Nikos Kocias më 22 dhe 23 mars viziton Shkupin

Nikos Kocias më 22 dhe 23 mars viziton Shkupin

Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas do të vijë në Shkup më 22 dhe 23 mars, shkruan e përditshmja greke Tanea. Ndonëse zyrtarisht e pakonfirmuar nga Shkupi e Athina zyrtare, kjo sipas Taneas është vizitë e rëndësishme, pasi do të diskutohen propozimet e dy palëve për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Në fokus të propozimeve pritet të jenë ndryshimet eventuale kushtetuese dhe mënyra e implementimit të marrëveshjes, në mënyrë që t’i mundësohet Shkupit të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e korrikut dhe të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

“Nikos Kocijas më 23 mars do të takohet me kolegun e tij, Nikolla Dimitrov, ndërsa mbrëmjen paraprake do të kenë darkë të përbashkët. Nuk përjashtohet mundësia që ministri i Jashtëm të ketë takime edhe me politikanë të tjerë të vendit fqinj, por programi akoma po formulohet. Rezultati i bisedimeve në Shkup do të jetë i rëndësishëm në prag të takimit të ardhshëm të planifikuar të Kocijasit dhe Dimitrovit me përfaqësuesin special të OKB-së, Metju Nimic”, shkruan “Ta Nea”.

Presidenti grek Prokopis Pavlopolus, në vazhdën e deklaratave të tij për kontestin e emrit theksoi se fillimisht duhet që Shkupi të miratojë ndryshime kushtetuese dhe më pas të nënshkruhet marrëveshja mes dy vendeve.

“Para se të hyjë marrëveshja në fuqi dhe para se të kompletohet përmbajtja, është e nevojshme të bëhet rishikim i Kushtetutës së vendit tonë fqinj, i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sepse ne evropianët që e kemi këtë mentalitet demokratik nuk mund të mendojnë se një vend nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare, obligohet ndërkombëtarisht, duke e shkelur kushtetutën e saj dhe duke thënë që ndryshimi nuk është shumë i rëndësishëm”, – deklaroi presidenti grek, Prokopis Pavlopolus.

Ndërkohë Iefimerida shkruan se zgjidhja e kontestit pritet të ndodhë pas Pashkëve kur Qeveria do t’i qaset seriozisht procesit. E përditshmja greke në fjalë, hap dyshime për ndryshime të mundshme në koalicionin qeveritar grek për shkak të kontradiktave për emrin mes partive në pushtet. Pasi partia Grekët e Pavarur në krye me Panos Kamenos tashmë hapur ka betonuar qëndrimin se nuk do ta votonte një zgjidhje eventuale që do të përmbante termin “Maqedoni”, sipas Iefimeridas ka shumë gjasa që partia Potami në krye me Stavros Theorodakis të jetë partneri i ardhshëm i koalicionit të Ciprasit. Kjo për shkak se Theorodakis disa herë ka konfirmuar se mbështet Qeverinë në zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar rreth emrit. (Alsat-M)

Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Mars 13, 2018 20:00

Publicitet


OFERTA SPECIALE

Moti sot
22°
21°
Fri
12°
Sat
13°
Sun
12°
Mon

ARKIVI I LAJMEVE