Sharec: Data për fillimin e negociatave, e merituar

Sharec: Data për fillimin e negociatave, e merituar

Republika e Sllovenisë, si vend anëtar i BE-së, përkrah çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union.

“Pritjet e Maqedonisë së Veriut janë të mëdha dhe të merituara”, tha mes tjerash kryeministri slloven, Marijan Sharec, duke shtuar se Sllovenia, ashtu siç e përkrahu anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, me të njëjtën forcë do ta përkrahë edhe në procesin e integrimit në BE.

“Dëshirojmë që Maqedoninë e Veriut ta shohim sa më shpejtë që të jetë e mundur mes vendeve të NATO-s, në hapësirën ku Sllovenia veç më është vendosur. Gjithashtu duam përparim të qartë në rrugën drejt BE-së. Pa dyshim Maqedonia e Veriut në këtë rrugë po përballet me sfida të rënda, por arritja e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshja për marrëdhënie të mira me Bullgarinë dhe zbatimi i shumë reformave sistemore, tregojnë se keni dëshirë, guxim dhe vendosmëri që ta arrini qëllimin dhe qytetarëve t’u siguroni të ardhme të evropiane”,- theksoi kryeministri i Sllovenisë, Marijan Sharec.

Zaev: Pres shpërblim për arritjet, jo dënim

Hamendja e Francës për të përkrahur fillimin e negociatave nuk ka shuar optimizmin e Sllovenisë, aq më pak të Shkupit zyrtar.

“Pritjet tona janë se pas 15 vitesh, përfundimisht, në harmoni me të gjitha meritat që kemi e që janë konfirmuar nga të gjitha vendet anëtare me raportin evropian se reformat janë përfunduar 100%, me të vërtetë jemi shembull për ndërtimin e miqësisë me fqinjët tanë. Arritëm Marrëveshjen me Bullgarinë, me Greqinë. Arritëm marrëveshje e cila zakonisht arrihet pas lufte dhe ne e bëmë në formë diplomatike, evropiane. Edhe Evropa edhe bota po flasin për sukseset që janë arritur. Prandaj nuk presim që një nga shembujt më pozitiv në Ballkan dhe në kontinentin evropian të dënohet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Sa u përket spekulimeve se Bullgaria mund të frenojë datën për bisedime për shkak të debatit rreth figurës së Goce Dellçevit, kryeministri Zaev tha se të dy vendet janë obliguar që të respektojnë Marrëveshjen e arritur dhe se pret që Bullgaria të jetë zëri më i fuqishëm në favor të çeljes së negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 19:13

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA