Ripërtëritja e traditës kombëtare, rritet e dasmës tradicionale të Rekës së Epërme

Ripërtëritja e traditës kombëtare, rritet e dasmës tradicionale të Rekës së Epërme

Përzemërsia me të kaluarën e të parëve ka ndikuar që banorët me prejardhje nga Reka e Epërme të kujdesen me xhelozinë më të madhe për rritet, traditat, zakonet dhe doket e së kaluarës e që janë veçori e këtij komuniteti të kësaj krahine shqiptare. Ato bëjnë kujdesin që këto tradita mos ti zhdukin, përkundrazi, t’i rikthejnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në disa raste, familjet me prejardhje nga Reka duke mos dashur që kjo traditë e tyre e bukur të mbulohet nën hijen e harresës, në dasmat e tyre familjare kryejnë edhe rritet e dasmës së vjetër. Një nga banorët e moshuar të kësaj krahine, Branko
Manjallovski, flet me mall për të kaluarën dhe dasmën autentike të Rekës së Epërme

Driton ZENKU

Krahina e Rekës së Epërme krahas dialektit autentik dhe veçorive të tjera kulturore, karakterizohet edhe për nga tradita e organizimit të dasmave tradicionale. Këto rrite i takojnë të së kaluarës, por përzemërsia me të kaluarën e të parëve ka ndikuar që banorët me prejardhje nga Reka këto tradita mos ti zhdukin, përkundrazi, t’i rikthejnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në disa raste, familjet me prejardhje nga Reka duke mos dashur që kjo traditë e tyre e bukur të mbulohet nën hijen e harresës, në dasmat e tyre familjare kryejnë edhe rritet e dasmës së vjetër. Një nga banorët e moshuar të kësaj krahine, Branko Manjallovski, flet me mall për të kaluarën dhe dasmën autentike të Rekës së Epërme.

“Në natën e parë të dasmës do të vinin të gjithë miqtë e ftuar nga fshatrat tjera, si myslimanët ashtu edhe të krishterët. Muzika përbëhej nga dy lodra (daulle) dhe dy klarinete (zurle) ku flitej dhe këndohej vetëm në gjuhën shqipe. Kishte kuzhinier të veçantë të cilët përgatitnin ushqime në kazan. Kryesisht luheshin vallet shqipe dhe këndoheshin këngë shqipe”, tregon Manjallovski, duke folur për natën e parë të
dasmës së martesës. Të nesërmen, vijon ai, ishte ruajtja e dhëndrit. Ruajtja bëhej me ceremoni të
veçanta, e ajo ishte përgatitja e dhëndrit për të shkuar për te nusja.

“Nusja ishte e veshur në mënyrë solemne me jelek, xhamadan, fustan, peshterka dhe me çorapë të cilat quhen “Tazllukë”.

Do ta hipnin nusen mbi kalë dhe me muzikë do të mbërrinin në fshatin e dhëndrit”, vijon
Manjallovski. Pastaj, nga ana e dhëndrit, krushqitë drekonin te familja e nuses. “Kur do të arrinte
nusja në fshatin e dhëndrit, ishin festime të mëdha deri në orët e vona, ushqim, pije, këngë dhe
gazmende. Më vonë vinte koha kur mbylleshin dhëndri dhe nusja në dhomën veçanërisht të
mobiluar. Në të kaluarën ajo ishte dita kur për herë të parë shikoheshin dhëndri dhe nusja. Këto
martesa ishin të organizuara nga prindërit. Prindërit e dhëndrit do të kërkonin nusen, ndërsa djali
i tyre nuk kishte të drejtë të përzihet”, shton Manjallovski duke u shprehur i mallëngjyer për të
kaluarën e kësaj krahine shqiptare. Ai shpreh shqetësim se në kohët e tanishme, mënyra e këtillë
e martesës është qesharake, por ndan bindjen që kjo mënyrë e martesës në të kaluarën ishte më e
shëndosh dhe martesat e tilla ishin të përjetshme. ”Edhe mbretërit edhe sot e kësaj dite kur kërkojnë nuse përdorin këtë mënyrë për fejesë. Analizohet prejardhja e vajzës, a ka ndonjë sëmundje trashëguese, bëhen kërkime për disa breza me radhë, dhe në këtë mënyrë gjendet mbretëresha e vërtetë. Ndërsa në kohën e tashme takohen në rrugë, në punë, në vallëzim apo njihen në rrjetet sociale. Për martesat e tilla nuk ekziston mundësia për stabilitet dhe fat.

Pas një kohe të shkurtë do të shkurorëzohen ndërsa fëmijët e tyre pas ndarjes nuk do të kenë jetë
normale”, shton ai. Ditën tjetër të dasmës, sqaron ai, nusen e dërgonin të kroi ku derdhte ujë nga
ibriku, së pari familjarëve të sajë që t’i lajnë duart e më pas vinin bashkëfshatarët. Të gjithë i japin dhuratë nuses dhe ajo ua puthte dorën. “Nëse ndonjëri nuk jepte dhuratë nuk i puthej e dora. Andaj edhe ka ngelur thënia “nusja nuk e puth dorën e thatë”, shpjegon Manjallovski. Për të kultivuar të kaluarën e tyre, krahas gazmendeve familjare, në çdo rast tjetër tentojnë që të nxjerrin në pah traditën e së kaluarës. Në manifestimin kulturore “Ditët e Rekës së Epërme”, për çdo vit rikthehen dhe sjellën në skenë me autenticitet të plotë traditat, doket dhe zakonet e trashëguara ndër gjenerata, siç është dasma e vjetër rekase. Duhet cekuar që Branko Manjallovski u bë i njohur për opinionin e gjerë shqiptar me pohimin e tij të guximshëm që edhe pse në regjistrat e shtetit është evidentuar si maqedonas, ai gjithherë e ka ndier veten shqiptar, duke pohuar botërisht se asimilimi dhe fuqia e forcës ua kishte imponuar shumë ortodoksëve shqiptar të krahinës së Rekës të konvertoheshin në maqedonas, edhe pse, kishin qenë me prejardhje shqiptare brez pas brezi. Edhe pse në moshë të thyer, Branko Manjallovski nuk dorëzohet për ta thënë të vërtetën.

Në periudhën në vazhdim është duke punuar në përgatitjen e një libri me shënime dhe kujtime nga jeta e tij, ku në hollësi përshkruan traditën, doket dhe zakonet e kësaj krahine të cilat nga themeli ndërlidhen me qenien shqiptare, duke nisuar ngaveshja, gjuha, ndërtimet dhe çdogjë tjetër.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 3, 2018 11:45

PUBLICI8

Sondazhi

Vlerësimi juaj për vitin 2018 ?
Maqedoni
1°
0°
Mon
-4°
Tue
-1°
Wed

ARKIVI I LAJMEVE