Miratohet draft-amendamenti për ndryshimin e Preambulës

Miratohet draft-amendamenti për ndryshimin e Preambulës

Me 9 vota për dhe 7 kundër, Komisioni për Çështje Kushtetuese miratoi tekstin e draft-amendamentit mbi Preambulën.

Me këtë amendament parashikohet ndryshimi i Prembulës në pjesën e KAÇKM-së ku “vendimet” do të ndryshohen në “shpallje” si dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit. Në radhë është draft-amendamenti 35 i cili obligon Maqedoninë të respektojë sovranitetin, pacenueshmërinë dhe integritetin e shteteve fqinje.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kundërshtuan ashpër ndryshimin e preambulës me propozim amendamentin e dytë qeveritar, ku parashihet zëvendësimi i vendimeve të KAÇKM-së me shpalljen e KAÇKM-së si dhe shtimin e Marrëveshjes së Ohrit. Deputetja opozitare, Sllagjana Mitovska, tha se Marrëveshja kornizë nuk është dokument kushtetues, por vetëm marrëveshje që rregullon marrëdhëniet e pakicave. Ndërkaq, me heqjen e vendimeve të KAÇKM-së, sipas saj, fshihen themelet dhe vazhdimësia juridiko-kushtetuese e Maqedonisë.

“Me këto ndryshime kushtetuese po prishet vazhdimësia juridiko-kushtetuese e Maqedonisë dhe fillon periudha e një shteti të ri, Republika Maqedonia e Veriut, e cila do të ketë një farë tradite dhe historie. Këtë histori të cilën ju bashkë do ta shkruani, do të jetë histori e cila nuk do të ketë vazhdimësi juridiko-kushtetuese në të cilën do të thirremi”,- u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Sllagjana Mitovska.

DIMITROV: NDJEKIM VULLNETIN E QYTETARËVE

Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, tha se me Marrëveshjen e Prespës është arritur kompromisi i duhur. Tani, sipas Dimitrovit, vetëm se po ndjekim vullnetin e qytetarëve të shprehur në referendum.

“Ne nuk e dimë se njerëzit që mbetën në shtëpi, ishin “për”, “kundër” apo “të përmbajtur”. Gjatë gjithë kohës kemi thënë se vetëm njerëzit që do të votojnë do të mund edhe të numërohen. Nëse KShZ thotë se referendumi nuk është i suksesshëm dhe nuk ka vendim, legalisht maqedonasit bashkë me bashkëqytetarët tjerë nuk morën vendim. Megjithatë në aspekt të legjitimitetit kemi sinjal të fuqishëm politik nga shumica se ne jemi të obliguar të vazhdojmë rrugën që shtruam”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Reaguan edhe deputetët e LSDM-së. Sipas deputetes, Ivana Tufekgji, me propozim amendamentin e dytë nuk humbet vazhdimësia juridiko-kushtetuese e Maqedonisë. Frosina Remenski tha se Marrëveshja e Ohrit duhej nga viti 2001 të ishte pjesë e kushtetutës. Debati për propozim amendamentet kushtetuese vazhdon edhe për fundjavë. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 9, 2018 19:22

REKLAMA

Maqedoni
12°
6°
Thu
4°
Fri
2°
Sat

ARKIVI I LAJMEVE