SHBA, 250 trupa shtesë në Siri për të mbështetur milicitë

SHBA, 250 trupa shtesë në Siri për të mbështetur milicitë

Barack Obama do të dërgojë 250 trupa shtesë në Siri, në mbështetje të milicisë lokale dhe luftës së saj kundër militantëve të Shtetit të dhunshëm Islamik.

Qëllimi, siç thonë zyrtarë të lartë amerikanë, është të inkurajohen më shumë arabët sunitë për t’iu bashkuar luftëtarëve kurdë në verilindje të vendit. Dislokimet e reja e çojnë në 300 numrin e forcave amerikane me rol joluftarak në Siri.

Dërgimi i trupave të rregullta tokësore në shtetin e munduar nga lufta civile e pas saj, nga shtrirja e ISIS-it vazhdon të përjashtohet si mundësi nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Përpjekjet ushtarake, sipas Obamës, nuk e zgjidhin dot të vetme situatën e dhimbshme, por tmerrësisht komplekse të Sirisë.

Pjesa dërrmuese e personelit shtesë do të përbëhet nga forca speciale operative. Grupi, nga sa raporton “Associated Press”, do të përfshijë edhe mjekë e trupa logjistike.

Një ditë më parë, Obama u shpreh “thellësisht i shqetësuar” nga përshkallëzimi i dhunës në Siri, ndërsa opozita e atjeshme akuzon qeverinë se ka shkelur armëpushimin e arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 25, 2016 15:38

REKLAMA