Reka, më pak vota se Nexhipi, Selmani Buxhaku dhe Ostreni

Reka, më pak vota se Nexhipi, Selmani Buxhaku dhe Ostreni

Blerim Reka, kandidati i pavarur për President e i mbështetur drejtpërdrejt nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, Zijadin Sela dhe Bilall Kasami, nuk ka marrë votat e pritura.

Reka, megjithëse nuk ka arritur të kalojë në raundin e dytë, nuk ka arritur të kalojë numrin e votave në raport ish-kandidatët shqiptarë në zgjedhjet Presidenciale,Gzim Ostrenit, Agron Buxhakut, Muharrem Nexhipit dhe Imer Selmanit.

I ndjeri dr.Muharrem Nexhipi nga PDSH-ja është kandidati i parë shqiptar për president që ka fituar numër rekord të votave në historinë e zgjedhjeve në Maqedoni. Për 20 vite me radhë, asnjë kandidat tjetër shqiptar nuk ka arritur të kalojë numrin e votave që mori dr.Nexhipi i PDSH-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999. Ai arriti të fitojë 155.978 vota shqiptare, shkruan gazeta KOHA.

Atëkohë, president i Maqedonisë u zgjodh Boris Trajkovski i VMRO-së që në raundin e dytë fitoi 582.808 vota, ndërsa Tito Petkovski i LSDM-së mori 513.614 vota. Trajkovski u ndihmua nga elektorati i PDSH-së, ndërsa supozohet se mori mbi 60 mijë vota shqiptare. Dr.Muharrem Nexhipi madje kishte fituar më shumë vota se Stojan Andovi i Partisë Liberale me 111.982 vota. Kandidat i PPD-së ndërkohë ishte Muhamed Halili që fitoi 45.731 vota.

Në vitin 2004, Gëzim Ostreni i BDI-së mori 134.208 vota, ndërsa Zudi Xhelili 78.714. President shteti në 2004 u zgjodh Branko Cërvenkovski me 550.317 vota kundrejt Sashko Kedevit të VMRO-DPMNE-së që mori 329.179 vota. Cërvenkovski në raundin e dytë u mbështet nga partneri i koalicionit qeveritar BDI.

Në vitin 2009, në zgjedhjet Presidenciale, Imer Selmani nga Demokracia e Re mori 147.547 vota (atëkohë flitej se nga 20 deri në 30 mijë vota ishin maqedonase), i pasuar nga Agron Buxhaku i BDI-së me 73.629 dhe Mirushe Hoxha me 30.225 vota. Në 2009, vota të pastra shqiptare ishin rreth 230.000, që u cilësua si rekord i daljes së votuesve shqiptarë, potencial ky që sikur të ishte i unifikuar, me gjasë kandidati shqiptarë do të futej në garë edhe rrethin e dytë! Megjithatë, këtë vit, mandatin e presidentit të Maqedonisë e fitoi presidenti aktual Gjorge Ivanov, i cili fitoi 453.616 vota në raundin e dytë, duke e lënë pas Lubomir Fërçkovskin e LSDM-së me 264.828 vota.

Në 2014, VMRO sërish e kandidatoi Ivanovin për president, ndërsa fitoi një mandat të dytë me 534.910 vota kundrejt Stevo Pendarovskit të LSDM-së që atëkohë fitoi 398.077 vota. Iljaz Halimi i PDSH-së në raundin e parë kishte marrë 38.966 vota, ndërsa BDI kishte bojokotuar zgjedhjet, pasi nuk kishte arritur marrëveshje me partnerin e koalicionit për kandidat konsensual.

Tani, në zgjedhjet e këtij viti, shqiptarët përfaqësohen me vetëm një kandidat të pavarur, të mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. BDI, PDSH dhe Alternativa – tre parti shqiptare në Qeveri, mbështetje i kanë dhënë kandidatin të LSDM-së, Stevo Pendarovski, ndërsa fushata është zgjeruar në të gjitha vendbanimet e shtetit. raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 21 prill, derisa njëri nga dy kandidatët me më shumë vota, do të zgjidhet president në raundin e dytë më 5 maj. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 21, 2019 23:19
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.