Rasti “Lagjja e trimave”, Raufi: Apeli konfirmon dënimet, do t’i ankimojmë

Rasti “Lagjja e trimave”, Raufi: Apeli konfirmon dënimet, do t’i ankimojmë

Pala mbrojtëse ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin “Lagjja e trimave”, me të cilin është vërtetuar vendimi gjyqësor i shkallës së parë, me çka për 37 persona janë vërtetuar 746 vite burg dhe 7 dënime me burg të përjetshëm. Në këtë rast, Prokuroria Publike akuzoi për veprën “terrorizëm” dhe “organizim terrorist”. Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thekson se do ta ankimojnë këtë vendim dhe shpresën e vetme e ka te Gjykata Supreme.

“Ne si palë mbrojtëse prej dje i pranuam këto aktgjykime. Është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Tash do të bëjmë ankesë për ata të dënuar me burg të përjetshëm, ndërsa për të dënuarit me burg nuk kemi të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, por kemi të drejtë për rishqyrtim të çrregullt pranë Gjykatës Supreme. Duhet të ndahen ankesat, ne kemi afat prej 15 ditë dhe jemi duke punuar për seancën ankimore pranë Gjykatës Supreme”. deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Vendimi i shkallës së parë për këtë rast u shpall më 2 nëntor të vitit 2017, ndërsa, sipas Raufit, asnjë provë e propozuar për këtë rast nuk është pranuar nga trupi gjykues. Avokati Raufi theksoi se të përditshme janë ankesat e të dënuarve, e sidomos kur nuk kanë të drejtë të kenë vizita nga më të afërmit e tyre.

“Kanë shumë ankesa, posaçërisht i dënuari, Dem Shehu, ka ankesa për vizitat, nuk i lejohet t’i shohë fëmijët. Kanë kaluar 4 vite e gjysmë prej kur nuk mund t’i shohë vajzën dhe djalin. Edhe të tjerët kanë ankesa për kushtet e burgut, që janë me të vërtetë mizore”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Edhe pse më shumë herë si nga mbrojtja, por edhe nga vet ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, u tha se do të kërkohet hetim ndërkombëtar për rastin, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur. Avokati mbrojtës, Raufi, më herët kishte deklaruar se disa herë ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për hapjen e një hetimi të tillë, por nga kjo ministri kishin demantuar atë duke theksuar se nuk kanë kompetencë për ngritjen e një hetimi të tillë. Pas përleshjes policore më 9 dhe 10 maj të viti 2015 në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të grupit.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 19:27

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA