Në Universitetin e Tetovës u mbajt edicioni i pestë i manifestimit tradicional “Mbrëmja e maqedonistikës”

Në Universitetin e Tetovës u mbajt edicioni i pestë i manifestimit tradicional “Mbrëmja e maqedonistikës”

Më 23 prill 2019 (e martë), në amfiteatrin e Universitetit të Tetovës, për të pestën herë me radhë u mbajt manifestimi tradicional “Mbrëmja e maqedonistikës”, në organizim të studentëve dhe disa profesorëve të Programit studimor të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase.

Motoja e manifestimit të këtij viti ishte: “Gjuhësia është argëtuese, poezia është e përjetshme”. Këtë vit u shënua edhe një jubile i vogël. Edhe pse bëhet fjalë për një manifestim modest, megjithatë gjeneratat e studentëve të Programit studimor të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase me dashuri të madhe dhe përkushtim e përgatitën këtë program manifestimi, me përkrahjen edhe të profesorëve të tyre.

Në këto pesë vjet, manifestimi “Mbrëmja e maqedonistikës” ka realizuar një varg aktivitetesh për shënimin e ngjarjeve dhe përkujtimin e personaliteteve të rëndësishme për zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë maqedonase, me shumë vargje të recituara dhe këngë në gjuhën maqedonase, gjuhën shqipe dhe atë turke, shfaqjen e disa pjesëve të dramave nga letërsia maqedonase, por edhe skeçe humoristike.

Në këtë manifestim, studentët patën mundësi ta shprehin plotësisht kriativitetin e tyre, jo vetëm si interpretues, por edhe si autorë, poetë dhe shkrimtarë, të cilët ngadalë por me sukses i hedhin hapat e parë në fushën e letërsisë.

Në kuadër të programit të këtij manifestimi, u shënuan edhe përvjetorët e tre poetëve të mëdhenj, si: Matea Matevski, Gane Todorovski dhe Petre M. Andreevski, të cilët i kanë shkruar vargjet më të bukura të poezisë maqedonase, duke e promovuar atë pothuajse në të gjitha meridianët e botës.

Kjo mbrëmje u pasurua edhe me këngë të zgjedhura në interpretim të studentëve të Programit studimor të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase dhe nga grupi „Sherbet“.

Në “Mbrëmjen e maqedonistikës” të këtij viti morën pjesë edhe shumë mysafirë të ftuar, përfaqësues të Rektoratit të Universitetit, dekanë dhe profesorë të UT-së, mësimdhënës dhe nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, përfaqësues të Institutit të gjuhën maqedonase „Kërste Misirkov“ nga Shkupi, përfaqësues nga Universiteti ndërkombëtar “Vizion” nga Gostivari, si dhe shumë miq dhe përkrahës të këtij manifestimi. FLAKA

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 25, 2019 19:09

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.