OPINION | Ua dha Zoti, ua mori dreqi!

OPINION | Ua dha Zoti, ua mori dreqi!

Shkruan: Vesel Memedi
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare,

Nëse bëhet një studim i thellë i librave të shenjtë, njeriu do të arrij në përfundim se ekziston një kontinuitet i mesazhit hyjnorë dhe një konsensus mes besimeve se, Zoti krijoi gjithçka për njerëzimin. Gjithçka që rrethon njerëzimin të përkujton prindërit, të cilët para lindjes së fëmijës përkujdesen që ai të ketë të gjitha kushtet e mbijetesës dhe të jetesës së lumtur. Prandaj, edhe Perendia para se të krijoj njerëzimin përgatiti të gjitha parakushtet që njeriu të ketë mundësinë të jetoj një jetë të lumtur dhe të qetë në këtë botë.

Por, duke patur parasyshë se njeriu vjen në këtë botë për herë të parë, dhe se do të ndodhet i rrethuar me shumë të panjohura, Zoti i ofron edhe mesazhin e tij, ku njerëzimi do të gjejë udhëzime, këshilla, dhe historikun e së kaluarës, që të mund më së miri të shfrytëzon gjithçka nga bota dhe sërrisht asgjë të mos prishet.

Temë e këtij shkrimi nuk është puna dhe veprimtaria e Zotit, sepse për këtë flasin librat e shenjtë dhe shumë studiues dhe hulumtues të ekzistencës së tij, por temë e këtij shkrimi është fenomeni për të cilin flet Zoti në një kaptinë të shkurtë kuranore me shumë domethënie, që quhet kaptina e njerëzimit. Është mrekulli të lexojsh një kaptinë të shkurtë ku Zoti me pak fjalë përfshinë gjith angazhimin njerëzorë dhe thotë:

“Mbështetem (mbrohem) në Zotin e njerëzve! Sunduesin e njerëzve. Të adhuruarin e njerëzve. Prej së keqes së përshpëritësit që fshihet. I cili pëshpërit në zemrat e njerëzve. Qoftë ai pëshpëritësi (për të keq) nga xhindët ose nga njerëzit.”

Duke patur parasyshë se Zoti i njerëzimit nuk flet kot, nuk flet për gjëra të parëndësishme, edhe pse njerëzve mund tu duken të parëndësishme dhe të pahetueshme, ndërsa në thelb prej aty buron jeta dhe vdekja e njerëzimit. Sipas këtij rekomandimi, Zoti kërkon nga njerëzit që ata të kërkojnë mbrojtje nga një kategori njerëzish që e përfaqësojnë djallin në mesin e njerëzve, përshpëritësit që fshihen, apo njerëz të cilët fusin dyshime në shpirtin e njerëzve. Fatkeqësia bëhet edhe më e madhe kur duhet të besojmë se ajo kategori njerëzish mund të jenë edhe vet politikanët, që duhet të jenë udhërëfyes për popullatën në përgjithësi. Themi politikanët, sepse duke patur parasyshë që jeta dhe ardhmëria e njerëzimit varet direkt nga politika dhe politikanët të cilët me mendjeprehtësinë, vizionin, dhe largpamësinë e tyre, kanë bërë që një pjesë e njerëzimit të jetoj në siguri, qetësi, dhe rehati të paimagjinueshme, ndërsa nga ana tjetër, kemi një kategori njerëzish poashtu të politikës të cilët me djallëzinë e tyre, me ngritjen e kurtheve të ndryshme, kanë arritur që një pjesë të njerëzimit ta fusin mbrenda atyre kurtheve dhe në mënyrë të pavetëdijshme iu kanë krijuar një ferr të paimagjinueshëm në të cilin njerëzit përpos vrasjes, urrejtjes, kacafytjes njëri me tjetrin, nuk shohin dhe nuk e imagjinojn dot se ka mundësi të dilet nga ai labirinth i përgatitur nga djalli-njeri, apo politikan dhe sajues intrigash të paimagjinueshme.

