Regjistrimi i fëmijëve të pavaksinuar, MASh: E drejta për arsim, jo mbi të drejtën për shëndet

Regjistrimi i fëmijëve të pavaksinuar, MASh: E drejta për arsim, jo mbi të drejtën për shëndet

Pas dilemave në opinion dhe në vetë drejtuesit e shkollave nëse duhet të regjistrojnë fëmijët e pavaksinuar, qeveria vendosi edhe një herë të koordinojë institucionet.

Shkollat do të pranojnë për momentin fletëparaqitjet për regjistrim edhe të fëmijëve të pavaksinuar me kushtin që vërtetimi për marrjen e vaksinave të dorëzohet deri në fillim të vitit shkollor në shtator.

“Fletëparaqitjet për regjistrim shkollat do të duhet t’i pranojnë, ndërsa regjistrim të bëjnë vetëm për ata nxënës të cilët ofrojnë dëshmi vërtetim se i kanë pranuar vaksinat e detyrueshme, prandaj janë shtjelluar më tepër opsione, po me të vërtetë bëhet fjalë për dy vlera kushtetuese të cilat garantohen me Kushtetutë. Ajo është e drejta në arsim, por dhe e drejta në shëndet, aq më tepër kur kemi edhe aktvendim të Gjykatës Kushtetuese disa vite më parë, nëse nuk gabohem, në vitin 2014, ku trajtohet e njëjta çështje, ku thotë: ushtrimi i një të drejte nuk duhet të cenojë realizimin e një të drejte tjetër, që të dyja në fakt janë të mbrojtura dhe të garantuara me kushtetutë”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Ademi u apelon prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse nuk bëhet fjalë për shëndetin vetëm të fëmijëve të pavaksinuar, por për shëndetin kolektiv të të gjithë fëmijëve. (TVM2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 15, 2019 19:31
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.