Piktori i ikonave

Piktori i ikonave

Për të çdo dite ka atmosferën e Pashkëve, sepse që prej 20 vitesh, që kur vendosi t’i dedikohej këtij pasioni, pjesën më të madhe të kohës e kalon mes ikonave dhe pikturave murale.

Këtë dashuri për artin bizantin, ikonografi Bledar Gramo e ndan edhe me publikun në atë që e ka quajtur “Egnatia në rrugëtim”.

“Kur flasim për ikonë të mirëfilltë, për ikonë në fushën e besimit, tematikat janë të përcaktuara, thjesht stilizimi është personal. Forma dhe mjeti për të bërë një ikonë është e njëjta gjë, po aq e fuqishme sa edhe për të bërë një tematikë jashtë ikonës. Pra, mjeti bizantin, mënyra se si pikturohet, mjetet jo vetëm në gjuhën piktoreske por edhe mjetet në materie”, shprehet piktori Bledar Gramo.

Figurat biblike si: Krishti, Maria Madalena, e shenjtore të tjerë janë temat e pikturës së Gramos, të cilave ai u shton stilin e tij.

Edhe heronjtë e fëmijërisë, gjejnë vend në kuadrot e Gramos, i cili tenton të ecë në gjurmët e pikturave sakrale bizantine të Onufrit.

“Gjithmonë kur kam qenë i vogël pikturoja Skënderbeun në mënyrën time. Mësova ta pikturoj edhe si mjeshtrit e mëdhenj sepse ikona është idealiste dhe pasi mësova teknikat arrita në pikën, jam munduar ta pikturoi edhe si mund ta realizonte Onufri i madh”, thotë Gramo.

Atmosfera e Pashkëve në ekspozitën e çelur nga Bledar Gramo do të zgjasë deri në datën 8 maj.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 1 Maj, 2016 23:17