Përse heroi im është Fehmi Lladrovci

Përse heroi im është Fehmi Lladrovci

Sot, 22 shtator, bëhen 20 vite që nga rënia në luftë e dy figurave ndër më të shquara të shekullit të shkuar, në të gjithë hapësirat shqiptare: Fehmi Lladrovci  dhe bashkëshortja e bashkëluftëtarja e tij, Xhevë Krasniqi Lladrovci.

Për jetën dhe luftën e tyre unë kam shkruar shumë herë, gjithnjë me ndjenjën që më ka shoqëruar, se për ta asnjëherë nuk mund të thuhet e vërteta e plotë, në të gjithë dimensionet dhe, megjithëse libri “Përjetësia e dyfishtë” zgjoi jo vetëm kureshtjen, por edhe diskutime drejt së mbarës, përsëri, e veçanta e një Njeriu që bëri aq shumë, është përtej dimensioneve.

Disa ditë më parë, lidhur me staturën e një figure të politikës, unë shkrova se ai nuk është heroi im.

Por, në jetë, kushdo e ka një hero, drejt së cilit përpiqet të shkojë dhe të ndjejë se përmes tij mund të ketë një jetë ndryshe, ndoshta më të vështirë, por edhe më të bukur, më të plotë dhe, natyrisht, më të kuptueshme.

Përse është pikërist një drenivak heroi im, njeriu i cili rrënjësisht ka ndryshuar jetët e qindra të tjerëve dhe ka ngjallur idenë se “duke qëndruar me të është njëlloj si të rrish me vetveten”, dhe përse, në pragun e luftës në Kosovë, shumë ushtarakë të lartë shqiptarë në Kroaci e Bosnje, nën thirrjen e tij iu bashkuan UÇK-së dhe deklaronin haptas se, “sikur Zoti t’i kishte dhënë 10 Fehmi Lladrovcë Kosovës, ajo kishte me qenë qyshkur e lirë”.

Përse një prijës legjendar, Adem Jashari, thonte se “vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci”, e nga ana tjetër, Adem Demaçi ishte i bindur se “nëse këtë e ka thënë Fehmiu, është punë e kryer”?

Përse ishte ky besim ndaj tij, deri në verbëri? Përse pas 5 marsit 1998, pas rënies së Adem Jasharit, vajtja e tij në Kosovë, bashkë me një grup të madh që ishin e u bënë drejtuesit e luftës, ngjalli aq shumë besim dhe mijra vetë u bashkuan me të apo shkuan pas tij?

Kur unë e kam takuar për herë të parë, lufta ende nuk kishte filluar. Ajo që më bëri përshtypje në momentin e parë ishte shtati i tij i gjatë, mbi 1 metër e 90 cm, qëndrimi i drejtë, trupi i dukej sikur nuk përkulej dhe, mbi të gjitha, sytë e tij. Dukeshin sikur në një palë të vetëm ishin dhjetra sy, të cilat asnjëherë nuk e fshihnin të vërtetën.

Unë shkoja tek ai nga mjediset e gazetës, ai sapo kishte ardhur nga Lufta në Kroaci. Atje, ish studenti i inxhinierisë dhe njëri ndër studentët më të shkëlqyer të tij, kishte formuar Brigadën e parë luftarake të shqiptarëve të Kosovës dhe kishte zhvilluar njerën nga betejat më të ashpra, të njohur si Lufta për Gospiqin, duke e marrë qytetin pa asnjë të vrarë nga ana e luftëtarëve shqiptarë dhe duke u kthyer dinjitetin e humbur vendasve që prisnin nën thikën e ankthit çetnikët serbë.

Në kohën kur unë kisha qenë student, ai kishte qenë në fillimet e të qenurit pjesë e lëvizjes klandestine çlirimtare. Me disa nga figurat më të njohura të kohës, si Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Shaban Shala, sot heronj të Kosovës, liderin Ali Ahmeti, kishin formuar një parti të veçantë: Partinë e Luftës dhe ai do të ishte njëri ndër organizatorët e parë. Do të ishte pagëzimi i parë i tij, por edhe një fillesë, e cila do të zgjaste 25 vite, nëpër të gjitha trevat, duke formësuar një staturë të jashtëzakonshme politike dhe një rreth të jashtëzakonshëm bashkëluftëtarësh, të cilët, natyrshëm, e njihnin atë si prijës dhe komandant.

Në mesin e vitit 1986 do të bëhet bashkimi i të gjithë grupeve klandestine që vepronin në Kosovë, një proces që njihet si bashkim-shkrirja dhe zgjidhet sekretariati politik, ku njëri prej anëtarëve, i caktuar për problemet e mbrojtjes, do të jetë Fehmiu.

