Në këmbë të Azemit në Kuvend, 19 vite pas të atit

Në këmbë të Azemit në Kuvend, 19 vite pas të atit

Plot 19 vite më parë, në një atentat mafioz të cilit kurrë nuk iu provua prapavija politike, u vra tribuni i demokracisë dhe udhëheqësi i dhjetorit, Azem Hajdari.

“Ne vijmë këtu jo thjesht për të nderuar e për të ndarë së bashku dramën e 12 shtatorit të përpara 19 viteve. Por ne vijmë këtu për të celebruar kujtimin, forcën, kurajon dhe mirënjohjen ndaj Azem Hajdarit dhe atë që ai përfaqëson përjetësisht”, u shpreh Lulzim Basha.

Për Lulzim Bashën, i cili Azemin nuk e njohu, frymëzimi i kreut të “Lëvizjes së dhjetorit” është aktual edhe sot. Aq sa ai kandidoi të dytën pas tij, në Tiranë, vajzën e tij.

Në sallën e Kuvendit, atje ku i ati u plagos gati 20 vite më parë, Rudina Hajdari është ulur në një karrige të vlerësuar edhe nga kundërshtari i saj kryesor politik.

“Kënaqësi që sot në sallën e Kuvendit, karrigia e Azem Hajdarit nuk është më bosh! I uroj të bijës të jetë një zë i denjë i brezit të saj”, shkruan Rama në “Facebook”.

Për një lojë të fatit, apo historisë, deputetja Rudina Hajdari, fjalimin e saj të parë në Parlament e mban në këtë ditë të paharrueshme, për të por edhe për të gjithë shqiptarët.

TCH: Rudina Hajdari! Është një mbiemër që ka një peshë të madhe. E ndieni realisht përgjegjësinë e këtij mbiemri?

Rudina Hajdari, e bija e Azem Hajdarit: Patjetër ndiej një përgjegjësi shumë të madhe, sepse babai im luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, në sjelljen e demokracisë në vend. Dhe si tribun, një hero i demokracisë, unë ndiej një përgjegjësi shumë të madhe që të mbaj dhe t’i çoj më tej ëndrrat dhe vizionin e tij.

TCH: Shumë njerëz, duke parë që ju jeni e bija e Azem Hajdarit, ndoshta kërkojnë te ju po atë forcë dhe grintë të të ndjerit Azem Hajdari…

Rudina Hajdari: Babai im ështëi pazëvendësueshëm. Për këtë unë jam e vetëdijshme. Por duhet të kujtojmë se ai jetoi në një kohë shumë të ndryshme me këtë të sotmen në Shqipëri. Shqipëria ka pasur shumë përparime. Unë faktikisht jam rritur në një mënyrë tjetër, kam jetuar në Amerikë dhe kjo patjetër sjell një lloj formimi të një karakteri ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të vazhdoj dhe do të luftoj për ato vlera që ai luftoi.

TCH: Cila është këshilla që Rudina mban vath në vesh nga babai i saj ende edhe sot? Një këshillë që nuk mundet ta heqësh nga mendja…?

Rudina Hajdari: Nuk do jesh kurrë jetim! Kjo, sepse nëse do të kesh demokracinë, nuk je kurrë jetim.

/ Top Channel

Abedin Bilalli
nga Abedin Bilalli Shtator 12, 2017 23:46

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°