Ndryshimet në ekzekutiv, Zaev: Në qershor ministrat, në korrik komunat. Funksionarët presin vendimet e liderëve

Ndryshimet në ekzekutiv, Zaev: Në qershor ministrat, në korrik komunat. Funksionarët presin vendimet e liderëve

Kryeministri, Zoran Zaev, ripërsëriti qëndrimin e tij të mëhershëm se fshesa e paralajmëruar pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale duhet të zbatohet, pa marrë parasysh se a është e dhimbshme për dikë apo jo.

Zaev pohoi se gjatë disa ditëve pushim që kishte, ka konceptuar se si duhet të duken ndryshimet pa përmendur ndonjë emër konkret, por vetëm përmendi se fillimi i muajit qershor duhet t’i sjellë ndryshimet e para.

Zaev theksoi se nuk duhen akuzuar partitë e caktuara për dështimet e disa individëve.

“Këtë periudhë do ta shfrytëzojmë për konsultimet finale dhe besoj se në fillim të qershorit do të dalë me ndryshimet e përgjithshme të cilat duhet të realizohen në disa pozicione të rëndësishme që nga niveli ministror. Në fillim të korrikut pres që këto ndryshime të prekin edhe nivelin lokal të qeverisjes. Mua më duhet të bëj ndryshime edhe në partinë time, por duhet të ulem me të gjitha partitë, pjesë e koalicionit qeverisës, dhe t’i definojmë këto ndryshime. Tani për tani nuk mund të flas për numra sa funksionarë do të përfshihen”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Nga BDI konfirmojnë një takim liderësh të premten. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, përkujton se një qeveri assesi nuk mund të jetë funksionale pa BDI-në brenda. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se ndryshimet janë vendim i liderëve që edhe kanë vendosur për emërimet e tyre.

“Besoj se në ditët në vijim dhe shpresoj se deri të premten do të ketë takim në mes dy liderëve kryesorë të partive të koalicionit të cilët do të bisedojnë për përforcimin e Qeverisë”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

“Ne jemi të përkushtuar në punën tonë për të sjellë ligje reformuese, ndërsa vendimin për rekonstruim të Qeverisë duhet ta sjellin liderët politikë”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Takimi mes dy liderëve, Ahmetit dhe Zaevit, të premten, sipas paralajmërimeve partiake, pritet të sqarojë dilemat se kush do të lëvizë nga ekzekutivi, pasi nuk e ka kryer si duhet punën.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:16
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.