Parlamenti Studentor i UT-së mori pjesë në mbylljen e fushatës “Ti je një luledielli”

Parlamenti Studentor i UT-së mori pjesë në mbylljen e fushatës “Ti je një luledielli”

Një delegacion i Parlamentit Studentor i Universitetit të Tetovës, i udhëhequr nga kryetari Islam Imeri, sot mori pjesë në përmbylljen e fushatës humanitare “Ti je një luledielli”, e cila u mbajt në klinikën universitare për sëmundje të fëmijëve në Shkup. Ky aksion humanitar u ngrit me iniciativën e gazetares Albana Osmani dhe fillimisht ishte i orientuar për realizim në Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa muaj më vonë, ajo vendosi ta zgjerojë iniciativën e saj edhe në Maqedoni. Universiteti i Tetovës ishte njëri nga institucionet e shumta që iu bashkëngjitën kësaj nisme. Kryetari i Parlamentit Studentor i Universiteti të Tetovës, Islam Imeri, tha se ai dhe ekipi i tij këtij aktiviteti humanitar i janë bashkëngjitur që nga fillimi i tij. Misioni kryesor i këtij aktiviteti është rikthimi i buzëqeshjes te çdo fëmijë i sëmurë. “Sot ishim të pranishëm në një ngjarje shumë të rëndësishme humanitare, siç ishte përmbyllja e aksionit “Ti je një luledielli” i kryesuar nga Albana Osmani. Për ne si studentë ka qenë tepër kënaqësi dhe një motiv i veçantë për t’iu bashkangjitur këtij aksioni, pasi siç e dimë të gjithë, ky fondacion ka për qëllim të ndihmojë çdo fëmijë, i cili vuan nga sëmundjet e gjakut në repartin e hematoonkologjisë në Shkup. Dua të falënderoj Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin, për mbështetjen e tij që na ka dhënë në këtë drejtim si dhe çdo student dhe profesor që na ka mbështetur gjatë realizimit të fushatës duke blerë bluzën me logon “Ti je një luledielli”. Po ashtu një falënderim shumë i veçantë i takon edhe zonjushës Albana Osmani për punën e saj të jashtëzakonshme që bën në mbështetje të të gjithë fëmijëve në vendin tonë dhe jo vetëm” – tha kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Islam Imeri. Në përmbyllje të kësaj fushate, në të cilën ishin të pranishëm shumë personalitete nga vendi dhe drejtues institucionesh, fondacioni “Ti je një luledielli” ndau mirënjohje për Universitetin e Tetovës dhe Parlamentin Studentor, ndërsa kryetari i Parlamentit Studentor, Islam Imeri, zonjushës Albana Osmani, në shenjë falënderimi për kontributin e saj i dhuroi një pikturë me simbol të lulediellit.

 

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Shkurt 6, 2019 18:40
In Memorial

ARKIVI I LAJMEVE