Arrestohet dhe dënohet me 10 vite. Në gjyq do e pranojë se është irredentist e nacionalist dhe se i qëndron idesë se Kosova duhet të jetë republikë e pavarur dhe se i takon e drejta e bashkimit me shtetin amë.

Sapo është fejuar. Xheva , e diplomuar dy herë, për gjuhë e letërsi shqipe dhe jurisprundencë, është, po ashtu, nga një familje , e cila ka kaluar nëpër burgjet politike të shtetit serb. Çfarë do të ndodhë me jetën e tyre: njëri në burg dhe tjetra e sapo përjashtuar nga arsimi, pasi ishte lidhur me një nacionalist?

Takohen në burg. Ajo sapo i kishte shkruar se “tani që pashë qëndrimin tënd në burg, jam e dashuruar edhe më shumë me ty”, por ai mendon se dhjetë vite janë shumë, vajza mund të ketë një jetë më të qetë, por ata janë lidhur fillimisht nga përkushtimi e më pas nga ajo ndjenjë që do i bashkonte deri në çastin e fundit të jetës. Ai i thotë se, koha është të mendohet edhe një herë, ata mbetin shokë të idealit deri në fund, por jetët mund t’i kenë ndryshe”. Është i vetmi çast kur ajo zemërohet me të, jetën e kanë të përbashkët. Dita e dasmës është caktuar, dhëndëri është në burg. Në të njëjtën qeli me Adem Demaçin. Demaçi ia vendos emrin “zharavë”, zjarr. Në ditën e dasmës, nusja e veshur me kostumin kuq e zi merr rugën drejt Drenicës, tek shtëpia e Fehmiut dhe, për shumë vite, deri sa ai lirohet para kohe, pasi ndodhej në një burg kroat, ata janë pranë dhe larg.

Fillon kështu një korpus i jashtëzakonshëm letrash mes tyre. Një ndjenjë pasionante, edhe dashurie mes njerëzve, por mbi të gjitha dashuri për njerëzit. Të dy e shkruajnë shkëlqyeshëm gjuhën letrare shqipe, njohin të gjithë ata çfarë ka botuar Agolli, Kadare, Xoxa, Arapi, njohin studimet e Aleks Budës dhe të Çabejt, njëlloj si do të njohin më pas armët. Rrallë herë kam lexuar një korpus të tillë letrash. Një botë e pamatë hapet përmes tyre. Të gjithë të burgosurit e quajnë motër. Në çdo letër ajo i shkruan edhe të burgosurve të tjerë politikë; ai i tregon se çfarë bëjnë, si rrjedh jeta në kazamatet serbe, çfarë i bashkon këto njerëz që e ndjejnë festën e vitit të ri, atje në burg, shumë më tepër se ata që rrinë në lokalet e natës së Prishtinës.

Unë e kam parë këtë njeri, më saktë, këta dy njerëz, në shumë momente të veçanta e herë herë të rënda, në jetën e tyre. Fehmiun edhe mund ta kundërshtoje e të mos ishe i të njëjtit mendim me të, por nuk mund të zemëroheshe. E dija se ai ishte, si do e përcaktonte saktësisht profesor Rexhep Qosja, “idealisti më idealist”. Kishte vizionin e së ardhmes njëjtë me të shkuarën e domosdoshme për të bërë një luftë. “Lufta guerile , thonte, ishte ajo që nis me synimin për të përmbysur një mbretëri, por përfundon në kaçakllëk, nëse nuk shtrihet e nuk bëhet e të gjithëve.

Niset për në Kosovë në majin e vitit 1997. Dhjetë vetë vihen në udhë. Do të jenë ndër emrat më të njohur të lëvizjes çlirimtare. Fehmiu, Xheva, Ilaz Kodra, Luan Haradinaj, Ramush Haradinaj, Selim Krasniqi, Gani e Rafet Rama, Abedin Rexha dhe Ramiz Lladrovci. Pesë prej tyre, më pas, do të jenë Heronj të kosovës. Tetë nga ata do të kenë më pas gradën e gjeneralit. Xheva do të jetë gjeneralmajorja e parë e ushtrisë Shqiptare. Kishte luftuar në Kroaci, po luftonte në Kosovë.

Ramizi, vëllai i tij, ambasadori më i suksesshëm i Kosovës në Shqipëri, më tregonte se kur Fehmiu, i vëllai i besoi detyrën e parë, i dha edhe këshillën se, “nëse tradhton shokët, mos e prit nga askush tjetër, unë vetë ta jap hakun”. Dhe kishte shtuar “megjithëse jam i sigurtë se kurrë nuk ligshtohesh”.

