Në UT u prezantuan bursat e qeverisë amerikane

Në UT u prezantuan bursat e qeverisë amerikane

Në Universitetin e Tetovës, sot u bë prezantimi i programit Fulbright Scholar si dhe i disa programeve tjera që i ofron ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për studentët dhe profesorët.

Përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-ve, z. Gazmend Ilazi, u shpreh se programi Fullbright mundëson studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë studentët, të cilët janë në studime deridiplomike dhe dëshirojnë t’i regjistrojnë studimet e tyre pasuniversitare, por edhe për studentët të cilët i kanë të regjistruara studimet e masterit apo ato të doktoraturës dhe dëshirojnë të bëjnë kërkime, hulumtime mbi temat e tyre të magjistraturës dhe doktoraturës. “Ne sot prezantuam një gamë të gjerë të programeve për studentët e studimeve deridiplomike dhe shumë mundësi të tjera. Përveç programeve që ofron ambasada amerikane, Këndi Amerikan në Tetovë mundëson edhe informata për studentët, të cilët dëshirojnë që t’i regjistrojnë studimet e tyre deridiplomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, d.m.th. ka shumë oferta dhe mundësi të ndryshme për të studiuar në universitetet më prestigjioze të SHBA-ve, qoftë përmes programeve që i ofron ambasada e SHBA-ve në Shkup, qoftë edhe nëpërmjet programeve që i ofron Këndi Amerikan në Tetovë” – tha z. Gazmend Ilazi.

Ai po ashtu gjatë prezantimit u bëri thirrje studentëve që të aplikojnë për bursa. Sipas tij kushti i vetëm është njohja e gjuhës angleze dhe se përzgjedhja e kandidatëve është shumë transparente. Mundësitë janë shumë të mira dhe çdo profesor apo student që i plotëson kriteret, mund të jetë fitues i këtyre bursave.

Të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë të aplikojnë në këto programe mund të klikojnë në

www.foreign.fulbrightonline.org

www.humphreyfellowship.org

www.worldlearning.org

dhe www.mk.usembassy.gov

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Mars 7, 2019 19:10
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.