Realizohet projekti “Ritet e dasmës kërçovare”

Realizohet projekti “Ritet e dasmës kërçovare”

Dasma sipas traditës shqiptare të Kërçovës u zhvillua në oborrin e dy shtëpive të vjetra në fshatin Greshnicë.

Dasma sipas traditës shqiptare të Kërçovës u zhvillua në oborrin e dy shtëpive të vjetra në fshatin Greshnicë dhe ajo filloi me ritet e fejesës, për të vazhduar më pas me ato të martesës, të cilat janë shumë specifike dhe të dallueshme nga trevat tjera.
Karroca e nuses prej druri e mbuluar me qilima, këngët lirike të cilat vajzat i këndojnë me rastin e arritjes së nuses në shtëpinë e dhëndrit, këngët burimore të cilat i këndojnë krushqit gjatë rrugëtimit deri në shtëpinë e nuses dhe anasjelltas, veshja tradicionale e grave dhe e burrave, vallet dhe këngët e melosit popullor janë disa nga pjesët kryesore të mozaikut që e përbën dasma shqiptare e Kërçovës sipas traditave të vjetra, të cilat fatkeqësisht shkojnë drejt zhdukjes.
Ceremonia e dasmës u zhvillua në ambiente autentike dhe ajo e tërhoqi vëmendjen e publikut, sidomos me kostumografinë popullore, këngët e grave që u kënduan gjatë zbritjes së nuses dhe ritualet tjera deri në mbylljen e dasmës, të cilat u përcjellën me këngë të bukura dhe me plot mesazh për çiftin e ri dhe farefisin e tyre.
Ky projekt i Shoqatës “Fortesa” mbështetet nga komuna e Kërçovës dhe Ministria e Kulturës, ndërsa nga materiali i ceremonisë martesore do të ndërtohet dokumentari filmik “Ritet e dasmës kërçovare”, i cili do të shfaqet në njërën nga mbrëmjet e manifestimit “Java kulturore e Kërçovës”.
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 3, 2016 18:38

REKLAMA