Në UT u debatua për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit

Në UT u debatua për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit

“Sfidat e zhvillimit ekonomik të destinacionit turistik të Kodrës së Diellit”, ishte tema e debatit të sotëm që u zhvillua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës.

Debatin e shpalli të hapur prodekania për shkencë e Fakultetit Ekonomik, Doc. Dr. Aida Yzeiri. Sipas saj, edhe pse strategji të shumta për zhvillim të turizmit në nivel nacional kanë identifikuar probleme, vështirësi mjaft komplekse, përsëri fitohet përshtypja se Kodra e Diellit praktikisht nuk është trajtuar në nivel të duhur. “Debati i sotëm ka për qëllim që të shkojë një hap përpara në drejtim të identifikimit të problemeve dhe assesi nuk synon alokim të fajësisë. Vëmendja duhet të jetë e përqendruar në identifikimin e alternativave të reja dhe fisibile për tejkalimin e vështirësive dhe gjetjen e mundësive për shfrytëzimin më efikas dhe mbi të gjitha më racional të asaj që realisht mund të ofrojë Kodra e Diellit”, u shpreh Doc. Dr. Aida Yzeiri.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Raman Ismaili, në këtë debat u fokusua tek aktivitetet kryesore të menaxhimit të destinacionit të Kodrës së Diellit, që duhet të përfshihen kryesisht në planifikimin dhe koordinimin e aktiviteteve të të gjithë pjesëmarrësve të zhvillimit të turizmit, si të sektorit privat edhe të atij publik. “Në këto aktivitete duhet të përfshihen organizatat dhe ndërmarrjet turistike, Agjencia për promovim dhe përkrahje të turizmit, Komuna e Tetovës dhe Ministria e Ekonomisë, përmes sektorëve për zhvillimin e turizmit, si dhe pjesëmarrës të tjerë. Aktivitetet kyçe të këtyre institucioneve duhet të orientohen në realizimin e produkteve turistike adekuate, shërbime në bazë të resurseve dhe atraksioneve që ofrojnë më shumë kapacitete për joshjen e turistëve në Kodrën e Diellit”, deklaroi Prof. Dr. Raman Ismaili.

Sipas profesorit të Universitetit tonë, Prof. Dr. Sali Zhaku, qendra turistike Kodra e Diellit duhet të jetë konkurruese në treg dhe të përbëjë motor zhvillimi për zonën. Autoritetet duhet që sa më parë të bëjnë zgjidhjen e problemeve pronësore juridike, si dhe të investojnë në një studim të produktivitetit, apo fizibilitetit nga ana e qeverisë, pa pjesëmarrjen e subjekteve të cilat janë në konflikt interesi. “Veç kësaj, duhet të hartohet plan strategjik në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe zgjedhja e një modeli zhvillimi, apo implementimi i një modeli, i cili është i suksesshëm në një zonë tjetër me karakteristika të përafërta, përfshirë hartimin e një plani urbanistik të detajuar, si dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne të komunikacionit. Po ashtu, duhet të kihet parasysh vënia në funksion e teleferikut e kështu me radhë”, theksoi Prof. Dr. Sali Zhaku.

Ndërsa Prof. Dr. Mislim Zendeli, duke bërë krahasimin mes të kaluarës dhe të tashmes së qendrës turistike Kodra e Diellit u shpreh se në të kaluarën kjo qendër ishte ndër destinacionet kryesore për sporte dimërore jo vetëm në ish – Jugosllavi, por dhe në Ballkan. “Infrastruktura hoteliere, si dhe ajo rrugore është katandisur keq. Pjesa dërmuese e kapaciteteve akomoduese janë gjysmë të rrënuara dhe jashtë përdorimit. Mungojnë investimet private që rezulton nga problemet e pronësisë, edhe ato pak subjekte që kanë investuar ballafaqohen me probleme qesharake, si p.sh., keqmenaxhimin me mbeturinat, probleme me pastrimin e dëborës, mungesën e ndriçimit publik, mosaktivizimin e skiliftave, ngase janë të amortizuar, mungesën e organizimit të bartjes së klientëve nga hotelet deri te shtigjet dhe të ngjashme”, tha Prof. Dr. Mislim Zendeli.

Në këtë debat, këndvështrimet e tyre rreth zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit i paraqitën edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, drejtori i ELEM Turs-it, Xhemaili Jusufi, afaristi Ibrahim Dehari, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulejmani, përfaqësuesi i Ministrisë së Eknomisë, Shovket Hazari, si dhe profesorët e Universitetit, Prof. Dr. Petrit Pollozhani dhe Prof. Dr. Etem Iseni.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 10, 2019 21:06
Loading...