OEMVP: Sektori i Biznesit i pa kënaqur nga 100 ditëshi i qeverisë së re

OEMVP: Sektori i Biznesit i pa kënaqur nga 100 ditëshi i qeverisë së re

Sipas OEMVP-së, bazuar në parametrat makroekonomike, ka rënie të bruto prodhimit vendor. Shqetësues është edhe zvogëlimi drastik i investimeve të huaja direkte në masë prej 50% nga 199 milion euro në 99 milion për periudhën janar-qershor 2017 krahasuar me periudhën e njëjtë 2016. Pozitiv është fakti që ka një rënie të lehtë të borxhit publik.   
“Kemi rritje negative të PBV-së – 1,8% në kuartalin e dytë dhe 0% në kuartalin e parë, që në një mënyrë thotë që recesionin e kemi në pragun e derës. Në këtë rënie, ndikim më të madh ka ulja në sektorin e ndërtimtarisë për -5% në kuartalin e parë dhe -16% në kuartalin e dytë. Për fat të mirë borxhi publik nuk po rritet, madje ka edhe ulje, e sa kjo ulje është reale do të shihet në fund të vitit, sepse ajo llogaritet në bazë të projeksionit të PBV-së, por është pozitive që ka impenjim për ta stabilizuar të njëjtin”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha. Sa i përket masave të ndërmarra të qeverisë në aspektin ekonomik gjatë 100 ditëshit të parë, OEMVP e përkrahë rritjen e pagës minimale, ndërsa ka drejtuar vërejtje sa i përket projektit “Garanci për të rinjtë”, si një masë shumë e përgjithshme të cilës nuk i paraprin cost-benefit analizë dhe efekti do jetë minor në aspekt makroekonomik. Nga Oda nuk janë të kënaqur edhe me shumën për përkrahje të NVM-së në vlerë prej 2.1 milion eurove dhe subvencioneve për bujqit individualë. Problematikë që duhet zgjidhur sa më shpejt vazhdon të mbetet Zona e Lirë Ekonomike e Vizbegut. “Një nga çështjet që duhet zgjidhur me prioritet ngel problemi infrastrukturor i zonës së Vizbegut. Edhe pse kemi marrë informata fillestare se do punohet në këtë drejtim, deri tani nuk kemi ndonjë lëvizje të dukshme. Pa mos i harruar edhe bizneset e vërshuara në Hasanbeg, për të cilat njashtu kemi marrë premtime të qeverisë, duhet të theksojmë se ende nuk kemi hapa konkretë edhe pse ne kemi dërguar propozim masa se si do mund të realizohej ndihma ndaj tyre”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha. OEMVP përkrahë masat sociale që i ndërmerr Qeveria për ulje të varfërisë. Qasja në financa dhe sundimi i së drejtës mbeten problematikat me të cilat vazhdojnë të përballen bizneset, andaj komuniteti i biznesit kërkon zgjidhje urgjente të këtyre problematikave. Për një ekonomi të shëndoshë nga OEMVP e shohin si të nevojshëm edhe depolitizimin e institucioneve shtetërore. (Tvm-2)
Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Shtator 11, 2017 18:23

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
26°