Restoranti me traditë shqiptare “Çka ka Qellu”, në zemër të New York-ut

Restoranti me traditë shqiptare “Çka ka Qellu”, në zemër të New York-ut

Pavarësisht faktit se ku jeton dhe vepron, qoftë edhe përtej Atlantikut, dashuria e madhe për atdheun për kulturën e lashtë, për rrënjët e të parëve, mbeten gjithmonë e pazëvendësueshme në çdo aspekt dhe rrethanë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shqiptarë të shumtë dhe biznesmenë të suksesshëm, të cilët kanë restorantet e tyre, të cilat frekuentohen jo vetëm nga shqiptarët që jetojnë në këtë vend. Edhe amerikanë dhe qytetarë të nacionaliteteve të tjera, deri diku janë familjarizuar me shijen e ushqimeve tradicionale shqiptare, ku shërbehet dhe ushqehet vetëm shqip.

Se sa janë të lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht shqiptarët në Amerikë me vendin e origjinës, tregon më së miri rasti i shqiptaro-amerikanit, Ramiz Kukaj, i cili para 10 vitesh kishte hapur restorantin e tij “Tradita”, një piceri kjo  tërësisht tradicionale shqiptare, duke vazhduar kështu me hapjen e restorantit më të ri në Bronx në New-York, para një viti, të cilin e ka quajtur “Çka Ka Qellu”, e në të cilin shërbehet ekskluzivisht ushqim tradicional shqiptar.

Ky restorant autentik shqiptar, po ua ofron klientëve të tij, jo vetëm shqiptarë, por edhe amerikanë, një ofertë të re ushqimesh, shoqëruar me dekorime të stilit antik, e që po i kthen në kohë vizitorët përmes pamjes së tij.

Si lindi ideja për një projekt të tillë, tregon për Telegrafin pronari i restorantit, Ramiz Kukaj nga Kosova, që vjen nga qyteti i Pejës. Ai theksoi se për herë të parë mendoi për këtë ide, 10 vjet më parë, fillimisht për hapjen e restorantit “Tradita”.

Për vite të tëra, ky dyqan ishte i ngushtë,  me një furrë të madhe me dru për pica, që del në një qoshe, dhe me një numër të vogël të tavolinave, vetëm për dy veta

“Djali im i lindur në Amerikë, më pyeti nëse ka ndonjë vend ku mund t’i dërgonte shokët e tij të kombësive të ndryshme, në një restorant shqiptar, për t’i treguar atyre trashëgiminë e familjes së tij. Megjithëse, Bronx-i është shtëpia e një prej popullsive më të mëdha të emigrantëve shqiptarë, dhe njëherit ishte një strehë për refugjatët kosovarë pas luftës së fundit në Kosovë, unë nuk munda t’i sugjeroj atij një vend, ku mund t’i dërgonte shokët”, tregon Kukaj, duke shtuar se “Tradita”, nuk është tamam restoranti që ai parashikonte më parë.  Prandaj  kishte vendosur realizimi i një projekti të tillë më të madh, siç është restoranti “Çka Ka Qellu”.

“Shpesh herë kam vizituar dhe vizitoj Kosovën dhe Shqipërinë. Sa herë që kam shkuar, kam kërkuar punime artizanale. Kam njerëz në Shkodër, Korçë, Prizren që më ndihmojnë akoma. Prandaj edhe kam koleksion pa fund ”, thotë ai.

Bashkimi në një vend gati i të gjitha orendive tipike tradicionale, pra në restorantin e tij,  i cili ngjason si një muze historiko-etnologjik, për pronarin Kukaj ka  qenë jo vetëm e lodhshme, por edhe mundimshme, e që i ka marrë hiq më pak se 10 vjet kohë.

“Restorantin tim nuk e konsideroj biznes, më shumë e konsideroj mision. Artefaktet që janë pjesë e arkitekturës dhe ushqimi tradicional, ka qenë sfida e idesë sime. I falënderoj të gjithë ata, që e gjeten veten këtu, e që vazhdojnë të na përkrahin pa hezituar”, tha ai, duke shtuar vizitorët jo shqiptarë, pra  të huajt, befasohet më këtë vend.

