Negociatat për Ligjin për PPS-në, Zaev pret dakordim që të takojë Mickovskin

Negociatat për Ligjin për PPS-në, Zaev pret dakordim që të takojë Mickovskin

Kryeministri, Zoran Zaev, hodhi poshtë pretendimet e VMRO-DPMNE-së se gjatë bisedimeve për Ligjin për Prokurori Publike diskutohen edhe çështje kadrovike, përkatësisht largimi i kryeprokurores speciale, Katica Janeva.

Sipas kryeministrit Zaev, tendenca është që edhe ky ligj të miratohet me konsensus si pakoja e ligjeve që rregullojnë shërbimet inteligjente.

“D.m.th. për çështje kadrovike deri tani nuk kemi diskutuar, realisht. Për atë që kemi diskutuar, deklaruam pas takimit të fundit me z. Mickovskin. Sot kam takim me ministren e drejtësisë që të marr informata të sublimuara për takimet e grupeve punuese. Kemi për qëllim që këto takime të vazhdojnë dhe të dakordohemi në kohë. Gjithsesi, nëse ndodhin hapa të caktuara në bisedime, ne liderët e dy partive politike do të takoheshim për përmbylljen përfundimtare të ligjit”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Veç bisedimeve me përfaqësues të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, pushteti paralelisht po zhvillon bisedime edhe me subjektet e tjera, pasi konsideron se ky ligj duhet të miratohet me konsensus të plotë.

“E dini që bisedonim edhe me Besën edhe me Aleancën, pra edhe me ata 8 deputetë. Me të gjithë po bisedohet paralelisht”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE mbeti në qëndrimin e saj që të gjitha procedurat, që janë ngritur pas 18 muajve të parë të PPS-së, të ndërpriten dhe të gjitha dëshmitë që janë siguruar të mos shfrytëzohen.

Veç kësaj, opozita kërkon përgjegjësi juridike nga Janeva dhe ekipi i saj, për veprimet që ka ndërmarrë pas mandatit 18 mujor për të ngritur akuza dhe së fundmi kërkoi që projekt ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Dy kërkesat e para janë refuzuar, nga ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa kërkesa që projektligji të dërgohet në Komisionin e Venecias është i pranueshëm, por pasi të miratohet, për të mos humbur kohë në prag të shpalljes së Raportit të progresit, kur Maqedonia e Veriut pret të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:19

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.