Referendumi në Maqedoni, shqiptarët në RM përballë shumë sfidave

Referendumi në Maqedoni, shqiptarët në RM përballë shumë sfidave

Konferenca “Referendumi dhe identiteti shqiptar në Maqedoni”, ka mbledhur bashkë historianë, pedagogë dhe intelektualë, në Tiranë, të cilët kanë diskutuar për sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Maqedonisë.

Historiani, Paskal Milo, e cilësoi referendumin si ngjarjen më të rëndësishme, që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Referendumi është etapa e tretë drejt përmbylljes së këtij procesi, pas Pavarësisë së shpallur në vitin 1991 dhe pas Marrëveshjes së Ohrit, 2001. Referendumi nuk është çështje e brendshme e shtetasve të Maqedonisë, por u intereson shumë palëve, edhe BE-së dhe ShBA-vë, për garantimin e paqes dhe sigurinë në rajon”,- tha historiani, Paskal Milo.

Analisti nga Tirana, Afrim Krasniqi, foli për domosdoshmërinë që referendumi i 30 shtatorit të ketë rezultate pozitive, që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

“Vlera e votës dhe fletës është thelbi për çfarë votohet, që lidhet me identitetin, integritetin, të ardhmen, si Shqipëri edhe si shqiptar lidhet shumë me vendin fqinjë, me vendin ku Kushtetuta e Shqipërisë parashikon një përgjegjësi të shtetit shqiptar edhe me pozitën e shqiptarëve atje. Prandaj për ne është e rëndësishme që ky referendum të rezultojë pozitiv”,- theksoi analisti, Afrim Krasniqi.

Në këtë panel, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili ka folur edhe për domosdoshmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë për të vendosur për ardhmërinë e tyre.

“Ashtu si Kosova po ballafaqohet me sfidën e së drejtës së pakontestueshme për vetëvendosje, ashtu edhe shqiptarët e Maqedonisë po ballafaqohen me një krizë të zhbërjes së tyre si të tillë, si shqiptarë”,- theksoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Organizatori i këtij aktiviteti, Arsim Sinani, shprehet se shqiptarët në Maqedoni kanë mbështetur Perëndimin dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, por ata janë të vendosur që pas Referendumit të pozicionohen si komb shtetformues. (Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 13, 2018 19:14

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA