Pa gjyqësor efikas nuk vijnë investimet

Pa gjyqësor efikas nuk vijnë investimet

Afaristët thonë se edhe aferat ndryshme në shtet si dhe mosmiratimi akoma i Ligjit për prokurorinë publike, si dhe mos përmirësimi i situatës në gjyqësor, nuk ofrojnë sigurinë e nevojshme për investitorët si të huaj ashtu edhe vendor.

Në Maqedoninë e Veriut, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë hyrë vetëm 55 milionë euro investime të huaja. Bile kjo shumë është për gati katër herë më e vogël se shuma prej 235 milionë euro e regjistruar vetëm në tre muajt e parë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, afaristët thonë se edhe aferat ndryshme në shtet si dhe mosmiratimi akoma i Ligjit për prokurorinë publike, si dhe mos përmirësimi i situatës në gjyqësor, nuk ofrojnë sigurinë e nevojshme për investitorët si të huaj ashtu edhe vendor, shkruan gazeta KOHA. “Sundimi i ligjit dhe të drejtës është një nga faktorët kryesor në zhvillimin ekonomik. Apo me fjalë të tjera nëse dëshironi të keni ekonomi të zhvilluar, patjetër duhet të keni shtet juridik. Tek ne situate në gjyqësor prodhon në mënyrë të vazhdueshme krizë politikë andaj vështirë se dikush do të guxojë të investojë në kushtet e një krize politike”, thotë afaristi Mirçe Çekrexhi.

Kohë më parë zëvendës kryeministri Koçi Anghushev deklaroi se situata me investimet e huaja nuk është aq e keqe, për shkak se për momentin po ndërtohen mbi 25 fabrika në shtet. “Totali i investimeve është kaq i vogël për shkak se sivjet kemi një situatë specifike ku shuma të mëdha të kompanive që kanë dorëzuar prodhime nga shteti i ynë, akoma nuk i kanë paguar të njëjtat dhe atë kryesisht nga kompanitë e tyre amë ku këto mjete janë të vlefshme 171 milionë euro vetëm në tremujorin e parë. Nëse kësaj shume i shtohen edhe 21.6 milionë euro investime vetëm në tremujorin e parë, atëherë kjo do të ishte pasqyra më reale e investimeve të huaja” thekson ai.

Sipas tij, deri në fund të viti 2019, mund të pritet që të flasim për mbi 30 investime të huaja në shtet, ku një rëndësi të madhe se 18 fabrika të investitorëve të huaj që janë sjellë në mandatin e kësaj qeverie, nuk janë pjesë e veprimtarive që kërkojnë punë intensive, por ofrojnë më shumë punë për kuadro me arsim të lartë si inxhinierë që do të sjellin edhe më shumë vlerë të shtuar në ekonomi dhe paga më të larta për të punësuarit. Në ndërkohë, në takimin e fundit të Odës Ekonomike të Maqedonisë me presidentin Stevo Pendarovski, është kërkuar nga ai një angazhim më i madh lidhur me përmirësimin e situatës në gjyqësor.

“Në këtë moment nevojitet më shumë se kurdoherë më parë të sigurohet respektimi parimor i sundimit të së drejtës që së bashku me shtetin juridik janë dy qëllimet kryesore të të gjitha bartësve të pushtetit , mirëpo që e gjithë kjo mos mbetet vetëm në letër, nevojitet të shikohen edhe hapa konkret për përmirësimin e situatës, që nënkupton ndërmarrjen e reformave themelore në sistemin gjyqësor, respektimin konsekuent dhe zbatimin e procedurave për sjelljen e ligjeve si dhe respektimin e vetë dispozitave ligjore”, thonë nga Oda ekonomike e Maqedonisë.

Nga atje kërkojnë edhe luftimin e ekonomisë informale dhe korrupsionin, si dhe dukurive dhe sfidave të tjera që janë pengesë në rrugën për realizimin e këtij parimi themelor në çdo shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, raporton KOHA. Në ndërkohë edhe investitorët e huaj në analizat e tyre theksojnë se vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe përkrahja ndaj sundimit të së drejtës, do të kontribuojnë për një ambient shumë më të mirë afarist, të përshtatshëm për investime të huaja.

“Problemi që është në thelbin e angazhimeve tona në disa vitet e fundit është zbatimi përkatës dhe i qëndrueshëm i ligjeve të nevojshme dhe akteve nënligjore”, thuhet në analizën “Libri i Bardhë” për vitin 2018 i investitorëve të huaj kushtuar biznes ambientit në shtet. Njëherësh investitorët e huaj rekomandojnë që në mungesë të administratës mirë të arsimuar shtetërore si dhe procedurave dhe metodologjive të qarta , është i qartë rreziku nga rregullativat e mbi ngarkuara. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 10, 2019 19:26

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA