Nafta e gjelbër, nuk përfitojnë të gjithë fermerët

Nafta e gjelbër, nuk përfitojnë të gjithë fermerët

Përfaqësuesit e bujqve mirëpresin ndihmën shtetërore të mbulimit të një pjese të naftës në prodhimtarinë bujqësore, mirëpo shtojnë se ajo nuk është gjithëpërfshirëse, dhe nevojitet të zgjerohet.

Nga komuniteti i bujqve mirëpresin një ndihmë të tillë për të cilin flitet me vite, e cila do të zbusë sadopak harxhimet e mëdha të prodhimtarisë bujqësore në Maqedoni.

“Jo se nuk është për t’u përshëndetur një ndihmë e tillë nga ana e qeverisë, mirëpo ajo për të qenë me të vërtetë efektive , nevojitet të marrë zgjerohet dhe plotësohet për të plotësuar me të vërtetë nevojat e bujqve. Së pari, kompania që do të përzgjidhet që të furnizojë bujqit me naftë të gjelbër nevojitet të jetë sa e më kapshme për fermerët dhe të jetë sa më afër shumicës, në mos të jetë sa më afër tek gjithë tokat bujqësore punuese në shtet. Çështja tjetër është se, fillimisht u bisedua për mbulimin e gjysmës, ndërsa tani flitet për mbulimin e 30 për qind të naftës . Gjithashtu duhet të thjeshtësohet procedura dhe bujqit menjëherë gjatë mbushjes së naftës të kthejnë ndihmën që ju ofrohet”, thotë Memet Sinani, anëtar i Këshillit Drejtues së Federatës së Fermerëve të Maqedonisë. Sipas tij problem tjetër është edhe fakti se në Maqedoni kemi 60 mijë traktorë dhe mekanizimi tjetër bujqësor si kombajnat, moto-kultivatorët e kështu me radhë , ndërsa kemi edhe 180 mijë ekonomi bujqësore. Njëherazi, nuk janë të njëjta nevojat për një hektar të mbjellë për grurë që për shembull mund të mbulohet me 62 litra naftë, ndërkohë që mbjellja e një hektari të misrit kërkon 122 litra naftë.

Në ndërkohë, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë, qeveria e miratoi të martën, Programin për përkrahje financiare të bujqësisë në vitin 2019, në kuadër të programit, përfshihet edhe nafta e gjelbër ku përfshihen 55 mijë bujq, ndërsa parashikohet që të mbulohen 30 për qind të harxhimeve për naftë të mekanizimit bujqësor. Për këtë nga buxheti janë ndarë 200 milionë denarë, ndërsa pritet që procesi të realizohet përmes zgjedhjes së operatorit ekonomik përmes të cilit fermerët do të furnizohen me naftë të gjelbër.
“Nevojitet të përfundojë procedura e tenderit, që të zgjidhet operatori përkatës ekonomik, që të mundet fermerët të fitojnë kartelat e gjelbërta me të çilat do të mund të blejnë naftë për mekanizim e tyre bujqësor”, thotë drejtori i Agjencisë Pagesore, Nikollçe Babovski.

Nga ana tjetër, një masë ë tillë zbatohet në më shumë shtete të rajonit si Kroacia, Hungaria, Rumania etj , por edhe të Bashkimit Evropian. Në Kroaci prej vitit 2000, bujqit kanë të drejtë për naftë më të lirë për të gjitha hapësirat e mbjella bujqësore dhe për kulturat e mbjella për çka nga arka e shtetit ndahem me dhjetëra miliona euro. Vetëm në vitin 2015, Agjencia kroate e subvencioneve ka ndarë 171 milionë litra naftë më të lirë për 85 mijë ekonomi bujqësore. Prej vitit 2018, në Kroaci me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë në sistemin e harxhimit të kuotave të gazit, dhe dizelit të kaltër për bujqit janë shtuar edhe bletaria, rritja e derrave, rritja e kuajve dhe gomarëve dhe shpendaria. Kjo masë sipas kompetentëve në Kroaci i barazon bletarët me prodhuesit e tjerë për shkak se ato nuk kanë tokë, por megjithatë ju nevojitet karburant në punën e tyre të përditshme. Bletarët në Kroaci kanë pasur të drejtë për shfrytëzimin e karburantit më të lirë si kusht për uljen e harxhimeve të bletarisë lëvizëse apo mobile. Këtë të drejtë e kanë humbur për shkak se program kombëtar bletar nuk është llogaritur si pagesë direkte apo subvencion. Me ndryshimet e fundit, bletarët me kamionët e regjistruar për nevojat e bletarisë do të përdorin naftë më të lirë për të ulur harxhimet e transportit.

Ndryshe, është paralajmëruar se më së voni deri në prill të vitit 2019, duhet të përfundojë shtypja e kartelave, me qëllim që bujqit të ketë naftë më të lirë për mbjelljet pranverore. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se për fillim bashkëfinancimi do të jetë në lartësinë e 30 për qind të mjeteve, mirëpo duke pasur parasysh se bëhet fjalë për masë të re, nuk përjashtohet mundësia që kjo të rritet në 50 për qind. Shfrytëzimi i kartelave parashikohet për më shumë vite. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shkurt 9, 2019 19:31

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.