Projekt-rezoluta për dialogun ndan pozitën dhe opozitën

Projekt-rezoluta për dialogun ndan pozitën dhe opozitën

Projekt-rezoluta përmes së cilës opozita synon t’ia ndalojë presidentit Thaçi të dialogojë me Serbinë, vazhdon t’i mbajë edhe më tej larg pozitën dhe opozitën, përkundër që deklarimet publike i kanë të përafërta. PDK thotë se është e gatshme të diskutojë për harmonizimin e projekt-rezolutës, ndërsa opozita thotë se kërkesa për harmonizim, është vetëm sa për të mos e votuar rezolutën.

“Ka mbet  që të harmonizohet bashkërisht, në mënyrë që mos të krijojmë debat përçarës mes vete.”

Kështu e arsyetoi të mërkurën kryeparlamentari Kadri Veseli anashkalimin e votimit të projekt-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër që në deklarimet publike pothuajse të gjitha partitë kanë qëndrime të ngjashme, tash për tash nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të harmonizimit të kësaj projekt-rezolute. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se janë të gatshëm kurdo që të ulen të diskutojnë, por thotë se opozita nuk ka shprehur vullnet për të gjetur gjuhë të përbashkët.

“Ne nuk kemi hequr dorë nga ideja që t’i harmonizojmë qëndrimet. Nuk ka pasur lëvizje konkrete, por ne si grup parlamentar jemi të gatshëm në çfarëdo momenti të takohemi me përfaqësuesit e grupeve të tjera, për të dakorduar një tekst të një rezolutë që mund  të marrë mbështetjen e Kuvendit dhe që të mund t’ia japë një dinamikë të re procesit të dialogut”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, projekt-rezoluta nuk ka pasur asnjë pikë kontestuese nga asnjë deputet i pozitës, por, sipas saj, tendenca për ta harmonizuar ishte vetëm sa për të mos e votuar.

“Ne do ta shohim sa e kanë sinqerisht që të bëjnë një harmonizim, sepse nuk ka pasur asgjë kundërthënëse dhe që mund të kontestohet në rezolutë. E vetmja gjë kontestuese është pse e ka sjellë opozita e jo pozita. Kjo ka qenë. Dhe nuk e shoh ndonjë arsye pse kjo nuk është votuar deri më tani”, tha Kollçaku për Radio Kosovën.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se opozita është unike në veprimet e saj, për ta ndalur presidentin Thaçi që të dialogojë me Serbinë për territorin e Kosovës, ndërsa ka kërkuar unifikim të gjithë spektrit politik. Ai ka thënë se AAK dhe Nisma duhet të tregojnë vendosmëri për ta ndalur Thaçin përmes Kuvendit duke e mbështetur rezolutën e opozitës. Por, Memli Krasniqi ka thënë se nuk mund të ketë kurrfarë qëndrimi të harmonizuar pa PDK-në dhe se kjo është një çështje që i tejkalon politikat ditore.

Autor: Bajram Lani

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 9, 2018 19:41

REKLAMA

Maqedoni
12°
6°
Thu
4°
Fri
2°
Sat

ARKIVI I LAJMEVE