Jetojmë në një botë në të cilën një pjesë e njerëzimit, dëgjojnë për çdo ditë politikanët e tyre, apo sunduesit e tyre të cilët zëvendësojnë Zotin në tokë, duke përgatitur takime për konsultime, shkëmbim mendimesh dhe shpalosje vizionesh, për një të ardhme sa më të mirë të një pjese të njerëzimit, dhe në anën tjetër kemi politikan apo sundues të cilët takohen fshehurazi për të bë plane dhe kurthe të ndryshme nga ku, të njejtit politikan do të dëshmojnë aftësinë, zgjuarsinë, për të shtypur dhe grabitur sa më tepër popullin e vet për të krijuar nëmes të ferrit një parajsë për veten dhe familjet e tyre.
Të gjith ata të cilët në këtë botë të globalizimit kanë sy për të parë, mund të shohin dy botëra të ndryshme. Në njërën botë, kemi njerëzit që punojnë dhe veprojnë për çdo ditë për të forcuar sigurinë e popullit të tyre, qoft nëpërmjet ushtrive moderne apo teknologjisë ushtarake moderne, që do të shërbej për një mbrojtje dhe siguri sa më të madhe në të ardhmen. Poashtu do të vërejmë një konkurrencë shumë të madhe nga njerëzit e dijes, që nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë të arrijnë t’i sigurojnë popullit të tyre një jetë sa më të lehtë, ku forcën e njeriut apo djersën do të mund ta zavendësoj edhe robotizimi. Në mesin e kësaj shoqërie, marëdhëniet zhvillohen me një konkurrencë të madhe me qëllim që nëpërmjet ligjit të eliminohen edhe padrejtësitë më të vogla në mesin e tyre. Nga puna e madhe e mendjes dhe dijes, arritën që të bëjnë çdo qytetarë apo njeri të jetë i ushqyer me bollëk, dhe në mesin e tyre të mos ketë të urritur, duke mundësuar që me pak punë të gjenerojnë shumë fryte. Vet fakti që këta njerëz apo politikan vizionar arritën të krijojnë kushte dhe mirësi më të mira për popujt e vet, i bënë që këta njerëz të kenë më shumë kohë të lirë të njohin dhe adhurojnë edhe më shumë Zotin e gjith njerëzimit. Kjo pjesë e njerëzimit arriti që nga mesazhet hyjnore të nxjerr më të mirën e mundëshme, dashurinë, tolerancën, dhe mirrëkuptimin mes tyre.

