Sanksionet amerikane ndaj Iranit

Sanksionet amerikane ndaj Iranit

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha të enjten se pret që Shtëpia e Bardhë të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit mbi programin e raketave balistike dhe veprimet e tij të dyshuara destabilizuese në Lindjen e Mesme. Por ai vuri në dukje se vendimi për të vazhduar ose jo pezullimin e sanksioneve të tjera në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, mbetet në dorën e Presidentit Donald Trump. Afati i fundit për këtë vendim skadon sonte, dhe siç njofton nga Londra korrespondenti Henry Ridgwell, nënshkruesit e tjerë po e bëjnë të qartë mbështetjen e tyre për marrëveshjen.

Protestuesit në Bruksel demonstruan kundër vizitës së ministrit të Jashtëm Iranian Mohammad Javad Zarif të enjten në shenjë solidariteti me demonstratat e fundit anti-qeveritare në Iran.

Por ndërsa hyri në ndërtesën e Bashkimit Evropian, zoti Zarif u prit ngrohtësisht nga homologët e tij të BE-së që këmbëngulën se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 po funksionon.

“Ajo po realizon synimin kryesor që ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll dhe nën vëzhgim të programit bërthamor të Iranit”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ministri i Jashtëm i Britanisë Boris Johnson tha se veprimet e tjera të Iranit në Lindjen e Mesme nuk duhet të ndikojnë marrëveshjen bërthamore.

“Përtej marrëveshjes bërthamore ne duhet të përqëndrohemi në atë që mund të bëjë Irani për të zgjidhur krizën e tmerrshme në Jemen, për të ndihmuar në avancimin e paqes në Siri dhe në zgjidhjen e çështjeve të tjera në rajon”, tha Boris Johnson, Sekretari i Jashtëm i Britanisë.

Takimi u zhvillua në prag të afatit të presidentit amerikan Donald Trump për të vazhduar ose jo pezullimin e sanksioneve ndaj Iranit, pjesë e marrëveshjes bërthamore.

Sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin u tha gazetarëve të enjten se vendimi do të merret nga presidenti, por ai pret sanksione të reja shtesë nga Shtëpia e Bardhë.

“Pres sanksione të reja ndaj Iranit. Jemi duke i shqyrtuar. Mendoj se do të ketë sanksione të tjera në të ardhmen”, tha Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin.

Marrëveshja e vitit 2015 bëri që të hiqeshin disa sanksione ndaj Teheranit në këmbim të ngrirjes së aktivitetit të pasurimit bërthamore. Agjencia bërthamore e OKB-së, IAEA, thotë se Teherani po përmbush detyrimet e marrëveshjes.

Por Evropa dhe Shtetet e Bashkuara e shohin ndryshe marrëveshjen bërthamore, thotë analistja Paulina Izewicz.

“Nga prespektiva amerikane, marrëveshja – edhe pse është një marrëveshje bërthamore – është më shumë sesa thjesht bërthamore. Ka shqetësime për programin e raketave balistike të Iranit, aktivitetet rajonale të Iranit. Këto çështje nuk janë të rëndësishme për Evropën.”

Megjithë mbështetjen e Evropës për marrëveshjen bërthamore, zonja Izewicz thotë se e ardhmja e saj varet nga vendimi i presidentit Trump.

“Edhe pse të gjitha palët janë përpjekur të theksojnë se është një marrëveshje shumëpalëshe, nga ana praktike qëndrimi në të i Shteteve të Bashkuara është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e saj, pikë së pari për shkak të lehtësimit të sanksioneve dhe ndikimit të madh që kanë”, thotë analistja.

Të gjithë sytë janë tani në Uashington, ndërsa Donald Trump përgatitet të bëjë atë që disa thonë është një nga vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të presidencës së tij një vjetore.

Flaka Redaksia
nga Flaka Redaksia Janar 12, 2018 17:46
Loading...

REKLAMA

PARTNER

Maqedoni
20°
14°
Sat
12°
Sun
7°
Mon

ARKIVI I LAJMEVE