Qeveria vazhdon debatin publik për amendamentet, Zaev: T’u lëmë tokë brezave të rinj

Qeveria vazhdon debatin publik për amendamentet, Zaev: T’u lëmë tokë brezave të rinj

Qeveria vazhdoi debatin publik rreth ndryshimeve kushtetuese duke sqaruar se qëllimi parësor i ndryshimeve kushtetuese është ndryshimi i emrit kushtetues të Republikës, si kusht i domosdoshëm për zhbllokimin e procesit eurointegrues. Sipas kryeministrit Zaev, Marrëveshja me Greqinë është korrekte dhe e drejtë, prandaj duhet zbatuar përmes Kushtetutës së Maqedonisë.

“Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë debat është të mos harrojmë pse e bëjmë. E bëjmë për shkak të trashëgimisë që duhet t’u lëmë fëmijëve tanë. Të marrim vendim t’u lëmë tokë. Me këtë marrëveshje Maqedonia nuk do të ketë më çështje të hapura. Maqedonia nuk do të kontestohet nga asnjë vend në botë. E dini që edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë në Maqedoninë multietnike kanë luftuar për liri dhe demokraci, për një vend të tyre, ku veçoritë kulturore të popullit tonë nuk do të kontestohen. Deri tani nuk kontestohej identiteti i bashkësive më të vogla etnike, por identiteti maqedonas. Kjo marrëveshje na garanton të drejtën e vetëvendosjes”,- tha kryeministri, Zoran zaev.

Ekspertët juridikë konsiderojnë se Marrëveshja me Bullgarinë dhe ajo me Greqinë zgjidh çështjen maqedonase, e bëjnë Maqedoninë shtet që nuk kontestohet nga askush dhe hapin perspektivën euroatlantike. Propozim amendamentet kushtetuese janë në harmoni me Marrëveshjen e Prespës dhe nuk lejojnë pretendimet për ndryshime më të mëdha në kushtetutë, thonë analistët.

“Me marrëveshjet me Bullgarinë dhe me Greqinë, çështja maqedonase mbyllet “ad acta”, por për këtë gjithashtu duhet të anëtarësohemi në NATO. A mundeshim t’ia dalim më mirë më Greqinë?! Lufta diplomatike dëshmoi se nuk mund ta fitojmë as me ndihmën e kohës, e kam fjalën për tezën e Gligoprovit se koha punon për ne; as me instrumentet juridike dhe vendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të cilën vazhdimisht flet opozita dhe as me forcë, pasi konteksti politik është i tillë që nuk mund t’i mundësojë fitore një Maqedonie të vogël. Prandaj, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshja me Greqinë paraqesin kontinuitet që së bashku u japin fund problemeve me të cilat përballemi një shekull”.- tha rektori i Universitetit FON, Nano Ruzhin.

“Me katër amendamentet kushtetuese në mënyrën më të mirë dhe efikase zbatohet Marrëveshja me Republikën e Greqisë në Kushtetutën e RM-së, që në fakt është obligim për republikën nga neni 2, paragrafi 12 i Marrëveshjes. Projekt amendamentet janë në tërësi në harmoni me dispozitat e Marrëveshjes. Sipas kësaj dispozite, republika ka për detyrë që të ndryshojë emrin dhe terminit që lidhen me të. Marrë parasysh këtë dispozitë, mund të them se nuk kemi shumë hapësirë për të bërë shumë ndryshime, marrëveshja na obligon dhe duhet t’i përmbahemi asaj. Çdo kërkesë për ndryshime të tjera, pa nevojë do të zgjasë procedurën për ndryshim të kushtetutës, gjë që nuk e rekomandoj”,- tha profesori universitar, Temellko Ristovski.

Debati publik vazhdon të premten në AShAM, ndërkaq ditën e hënë do të mbahen dy debate paralele, një në Tetovë dhe një në Shtip. Pas përfundimit të debatit publik, qeveria do të hartojë raport me propozime dhe sugjerime që kanë buruar nga debati, të cilin do t’ia dërgojë Kuvendit. Pas kësaj, vazhdon procedura parlamentare deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese. (Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 6, 2018 19:22

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
1°
0°
Mon
-4°
Tue
-1°
Wed

ARKIVI I LAJMEVE