Kurse për emrin shqip të restorantit të ri, “Çka Ka Qellu”, Kukaj thotë për Telegrafin se asnjëherë nuk ka arritur të gjejë një përkthim adekuat të këtij togfjalëshi në gjuhen e vendit ku ai jeton, edhe pse ai ka një shpjegim për këtë.

“Nëse ftojmë dikë, por nuk ka ngelur shumë ushqim, atëherë atë e shërbejmë me çfarë ka mbetur. Është një frazë e lindur nga varfëria. Të parët tanë, pleqtë tanë kur kishin ndonjë mysafir i thonin: ‘Bujrëm, bukë, kripë, zemër dhe çka ka qellu’. Nga kjo rrjedh dhe emri i këtij restoranti”, shpjegon ai.

Në anën tjetër, muret e restorantit autentik shqiptar “Çka Ka Qellu”, në Bronx të  New York-ut, përmes fotografive, paraqitet Ballkani i shekullit IXX, ku përpos fotografive, mund të shihen edhe artefakte që janë edhe më të vjetra. Për shembull, e varur në mur qëndron veshja tradicionale e shqiptarëve, prandaj edhe  pamja e këtij restoranti ngjan me shtëpitë e vjetra mesjetare, me vegla antike të varura në mur dhe me tavanin e ndërtuar nga druri.

“Këtu është një pjesë e historisë, traditës dhe kulturës sonë. Është historia e të parëve tanë”, tregon Kukaj, duke shpalosur edhe menynë e restorantit, e që është komplet ushqim tradicional shqiptar.

Menyja e restorantit nuk ka si të mos jetë e pasur edhe me brumëra, e mbushur me emra ushqimesh tipike tradicionale shqiptare ku përfshihet leqeniku, flija, mantiat e duke mos munguar as kaçamaku, e po ashtu edhe desertët, siç është bakllava.

Po ashtu, në këtë restorant është mahnitëse ta shijosh kafenë turke, përderisa i tërë shërbimi duket si një ceremoni festuese, ku djemtë dhe vajzat që shërbejnë, janë të veshur me kostume tradicionale shqiptare, dhe kjo e ilustron më së miri atmosfera mikpritëse, që është pjesë e pandashme e restorantit.

Vlen të theksohet, se për kaq kohë apo muaj, sa ky restorant është  duke vepruar, është bërë kaq i rëndësishëm, sa të duhet të bësh rezervim disa ditë më parë.

Meqë restoranti i përshtatet stilit të vjetër shqiptar, si synim për të promovuar jo vetëm ushqimin në këtë rast, por dhe kulturën e sofrës së famshme shqiptare, duhet përmendur se i tëri është konceptuar në dru, ku nuk mungojnë orenditë e vjetra që mbajnë vlera kulturore, kostumet tradicionale shqiptare që qëndrojnë në vitrinë, dhe qilimat e punuar me dorë nga gratë e Prizrenit.

E gjithë kjo, sipas pronarit Kukaj, shton edhe më shumë kuriozitetin e klientëve që vijnë jo vetëm për ushqimin fantastik, që nga flija e deri tek kafeja turke, e servuar me aq mikpritje, por edhe të orendive të vjetra, që përmbajnë komplet vlera kulturore shqiptare.

Përpos punës së tij në biznes, Kukaj njihet edhe si filantrop, ku shpesh herë i është përgjigjur kërkesave që kanë të bëjnë me mirëqenien sociale të qytetarëve në nevojë në Kosovë.

Kësaj here, me moton “Vaji i burrave është kënga”, ai për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2019, do të organizojë një event, pikërisht ne vendin De Mikele Illagro. 79-17 Albion Ave. Queens NY 11373. ku do të mbledhin mjete financiare për të ndihmuar Shoqatën “Thirrjet e Nënave”, që vepron në Gjakovë.

Përndryshe, më e mira e restorantit të Ramiz Kukajt “Çka ka Qellu” është se e gjitha atmosfera dhe ambienti është i njëjtë si në Kosovë, e që e bënë të veçantë biznesin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 4, 2019 12:57
Loading...

PUBLICITET