Përfitimet ekonomike të Maqedonisë, pas 30 Shtatorit

Përfitimet ekonomike të Maqedonisë, pas 30 Shtatorit

Shkruan: Prof.Dr. Nehat Ramadani

Jo tani, por gjithmonë, ne shqiptarët kemi qenë të lidhur me botën e civilizuar perëndimore. Nën pushtimet e huaja (qofshin mbretëritë osmane, bullgare, serbe, apo edhe derivatet e tyre nën diktaturat dhe udhëheqjet ultra-nacionaliste), apo edhe nën diktaturën tonë (rasti i Shqipërisë dhe Enver Hoxhës), ne gjithmonë kemi treguar se i takojmë kulturës perëndimore, dhe qoftë nënpushtim apo diktaturë, ndër vite dhe shekuj, kemi triumfuar si popull dhe jemi pozicionuar brenda kornizës së civilizimit perëndimor.

Një gjë e tillë, më mirë shihet edhe në kohërat më të vështira të kombit tonë. Atëherë kur jemi pushtuar, vrarë, e rrezikuar për shfarosje, një pjesë e kombit tonë kanë migruar drejt perëndimit, pa u detyruar të asimilohen, të ndryshojnë emër apo përkatësi etnike, apo origjinën e kombit. Edhe pse pas shumë brezash, sot shqiptarët në Amerikë lirshëm veprojnë dhe organizohen si shqiptarë, njëjtë siç bëjnë shqiptarët në Australi, Gjermani, Zvicër, Skandinavi apo gjetiu në perëndim.

Nuk është asnjë risi që neve të na kërkohet që të votojmë në referendum, pasi ne jemi përcaktuar shumë më herët se i përkasim botës perëndimore të civilizuar, aty ku vlerat demokratike vijnë në shprehje më shumë se kudo tjetër. Megjithatë, dilema se duhet apo jo të votohet në referendum, është ende tek një pjesë e bashkëqytetarëve tanë kryesisht maqedonas, të cilët për një arsye apo tjetër, për një interes apo tjetër, për një inat politik apo tjetër, një pjesë e tyre edhe hapur deklarohen kundër anëtarësimit në BE dhe NATO. Çuditërisht, disa individ të cilët jetojnë jashtë Maqedonisë, bile në shtete të zhvilluara ku kanë edhe një standard të kënaqshëm socio-ekonomik, janë më të zëshëm. Ndër to, edhe pse shumë rrallë dhe në numër shumë të vogël, ndonjë shqiptar, kërkon që dalja në Referendum, të jetë e kushtëzuar me zgjidhjen e problemeve të brendshme në Maqedoni. Unë mendoj të kundërtën, se çështjet e brendshme nuk mund të zgjidhen në prag të Referendumit, por se një bindje e tillë shkon në favor të atyre që kërkojnë izolimin dhe ndryshimin e kursit të Maqedonisë. Çështjet e brendshme mendoj se do të avancohen shumë më shpejtë, në një shtet i cili detyrohet të aplikojë vlerat Euro-Atlantike, duke qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

A do të arrihet pragu prej mbi 50% të daljes së qytetarëve në Referendum, me rezultatin që shumica të kenë votuar “për”?!- Ky është qëllimi dhe suksesi këtij referendumi. Çdo rezultat tjetër, është i dëmshëm, por jo se e kthen kursin dhe synimin e Maqedonisë për të arritur në destinacionin e dëshiruar.

Mundohem t’i kuptoj arsyet e një partia politike maqedonase që shquhet për ekstremizëm dhe ideologji kundër perëndimit, por arsye nuk ka. Mundohem t’i kuptoj përfitimet politike afatgjata të tyre, por sërish përfitime nuk shoh. Mundohem t’i kuptoj interesat e miqve të tyre jashtë, dhe këtu ndalem dhe shoh se ka lidhshmëri. Shtrohet pyetja: A është me interes për Rusinë që Maqedonia të jetë jashtë NATO-s?! Kjo pyetje nuk do përgjigje, pasi të gjithë e dimë. A është me interes për Serbinë që Maqedonia të jetë jashtë NATO-s?! Sërish nuk do përgjigje, pasi e dimë atë. Por, a është në interes të Maqedonisë (dhe bashkëqytetarëve maqedonas) që të ngelet Maqedonia jashtë NATO-s?- Jo sërish.

