Në UT u diskutua për aspektet euro – integruese të Ballkanit Perëndimor

Në UT u diskutua për aspektet euro – integruese të Ballkanit Perëndimor

Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, më 24 janar 2019, në bashkëpunim me Institutin për Studime Politike dhe Ndërkombëtare si dhe Qendrën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut organizuan tryezë të rrumbullakët, në të cilën diskutuan për aspektet euro-integruese të Ballkanit Perëndimor, transmeton FLAKA 

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian e sidomos i Maqedonisë do të ishte një lehtësim i madh për qytetarët, sepse ata do të mund të lëviznin lirshëm në të gjitha vendet e Evropës. Ai tha se Republika e Maqedonisë, viteve të fundit po bën përpjekje të vazhdueshme me qëllim që t’i plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt të bëhet pjesë e tij. Sipas tij, me anëtarësimin e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të hapej një perspektivë e re për rajonin. Po ashtu ai vlerësoi se Republika e Maqedonisë, me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti është shumë afër anëtarësimit në strukturat euro – atlantike dhe BE, duke shpresuar se edhe parlamenti grek ditëve në vijim do ta ratifikojë këtë marrëveshje për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, që me dekada ka qenë pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Në këtë tryezë morën pjesë profesorë të Fakultetit Juridik dhe profesorë nga Universiteti Oradea i Rumanisë, si Prof. Mircea Brie, Prof. Cristina Matiuta dhe Prof. Polgar Istran. Këta të fundit, gjatë fjalimeve të tyre u fokusuan tek eksperiencat e vendit të tyre, Republikës së Rumanisë, para dhe pas anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ata thanë se në kohën kur Rumania nuk ka qenë pjesë e Bashkimit Evropian vendi ka qenë i izoluar dhe se shumë procese kanë qenë të ngadalësuara: qofshin ato arsimore, ekonomike, sociale, kulturore, politike e kështu me radhë. Por, sipas tyre, me anëtarësimin e Rumanisë në BE vendi i tyre ka pasur përfitime të mëdha në të gjitha sferat. Ata thanë se edhe Republika e Maqedonisë, në qoftë se brenda një kohe shumë të shkurtër do të bëhet pjesë anëtare e BE-së, do t’i ndjejë këto përfitime të Bashkimit Evropian dhe se popullata do ta ketë më të lehtë ta sigurojë ardhmërinë në këtë vend.

Pas përfundimit të kësaj tryeze, për pjesëmarrësit u ndanë certifikata nga dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu. FLAKA

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 25, 2019 13:31
Loading...