Raporti i progresit për RMV-në, Osmani: Pozitiv, kemi avantazh ekonomik në rajon

Raporti i progresit për RMV-në, Osmani: Pozitiv, kemi avantazh ekonomik në rajon

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, nuk dyshon se raport progresi për Maqedoninë e Veriut do të jetë pozitiv.

Këtë optimizëm Osmani e mbështet në faktin se pjesa kryesore e raport progresit është zhvillimi ekonomik dhe sa i përket transformimit ekonomik, sipas tij, Maqedonia e Veriut është lidere në këtë drejtim krahasuar me vendet rajonale pretenduese për integrim në BE.

“Nga 35 kapituj, pjesa dërmuese janë kapituj që kanë të bëjnë me ekonominë dhe transformimin ekonomik dhe në këtë pjesë unë mendoj se edhe raporti i sivjetshëm do të jetë pozitiv, por edhe nga ajo që është bërë në gjithë këto vite, jemi në avantazh në krahasim me vendet rajonale për arritjen e standardeve ekonomike”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Por, i pyetur nëse marrja e datës mund të shtyhet në korrik për shkak të vendeve euroskeptike, Osmani thotë se edhe nëse ndodh ndonjë shtyrje, do të ishte për shkak të agjendës së ngjeshur politike të BE-së, por vazhdon të jetë i bindur se vendi do të marrë datë për fillimin e bisedimeve në samitin e qershorit.

“Samitet janë ashtu të shpërndara në kohë që nuk mund të ndani qershorin nga korriku. Njëri samit është në qershor, tjetri në korrik dhe qershor -korrikun do e quaja një periudhë. Kështu që kishim dilema fillimisht a do të jetë qershori, korriku apo tetori. Unë jam i bindur dhe mendoj se nuk ka alternativë tjetër përveç vendimit në qershor”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Raport progresi për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit do të shpalosen më 29 maj, pasi të përfundojnë zgjedhjet parlamentare në BE, prej 23-26 maj. Deri në këtë kohë, vendi duhet të ketë realizuar reformat e kërkuara nga KE, sidomos ato në gjyqësor, me qëllim që në samitin e qershorit qeveria të shtojë argumentet për t’i dhënë vendit datë për fillimin e bisedimeve.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:32

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.