Miratohet Buxheti i komunës së Kërçovës për vitin 2019

Miratohet Buxheti i komunës së Kërçovës për vitin 2019

Këshilli i komunës së Kërçovës mbajti mbledhjen e 16 me radhë në të cilën me shumicë votash u miratua Buxheti komunal për vitin 2019.

Temë qendrore e seancës së sotme të Këshillit komunal të Kërçovës ishte propozim buxheti i vitit të ardhshëm, por në këtë debat nuk morën pjesë këshilltarët e VMRO-së të cilët e braktisën mbledhjen me arsyetimin se gjatë hartimit të strukturës buxhetore nuk janë marrë parasysh projektet dhe kërkesat e tyre, por deklaratën e këshilltarit të VMRO-së e demantoi koordinatorja e këshilltarëve të BDI-së, Ardita Dani, e cila potencoi se arsyetimet e opozitës janë të pa baza.

Pas një debati të gjerë dhe konstruktiv, Këshilli komunal i Kërçovës me shumicë votash miratoi Buxhetin e vitit 2019 që kap shumën prej 13 milion e 640 mijë euro, të cilat do të harxhohen për investime në projekte të ndryshme infrastrukturore që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe sportiv.
Buxheti i vitit të ardhshëm është i qëndrueshëm dhe transparent, pasi që në hartimin e tij janë përfshirë edhe kërkesat e bashkësive vendore dhe sektorit civil, tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Në vazhdim këshilltarët miratuan edhe vendimet për modernizimin e parkut vozitës, programin për aktivitetet nga lëmia e sportit dhe rekreimit, programin e mbrojtjes sociale të fëmijëve, programin vjetor për mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe planet financiare të shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Kërçovës për vitin 2019. (Tvm2)
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 20, 2018 19:21

ARKIVI I LAJMEVE