Projekt-strategjia për deinstitucionalizimin, nga muaji i ardhshëm do të vihet në praktikë

Projekt-strategjia për deinstitucionalizimin, nga muaji i ardhshëm do të vihet në praktikë

Institucionet e mëdha janë jofunksionale, nuk ofrojnë shërbime që një fëmijë ose një person me nevoja të veçanta të jetojë në kushte të përshtatshme, aty shpeshherë shkelen të drejtat e tyre, prandaj është e nevojshme që të zbatohet procesi i deinstitucionalizimit nëpërmjet të cilit përfituesit mund të ndihmojnë dhe të mbështesin shërbimet dhe komunitetin, të përfshihen në shoqëri dhe të jetojnë të pavarur.
Kjo u tha gjatë prezantimit të “Strategjisë Kombëtare të Deinstitucionalizimit 2018-2027” të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila pritet të miratohet muajin e ardhshëm.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carova, tha se ky proces ka filluar dhjetë vjet më parë, por nuk është zbatuar plotësisht. Me këtë strategji, thotë ajo, duhet të krijohen kushte që i njëjti të realizohet, por më e rëndësishme është të mos lejojë të kthejë pas individët apo fëmijët të cilët janë deinstitucionalizuar.
“Me rëndësi është të potencojmë se institucionet e mëdha dhe glamuroze nuk kanë kualitet që t’i mundësojë një personi ose një fëmije të jetojë në kushte të përshtatshme. Për këtë arsye duhet të hidhet topi në njësitë më të vogla ose fokusi t’u jepet familjeve-kujdestare të cilat do t’i mbështesim për të dhënë dhe zhvilluar potencialet e fëmijëve dhe personave që të mund të kyçen në shoqëri, që të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërive në të cilat jetojnë ata nuk duhet më pas kurrë të kthehen në institucion, dëmi i shkaktuar në këtë mënyrë është më i madh se sa  procesi i të qenit status quo”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
Profesori, Vito Flaker, nga Sllovenia, udhëheqës i ekipit për mbështetje teknike në procesin e deinstitucionalizimit në Republikën e Maqedonisë, thotë se procesi i deinstitucionalizimit nuk është vetëm një çështje teknike e zhvendosjes së personave me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve nga institucionet nëpër grupet rezidenciale ose nëpër familjet kujdestare.
“Ky është një proces kompleks, i cili duhet ta ndryshojë pozitën e personit, i cili ka qenë në institucion ose në rrezik institucionalizimi që të dalë nga roli i shfrytëzuesit duke u përfshirë në shoqëri, më pas të fillojë të jetojë në mënyrë të pavarur në shoqëri përmes komunitetit të ndihmës dhe shërbimeve mbështetëse”,- u shpreh drejtuesi i Ekipit për mbështetje teknike në procesin e deinstitucionalizimit, Vito Flaker.
Benjamin Perks nga UNICEF, i referohet këtij procesi nga perspektiva e fëmijëve dhe vuri në dukje se institucionet e mëdha janë të dëmshme për zhvillimin e tyre.
“Duke pasur parasysh faktin se 85 për qind e trurit njerëzor zhvillohet deri në vitin e pestë, kushtet joadekuate në institucione, kujdesi i vogël ndaj tyre ose mungesa e dashurisë e cila duhet t’u ofrohet, ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre. Është veçanërisht e dëmshme për fëmijët e vegjël që të vendosen në institucionet e mëdha. Në vend të kësaj, ata duhet të kujdesen në shtëpitë me  grupe të vogla, në një familje kujdestare profesionele, ose të adoptohen nga ndonjë familje”,- deklaroi Benjamin Perks nga UNICEF.
Nicola Bertolini nga Delegacioni i BE-së në Maqedoni pajtohet se institucionet janë të papërshtatshme, të dëmshme dhe joefikase, dhe ai mendon se shkelen të drejtat e fëmijëve dhe njerëzve. Ai tha se strategjia duhet të jetë ambicioze dhe planet e veprimit, që janë afatshkurtra, duhet të jenë reale me masat të cilat mund të realizohen.
Sipas Strategjisë Kombëtare në fazën e parë deri në vitin 2022, grupet që synohet t’u jepet prioritet janë fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, fëmijët pa prindër –jetimë, të cilët përballen me vështirësi arsimore dhe sociale. Ndërsa në fazën e dytë do të grupohen personat e rritur me probleme afatgjata të shëndetit mendor dhe të moshuarit-pleqtë.
Në fund të vitit 2017, në Maqedoni, në këto institucione u strehuan 236 persona me aftësi të kufizuara-intelektualë, 63 persona me aftësi të kufizuara fizikë, 72 fëmijë të porsalindur pa prindër, 45 fëmijë jetimë, 27 fëmijë me gjendje të rrezikuar sociale dhe arsimore, 19 fëmijë në kundërshtim me ligjin.
Në fazën e parë do të transformohen institucionet në Demir Kapi, “25 Maji”, Institucioni në Lagjen e Tophanës, “11 shtatori”, “Ranka Millanoviq”, Banja “Bansko” dhe Shtëpia amtare në Manastir.
Nevrij Ademi
nga Nevrij Ademi Maj 17, 2018 18:48

Publicitet


Moti sot
26°
25°
Sun
24°
Mon
24°
Tue
23°
Wed