Përse ai u bë heroi im?

Gjithë jeta e tij ka qenë ajo e ndershmërisë njerëzore. Çdo gjë që bënte e merrte shumë seriozisht. Edhe shkollimin, edhe lëvizjen klandestine, edhe luftën, edhe fjalën, edhe miqësinë. Njeriu që kurrë nuk e ndërronte fjalën që kishte thënë e që kurrë nuk kishte bërë një gjë të pahijshme. Ulur në postiqen e tij, duke pirë çaj, nuk e kam parë asnjëherë duke pirë alkohol, duke thithur cigaren, ai të afronte pamjen e njeriut që të falte besim, të bëheshe të ndjeheshe se je një tjetër, dhe të mos e lodhje mendjen për gjërat që mund të rëndonin.

Pastaj erdhi 22 shtatori i 20 viteve më parë. Disa ditë më heret u kishte thënë shokëve se së shpejti armata serbe do të sulmonte Drenicën. Komandanti i brigadës 114 ishte njeriu i të dhënës së sigurtë. Ishte edhe njeriu që serbët e kërkonin ngado. Ishin vënë shuma të mëdha për kokën e tij.

Një ditë e një natë qëndroi në atë që sot quhet “Kodra e Qendresës”. Pranë tij vra një vajzë e re, Fatime Hetemi, për të cilën thonin se është vajza jonë, ngaqë nuk kishin fëmijë, më pas një student prishtinali, dhe gjithçka rreth e rrotull tyre ishte e frikshme, por ata nuk e ndjenin frikën. As nuk mund të linin trupat e të dy rinjve në llogore. Gjashtë orë në pozicionin e tij, me një pushkë snajper. Tre tanke serbe kishin qëndruar rreth 100 metër më tej dhe heshtnin. Fehmiu i dha një shokut të tij, ta zëvendësonte pak, sa të pinte një cigare. U mbështet me shpatullat pas kodrës dhe aty, nga tanku i parë, një pushkë snajper, e qëlloi në ballë. Ra ngadalë dhe tha vetëm “Shotë, më qëlluan”.

Komandën e mori Xheva. Largoi të tjerët nga rrethimi dhe u premtoi se do të vinte pas tyre. Ishte hera e parë dhe e fundit që nuk e mbajti fjalën. Vazhdoi të qëllonte. E vetme në atë llogore që do të bëhej vend historik. Më pas, e ndjeu goditjen. Shkoi deri ku ishte trupi i Fehmiut dhe mbështeti kokën në kraharorin e tij. Tanket qëlluan kodrën dhe dherat e shumtë i mbuluan.

Aty i gjetën pas dy ditësh, mbështetur tek njëri-tjetri.

Të gjithë e kishim ditur se, nëse do të vritej njëri prej tyre, tjetri nuk do të mund të jetonte.

Jo rastësisht, në qershorin e vitit 1987, në njerën nga letrat e saj, Xheva i kishte shkruar, “edhe jetën, edhe vdekjen, e kemi sëbashku”.

Një profeci që do të bëhej e prekshme 11 vite më pas.

Të gjithë mediat serbe shkrumbuan se e vranë rebelin, ish luftëtarin, njeriun që u kishte nxjerrë aq shumë probleme.

Në Kroaci qeveria shpalli ditë zie kombëtare.

Në librin tim “Përjetësia e dyfishtë” kam shkruar :

“Ata kishin mbetur aty, bri njëri – tjetrit, dhe kjo kishte qenë zgjedhja e tyre. Nuk kishin dashur fat tjetër dhe nuk kishin kërkuar asnjëherë fat tjetër. Fijet e barit lëviznin sëbashku me erën dhe të dukej sikur ishte lamtumira e fundit. Asaj i kishte mbetur njëra dorë pranë zemrës së tjetrit, sikur të kishte dashur t’ia dëgjonte rrahjet deri në fund”.

Ja, krejt shkurt, pse ky njeri është heroi im.

Dy ditë më parë, në Drenicë, u vendosën shtatoret e tyre. Më takoi të mbaja fjalën e rastit. Për një rastësi që nuk do e kisha dashur kurrë, edhe kur ishin vrarë 20 vite më parë, në atë pozicion që kisha pasur, më kishte takuar të flas e betohem në ditëpërkujtimin e tyre.

Bedri Islami

Flaka
nga Flaka Shtator 23, 2018 19:53
Loading...

REKLAMA

PARTNER

Maqedoni
8°
15°
Sat
11°
Sun
6°
Mon

ARKIVI I LAJMEVE