Kush është alternativa nëse Maqedonia nuk është pjesë e NATO-s dhe BE-së? Çka do të bëhet me Maqedoninë? – Këto pyetje duan përgjigje.

Nëse Maqedonia është jashtë NATO-s dhe BE-së, atëherë duhet të lidhet me ndonjë aleancë “strategjike” më të fuqishme, pasi duke qenë një shtet i vogël, me një komb relativisht të vogël, dhe me potencial ekonomik shumë të vogël, e ka vështirë mbijetesën. Nëse të themi, do të hyjë në aleancë “strategjike” me Rusinë, atëherë çka do të bëjnë shqiptarët e Maqedonisë, pasi Shqipëria sot dhe Kosova nesër, janë pjesë e NATO-s ? A mos mendojnë kundërshtarët e Referendumit se shqiptarët e Maqedonisë do ta pranojnë këtë pozicion kontradiktorë?! – Përgjigja është JO. Shqiptarët nuk pranojnë të ndahen në aleanca të cilat janë në “armiqësi mes vete”. Por, sikur “hipotetikisht” të ngjante kjo, si do të dukej Maqedonia?! – Do të dukej si një “poligon” rus, i cili do të përdorej nga Rusia për qëllimet e saja të mbrapshta, siç sot përdoret Siria, Krimea, apo çdo vend tjetër ku derdhet gjaku për interesat ruse.

Andaj nuk do mend se arsye politike për t’ju bashkangjitur Maqedonia botës perëndimore të civilizuar janë të shumta. Siç edhe janë të shumta edhe arsyet ekonomike.

Se çfarë do të përfitonte ekonomikisht Maqedonia nga anëtarësimi në BE dhe NATO, nuk do shumë komente pasi një gjë e tillë është dëshmuar me të gjitha shtetet e rajonit të cilat kanë përparuar në çdo aspekt, qoftë juridik, ekonomik, social, ushtarak, e deri tek ai human.

Rasti më i freskët në rajon, është anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në BE, në vitin 2007. Nga gjeneratat e mesme e sipër që jetojmë sot, e dimë shumë mirë se në çfarë gjendje ishin këto shtete gjatë viteve të ’90 apo edhe më pas. Në vitin 2007, përpara anëtarësimit në BE, paga minimale në Bullgari (d.m.th. paga minimale dhe jo mesatarja) ishte 180 BGN (92 euro), 1.7 BGN në orë (0.87 euro) merrte një punëtor në Bullgari. Në vitin 2017, paga minimale ishte rritur në 460 BGN (235 euro), 2.77 BGN në orë (1.42 euro). Në Rumani, paga minimale ishte 390 RON (114 euro), ndërsa 1.250 RON (275 euro), në vitin 2017. Megjithë rritjen e tyre të konsiderueshme, shifrat e pagës minimale që prekin më tepër shtresat e ultë sociale (prandaj janë marrë në konsideratë në këtë analizë),   janë ende të ulëta, por ka shumë rëndësi tendenca e rritjes, nga kanë filluar dhe ku kanë arritur.

Bullgaria është tani destinacioni kryesor i outsourcingut në Evropë. Shumë kompani janë duke lëvizur departamente të tëra në Sofje, ku ata punësojnë punëtorë të kualifikuar të cilët marrin paga të kënaqshme por shume më të ulëta krahasuar me shtetet origjinale të BE-së. Kjo është e mirë, sepse shumë kompani të huaja vijnë në Bullgari për të krijuar vende pune që paguhen më mirë se ato vendore dhe këto mundësi motivojnë shumë të rinj për të qëndruar në vendin e tyre.

Nëse analizohen Investimet e Huaja Direkte (IHD), dhe rastet më të freskëta janë Mali i Zi dhe Shqipëria, ato janë dyfishuar në raport përpara dhe pas hyrjes në NATO të këtyre shteteve. Bullgaria, nga 9 % të GDP-së sa kishte IHD paraprakisht, arriti të ketë rritje në 19.6 % pas anëtarësimit në NATO.

Andaj, bashkëqytetarëve të cilët akoma nuk janë të vendosur, apo edhe asaj pjesë të cilët janë të manipuluar politikisht, duhet thënë se nuk kemi alternative të dytë për Maqedoninë e përbashkët. Alternativa e vetme është të themi PO më 30 Shtator dhe të ecim të gjithë përpara brenda familjes së madhe Evropiane.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 17, 2018 13:47

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
0°
0°
Mon
-4°
Tue
-1°
Wed

ARKIVI I LAJMEVE