Në pjesën tjetër të botës, kemi nëj konkurrencë të pashpirtë mes politikanëve apo atyre që krijojnë konturat e zhvillimit të një shoqërie, që për çdo ditë e më tepër mundohen që popujt e tyre t’i fusin në një gjakderdhje të pafund, në një suspendim absolut të rendit dhe ligjit në një anarki totale, ku mbisundon terri dhe zullumi i paparë ndonjëherë, ku sundon rrena, shpifja, premtimet e zbrazëta, urrejtja në emër të Zotit, plaçkitja në emër të Zotit, varfëria e skajshme, luftërat vetëshkatrruese, deri në atë pikë që duke parë nga syri i botës së ndryshme, të duket një ferr i vërtetë mbi tokë. Njerëz të cilët nuk arritën që për popujt e tyre të ndërtojnë asnjëfar ardhmërie, sigurie, ekonomie, por thejsht që e bënë njeriun të harron veten, e lërre më Zotin. Më vjen mirë kur përcjelli ngjarjet me përmasa botërore, ku tubohen kokat e dijes dhe politikës, për të ofruar dorën e ndihmës edhe popujve të tjerë që të dalin nga ferri të cilin ia kanë përgatitur vetes. Nuk do të merrem me ate që i përgatitën vetes popujt e Lindjes, të cilët po kalojnë një periudhë të përgjakshme, por do të mundohem të them diçka për pjesën e Ballkanit, apo për pjesën e popullit shqiptarë të cilit i takoj edhe unë, që gjeografikisht gjendet në kufijt e botës perëndimore, e cila jeton dhe shfrytëzon për çdo ditë e më tepër mirësitë e dijetarëve të tyre, politikanëve të cilët me përpjekje të shumta iu kanë krijuar një jetë shumë më të sigurtë dhe të rehatshme për popullin e tyre. Gjithmonë më ka interesuar se si është e mundur që kaq afër të jemi në kufij me këtë botë, dhe kaq larg të jemi në të gjitha aspektet e jetës. Kam arritur në një përfundim se përparimi i këtyre njerëzve ka arritur kulminacionin duke iu dhënë përparësi dhe duke i nxjerr në sipërfaqe njerëzit e dijes, mendjes, drejtësisë dhe rendit. Me një fjalë, njerëz që zbatojnë pa hipokrizi urdhërat e Zotit. Kurse ne që jemi në fqinjësi të tyre, gjithmonë i kemi nxjerr përpara njerëzit, pikërisht ashtu siqë i përshkruan Zoti në librin e shenjtë, përshpëritësit e fshehtë apo shpifësit, që gjithmonë në zemrat tona kanë futur dyshime, mashtrime, rrena dhe manipulime. Fatkeqësisht, ne jemi mbështetur në ato njerëz ku Zoti i cilëson si djall, dreqër, nga të cilët më së tepërmi duhet të ruhemi dhe të kërkojmë mbrojtjen e Zotit, ndërsa ne e kemi bë të kundërtën, jemi shndërruar në ushtarë besnik të djallit-njeri.
Në afërsinë tonë mbahet një takim me peshë dhe rëndësi historike nga ku jepen mesazhe dhe shtrihet dora e ndihmës për popujt e Ballkanit, ku marrin pjesë gati se të gjith liderët e këtyre popujve, por kjo dorë e ndihmës gjatë këtyre pothuajse 30 vite, nuk ka munguar asnjëherë, mirëpo liderët tanë nuk kanë qenë gjithmonë engjuj që e kanë pranuar këtë dorë të ndihmës. Koha po dëshmon se dreqi-njeri që merret me politik është i gatshëm që ta refuzoj çdo dorë të ndihmës, sepse dreqërve në politikë iu konvenon errësira, izolimi, vetkënaqësia, dhe futja e dyshimit dhe përçarjes në gjoksin e çdo njeriu. Andaj, këtë jetë të rëndë të cilën po e jetojnë popujt e Ballkanit e kanë dhuratë nga dreqërit që merren me politik, nga dreqërit që merren me fe, nga hajdutët që merren me biznes, nga injorantët që merren me dije, dhe nga anarkistët që merren me shkatrimin e drejtësisë në emër të drejtësisë.

