Në 24 vjetorin e themelimit, UT organizoi aktivitete letrare – artistike

Në 24 vjetorin e themelimit, UT organizoi aktivitete letrare – artistike

Në hollin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, sot u prezantuan ekspozitat me motive historike të artistit të njohur, Prof. Dr. Miftar Memetit. Në vazhdën e aktiviteteve që realizohen për nder të 24 – vjetorit të themelimit, profesorë, studentë, dashamirë të artit dhe kulturës shqiptare, morën pjesë në shpalosjen ekspozitave të lartpërmendura, ku të pranishëm ishin rektori bashkë me drejtuesit tjerë të Universitetit të Tetovës. Për të nderuar krijimtarinë artistike të Prof. Dr. Miftar Memetit, Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, artistit të njohur i ndau mirënjohje bashkë me logon e UT-së. Ai u shpreh se mirënjohja bashkë me logon, Prof. Dr. Miftar Memetit i jepen për kontributin e dhënë për themelimin e Universitetit të Tetovës, të arriturat për arsimin e lartë në gjuhën shqipe si dhe përkushtimin e veçantë për artin dhe kulturën shqiptare.

Ndërsa piktori, Prof. Dr. Miftar Memeti, e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti për vlerësimin që ai dhe ky institucion u bëjnë veprave të tij. Në kuadër të kësaj veprimtarie artistike u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për esenë më të mirë, kushtuar themelimit të Universitetit të Tetovës. Konkursi letrar u organizua nga Fakulteti Filologjik, ku me esetë e tyre aplikuan një numër i konsiderueshëm studentësh nga të gjitha njësitë akademike.

Komisioni përkatës, në përbërje: Prof. Dr. Salajdin Saliu – kryetar, Prof. Dr. Emine Shabani – anëtare dhe Prof. Dr. Ejup Ajdini – anëtar, përzgjodhën gjashtë esetë më të arrira. Prof. Dr. Saljdin Saliu tha se komisioni gjatë vlerësimit është udhëhequr nga ndjenja e përgjegjësisë dhe profesionalizimit, duke u fokusuar te shkrimet që janë brenda zhanrit të esesë. Fituese e esesë më të mirë në këtë konkurs letrar u shpallë studentja Adelina Xhaferi nga katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik. Asaj çmimin si fituese e vendit I, ia ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Për vendin II, komisioni vlerësues zgjodhi dy esetë e studentëve, Blerona Brao nga katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Besarta Aliji nga katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, të cilave çmimet ua ndau dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Me vendin III, u shpërblyen esetë studentëve, Emine Dervishi nga Fakulteti i Juridik, Zulkade Nuhiu dhe Lulzim Selimi nga katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për fituesit e vendit III, çmimet i ndau kryetari i komisionit, Prof. Dr. Salajdin Saliu.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 13, 2018 19:45
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.