Për dënimin e Menduh Thaçit

Për dënimin e Menduh Thaçit

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Procesi gjyqësor i koduar si ‘Titaniku 2’ u kërkua nga Prokuroria Speciale Publike. Pavarësisht se avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Apelit, parashikohet se vendimi do të tensionojë situatën politike në vend

Rasti ‘Titanik’ në të cilin u dënuan me burgim dy eksponentë të lartë politik – Sasho Mijalkov, ish-shef i shërbimit sekret maqedonas, dhe Menduh Thaçi, kryetar i PDSh-së, dhe katër ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, është pasuar nga dy vlerësime katërcipërisht të kundërta: Sipas të parit, dënimi është provë se – drejtësia vonon ama nuk harron.

Me fjalë të tjera, aktgjykimi i Gjykatës Penale në Shkup, është ajo drita e shumëpritur në fund të tunelit – për vendosjen e shtetit të së drejtës. Mirëpo, përtej kësaj, fakti se gjykatat speciale, jo rrallë nuk i shpëtojnë damkës si ‘gjykata politike’, verdikti i Gjykatës sikur lë një shije mosbesimi.

Në fakt, sipas një këndvështrimi tjetër, dënimi i së premtes, sikur flet për pozitën e vështirë të qeverisjes së kryeministrit Zoran Zaev, në radhë të parë për ruajtjen e shumicës së dy të tretave në Parlament, që i është shumë e nevojshme për bërjen e detyrave të shtëpisë – për epilogun e pasigurt të zgjedhjeve Presidenciale të 21 prillit, por edhe për thellimin e reformave në pritje të dritës jeshile për çeljen e negociatave për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në BE.

Kryeministri Zaev ashiqare ka nevojë për ‘tetëshen e artë’ të shkëputur nga VMRO-DPMNE-ja, për të cilën thuhet se është e afërt me Mijalkovin, por edhe për dy deputetët e PDSH-së së Thaçit. Së këndejmi, nuk janë të paktë ata të cilët mendojnë se me dënimet e shqiptuara, sikur Mijalkovi, po edhe Thaçi, po paralajmërohen për atë që quhet politikë e ‘kulaçit dhe kërbaçit’.

Me fjalë të tjera, të jenë të kujdesshëm për veprimet që do të mund të ndërmarrin, për shkak se – dihet: ‘pushteti e zë lepurin edhe me qerre’! Dhe gjithë kjo, pavarësisht se nga diçka duhej të niste, e zbeh betejën për shtetin e së drejtës. Kjo aq më tepër kur edhe raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 2013-tës, për të cilat u dënua gjashtëshja e prirë nga Mijalkov e Thaçi, fliste për parregullsi që nuk patën ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve!

Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Mars 10, 2019 18:42

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.