Ndryshimet klimatike, ekspertët: Mungesa e të dhënave pamundëson strategjitë

Ndryshimet klimatike, ekspertët: Mungesa e të dhënave pamundëson strategjitë

Ekspertët e kulturave bujqësore nuk disponojnë të dhëna për të krijuar strategji adekuate se si të mbrohen prodhimet bujqësore nga ndryshimet klimatike.

Ordan Çakaliev nga Fakulteti i Bujqësisë thekson se edhe pse ndërmerren masat e nevojshme për t’i ndalur pasojat nga këto ndryshime, mungesa e të dhënave nga institucionet pamundëson hartimin e strategjive të cilat do të sjellin rezultatet konkrete.

“Profesionistët e fushës nuk kanë qasje në të dhënat që disponojnë institucionet e sistemit dhe prandaj shumë çështje ne nuk i kemi të njohura. Çfarë është e rrezikshme këtu, do të flas vetëm për bujqësinë, te bujqësia e cila është e varur nga faktori ujë janë të gjitha në rrezik, të gjitha ato kultura të cilat i kultivojmë në të ambient të hapur, pa hyrë në detaje”,- tha Ordan Çakaliev nga Fakulteti i Bujqësisë.

Edhe ekspertët e huaj rekomandojnë se mbrojtja duhet të jetë e dyanshme nga vetë bujqit, por edhe nga shteti.

“Personat të cilët merren me bujqësi përballen me probleme sadopak të njëjta, situata është e njëjtë edhe në Sllovaki prej nga unë vij. Në vazhdimësi ndodhin ngrica pranverore, thatësira, pra gjithsesi pësojnë fermerët, por ne mundohemi si institucione që t’iu dalim në ndihmë atyre, si përmes masave që ata vetë ndërmarrin, por edhe ne si shtet duke ua kompensuar dëmet financiare”,- tha udhëheqësi i sektorit të bujqësisë në Sllovaki, Jan Barashvari.

Dimovski premton më shumë para për dëmet

Ministri i bujqësisë, Trajan Dimovski, thotë se po ndërmerren të gjitha masat për të zbutur sadopak dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, përmes rritjes së subvencionimit.

“Ministria e bujqësisë nuk pushon para këtyre sfidave. Së shpejti do të shpallet tenderi për spërkatje me avion, gjithsesi se për këtë është dashur një fazë përgatitore ashtu që këtë vitin e fundit intensivisht jemi përgatitur. Këtu dua të përmend edhe masat standard të cilat i kemi e ato janë përmes programeve IPARD e kështu me radhë”,- tha ministri i bujqësisë, Trajan Dimovski.

Sipas bujqve nga ndryshimet klimatike ndikohen të gjitha kulturat, por më së shumti prekin rrushin, misrin, mollët, domatet dhe specat. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 12, 2019 19:11

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...