Çdo të thotë të jesh dreq në politikë, apo njeri-dreq, pikërsiht ashtu siqë përshkruhet në librin e shenjtë? Të vjedhish një popull dhe ta bindësh se nuk të kemi vjedhur ne, por Amerika, Evropa, apo dikushi tjetër. Të vrasish në mënyrë tinëzare dhe ta bindësh se ne jemi mbrojtësit e tij. Të rrejsh për çdo ditë duke i bindur se je duke ua thënë të vërtetën. Të ngatërrojsh apo t’ua fusish sherrin në shpi, familje, fqinjësi, duke i bindur se të gjitha të këqijat i kanë burimin në afërsi të tyre. Të bindish injorantët se pa lexuar asnjë libër të vetmin, mund të udhëheqish një popull. Të bindish shitësit e pazarit se mund të menaxhojnë një fabrikë apo një biznes të madh. Të gjitha këto, nuk mund të jetë asgjë tjetër përpos punë dreqi. Të flejsh me armikun në një shtrat, të kalojsh natën duke thurrur plane, duke bërë projekte për të zezën e popullit tënd, dhe ta bindësh popullin se je duke sakrifikuar për ta udhëhequr në ardhmëri. Kjo nuk është asgjë tjetër përpos punë dreqi, dreqit-njeri. Të ua marrish votën me mashtrime, premtime të kota, me dhunë, me pak para sa për të blerë një thes miell, të ua përgatisish ferrin popullit tënd duke u premtuar parajsën. Kjo nuk është asgjë tjetër pëpos punë dreqi, dreqi-njeri. Të futesh në oborr, në shtëpi duke përdorë afërsinë, miqësinë, besimin, për ta bërë ushtarë të dreqit, nuk është asgjë tjetër përpos dreq-njeri. Të ndihmojsh fëmijën e dikujt, të manipulojsh një nxënës, student, kinse për tia siguruar ardhmërinë, dhe të shpërlajsh trurin duk e përdorë për punë të pista edhe vëlla-vrasëse, nuk është gjë tjetër përpos punë dreqi, dreqi-njeri. Të posedojsh aftësi, mençuri, largpamësi për të shfrytëzuar mllefin, urrejtjen, dhe ndjenjën e padrejtësisë të një populli të grumbulluar në qenien e tij mbi 100 vite, dhe ta orientojsh në një rrugë të pakrye dhe të vetëshkatrrimit, nuk është gjë tjetër përpos aftësi e dreqit-njeri. Nga një lëvizje e madhe e masave të popullit shqiptarë që u tubuan në fillim rreth një partie politike të PPD-së, për një luftë për liri dhe drejtësi, për një besim të lirë në Zot, adhurim të sinqertë, të gjitha këto qëllime të pastërta dhe të çiltërta, të arrijsh t’i devijojsh nga rruga e ardhmërisë dhe perspektivës kolektive, nuk mund të jetë gjë tjetër përpos politikan dreq i mallkuar. Që nga 1991 e deri në vitin 2017 çdo katër vite apo ndonjëherë edhe çdo dy vite, të formohen qeveri të ndryshme dhe të bindësh një popull të tërë që të lufton mes veti, për përfitime personale, plaçkitje dhe për ëndëra, duke përdorë të gjitha mjetet me qëllim që të jenë sa më afër qeverisë ku ndahet kulaçi, dhe që të grabisësh një copë më të madhe, duke harruar kombëtaren, fetaren, dhe njerëzoren, nuk është asgjë tjetër përpos punë dreqi dhe politikë e djallëzuar.
Prandaj, Zoti krijoi të gjitha të mirat para se të vinte njeriu në tokë dhe kërkoi nga njerëzit e mendjes, të dijes, të politikës, të fesë, që njerëzimin ta ushqejnë dhe ta ofrojnë sa më afër të mirave të Tij. Një pjesë e këtyre njerëzve, që u shndërruan në djaj, pikërisht ashtu siqë i përshkruan libri i shenjtë, ku kërkohet mbrojtje nga njerëz të këtij soji, e bënë që njeriu të bëhet rob i pushtetit të djallëzuar, rob i politikanit të korruptuar, rob i shoqatave të bamirësisë për një copë të bukës, rob i njerëzve të petkut fetar të cilët për një ceremoni mortore, më shumë i duan njerëzit të vdekur sesa të gjallë. Njerëz të cilët Zoti u dhuroi të gjitha të mirat e kësaj bote, por që i humbën të gjitha duke punuar rregullisht punën e djallit, dhe me të drejtë mund të rumbullaksohet me fjalën e mençur të popullit shqiptarë: “Ua dha Zoti, ua mori dreqi.”

 

Driton Zenku
nga Driton Zenku Qershor 1, 2017 23:32

MARKETING

NA NDIQNI NE FACEBOOK

MOTI SOT
17°
12°
Wed
10°
Thu
10°
Fri
15°
Sat
16°
Sun