Nëntë vite “punë” dhe Teatri askund

Nëntë vite “punë” dhe Teatri askund

Sipas përllogaritjeve, nëse në vitin 2020 fillon faza e dytë dhe nevojiten edhe tre vite derisa të përfundojë, atëherë shtetit i është dashur 9 vite që të ndërtojë objektin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë. Faza e dytë apo kompletimi i tërë objektit pritet të jetë gati për tre vite, gjithmonë nëse nuk ka probleme të natyrave që kanë qenë deri më tani.

Më 28 nëntor të vitit 2014 është vendosur gurrthemeli për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë. Kanë kaluar 5 vite që atëherë dhe ky objekt i rëndësisë së veçantë për jetën kulturore në Tetovë ende është në fazën e parë të ndërtimit. Deri në fund të këtij viti pritet që të përfundojë faza e parë pas shumë ngecjeve, shkurtimeve në buxhet, ndonëse paralajmërimet e para ishin se brenda katër vitesh ky objekt do të përfundojë, shkruan gazeta KOHA. Ministri i Kulturës Hysni Ismaili, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se faza e parë do pritet të jetë gati në fund të këtij viti. “Deri në fund të vitit mendojmë që të përfundojmë fazën e parë, mjetet janë lëshuar për fazën e dytë, dhe mendojmë që menjëherë vitin ardhshëm të fillojmë më shpejtë, me vrullshëm, dhe faza e dytë të shkojë jo në këtë mënyrë si ka shkuar në fazën e parë”, deklaroi ministri Ismaili.

Sipas informacioneve, pagesat janë duke u kryer në rregull dhe pritet që deri në fund të vitit të përfundojë ndërtimi i objektit. Objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të shtrihet në një hapësirë prej 30 mijë metra katrorë dhe do të kushtoj 13 milionë euro. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh.

Sipas drejtorit të qendrës për kulturë në Tetovë Artan Arsllani, faza e dytë apo kompletimi i tërë objektit pritet të jetë gati për tre vite, nëse eventualisht nuk ka ndërkohë probleme të natyrave që kanë qenë deri më tani. “Sipas parashikimeve tona faza e dytë kur edhe duhet të përfundojë tërë objekti deri në hapjen zyrtare, do të duhet të kalojnë tre vite pasi që të ketë filluar faza e dytë. Tashmë punojmë paralelisht edhe në fazën e parë edhe në fazën e dytë. Mund të them se procedurat për fazën e dytë janë shumë të gjata prandaj mundohemi që të mos humbim kohë. Jemi pothuajse gati në përfundim e sipër të projektimit për enterierin”, tha Arsllani.

Në bazë të përllogaritjeve nëse në vitin 2020 fillon faza e dytë dhe nevojiten tre vite të përfundojë, atëherë shtetit i është dashur 9 vite që të ndërtojë objektin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë. Pas fillimit të punëve në vitin 2014, rikujtojmë se u deshën dy vite që të rrënoheshin kioskat përreth qendrës për kulturë, me qëllim që të mund të vijonin punimet. Por menjëherë pas kësaj, probleme në vete ishte edhe trafostacioni i rrymës elektrike që ndodhej në vendin ku duhej të vendoseshin themelet e teatrit dhe bibliotekës. Pikërisht këto çështje kanë bërë zvarritje që punimet të zgjasin shumë vite, edhe atë dyfish më shumë se siç ishte paraparë, pasi që në aktin e vendosjes së gurrthemelit u premtua se në vitin 2017 gjithçka do të jetë gati. Përderisa vijojnë punimet në këtë objekt kapital, objekti i vjetër i Pallatit për Kulturë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, ku edhe zhvillohen me qindra aktivitete brenda vitit në kushte shumë të vështira. Aktorët nuk kanë hapësira ku të zhvillojnë provat, ndërsa problem gati se çdo vit paraqitet ngrohjen qendrore. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 2, 2019 21:37

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA