri
22°
Sat