Mungesa e gjinekologëve, specialistët gjinekologë do të jenë edhe gjinekologë amë

Mungesa e gjinekologëve, specialistët gjinekologë do të jenë edhe gjinekologë amë

9 qytete përballen me mungesën e gjinekologëve amë, mes tyre edhe Tetova, Gostivari, Kumanova, Strumica dhe Prilepi.

Për të zgjidhur këtë problem, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të vërë në shërbim specialistët gjinekologë.

Në rajonet rurale shërbime gjinekologjike do të japin ekipet mobile. Një pjesë të shërbimeve gjinekologjike do të mund t’i japin edhe specialistët e mjekësisë familjare. Edhe specialistët nga mbrojtja shëndetësore sekondare do të punojnë në spitale, por pasi të pajisen edhe me vulën e gjinekologut amë.

“Gjinekologët specialistë do të mund të japin shërbime shëndetësore si gjinekolog amë në rajonet ku nuk ka të tillë. Bëhet fjalë për katër rajone, Krushevë, Probishtip, Makedonski Brod dhe Demir Hisar dhe do të përfshijë 16 mijë gra të cilat për momentin nuk kanë qasje deri tek shërbimet gjinekologjike”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në këtë mënyrë parashihet të ulen komplikimet pas lindjes dhe vdekshmëria e foshnjave. Nga Komiteti për amësi të sigurt thonë se vdekshmëria tek fëmijët është ulur për 30%.

“Kemi rezultate të mira sa i përket uljes së vdekshmërisë së foshnjave pas lindjes, vdekjeve të fëmijëve deri në moshën 5-vjeçare, ende kemi një rritje të vogël të lindjeve të parakohshme të foshnjave që peshojnë nën 2.5 kg, mirëpo po punojmë edhe në reduktimin e këtyre komplikimeve”,- tha Ana Daneva Markova nga Komiteti për Amësi të Sigurt.

Nga buxheti janë ndarë edhe 106 mijë dollarë për trajnimin e kuadrit për kujdes perinatal. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 8, 2019 19:06
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.